Ekspertët: Hyrja në BE vetëm do të rrisë trendin e emigrimit

557
Sigal

Integrimi në Bashkimin Evropian i vendeve si Shqipëria pritet të japë efekt drastik në largimin e trurit jashtë kufijve

Objektivi i disa vendeve që duan me çdo kusht të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, ku bën pjesë edhe Shqipëria, pritet që të japë efekt drastik në drejtim të rrjedhjes së trurit jashtë kufijve. Në një analizë të sajtit “europeanwesternbalkan.com” në fokus është vënë rasti i Kroacisë, e cila që nga viti 2013, kur u bë anëtare e BE-së, ka raportuar shifra që tregojnë tendencën për një emigrim në rritje. Artikulli vjen si një reflektim i shifrave të Gallup që konfirmonin se 32 për qind e qytetarëve të Shqipërisë duan që të largohen, ndërkohë që kjo shifër për Kosovën ishte 42 për qind, duke regjistruar nivelin më të keq ndër 152 vende ku u mbajt anketa gjatë 2015-2017. “Kroacia raportoi se numri i papunësisë ra nga mesi i vitit 2015 në mesin e 2016, me 95 mijë persona por numri i të punësuarve u rrit vetëm me 14 mijë çka tregon se 80 mijë persona kanë lënë vendin e tyre” thuhet në analizë. “Kur shohim shembullin e Kroacisë shohim që hyrja në BE është shkaktari kryesor dhe njerëzit nisën të lënë vendin në numra të konsiderueshëm që konfirmon vetëm se anëtarësia në BE nuk mund t’i mbajë ata brenda. Nëse sundimi i ligjit dhe mundësitë për njerëzit që të ecin para mungojnë, nëse nuk ka liri të mjaftueshme shprehjeje dhe potencial për kreativitet, anëtarësia në Bashkimin Evropian nuk është se do të thotë edhe aq shumë” nënvizon Alida Vračić, Drejtore Ekzekutive e Populari.

Një tjetër ekspert vlerëson se e njëjta histori do të përsëritet edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor për aq kohë sa nuk ka zgjidhje për sfidat që hasen apo që nuk ka një vizion të fortë social që t’iu ngjallë njerëzve dëshirën për të investuar. “Nëse marrim një qytetar nga Estonia që shkon për shembull në Suedi, ai ka një perspektivë komplet të ndryshme krahasuar me boshnjakët apo serbët që lënë Ballkanin. Ai sheh pas në Estoni dhe me eksperiencën që ka fituar, mund të mendojë edhe të kthehet apo ndoshta të transferojë njohuritë që ka fituar në Suedi ose të lidhë kompani suedeze me ato në Estoni. Këtu shembujt e njerëzve që kthehen dhe investojnë në biznes janë të paktën vlerëson” tha Andan Ćerimagić, analist pranë Iniciativës për Stabilitet Evropian.

“Nuk është thjesht për papunësinë”

Ekspertët tregojnë se emigrimi nuk është thjesht për çështje papunësie në vendin e tyre të origjinës. “Ajo që është e rëndësishme të thuhet kur flasim për migracionin nga vendet e Ballkanit Perëndimor është që është një emigracion i ligjëruar. Në vitin 1990, në Ballkan kishim refugjatë dhe azilkërkues, ndërsa sot njerëzit po ikin për të studiuar, për të punuar apo për t’u bashkuar me familjet e tyre” shprehet Ćerimagić. Alida Vračić, Drejtore Ekzekutive e Populari bie dakord me këtë vlerësim. “Faktorët që janë kyçë janë ato ekonomikë ose pamundësia për të gjetur një punë por në të njëjtën mënyrë ndiqet nga pakënaqësia e tejzgjatur dhe nga ndjesia që ndryshimet e dëshiruara nuk po ndodhin ose po ndodhin shumë ngadalë” shprehet ajo.