Ekspertët: Arsyet e rënies së euros, ekonomia formale dhe paratë e drogës

428

Përshpejtimi i nënçmimit të euros ndaj lekut me gati 5% në harkun e pesë muajve të parë të vitit dhe 8% që nga fillimi i 2016-s i ka bërë të “pafuqishme” institucionet financiare dhe grupet e ekspertëve për të gjetur faktet reale për zhvillimet në kursin e këmbimit, e për rrjedhojë “recetat” që mund të frenojnë rënien e mëtejshme të monedhës evropiane për shkaqe të tregut të brendshëm po bëhen gjithnjë e më të vështira. Banka e Shqipërisë dhe ekspertë të çështjeve makroekonomike në vend, ditët e fundit janë përfshirë në një debat për arsyet e forcimit të monedhës vendase dhe efektet që kanë ato te sektori i manifakturës. Profesorët Arben Malaj, Ardian Civici, Zef Preçi, Artan Gjergji, shtruan disa teza se si mund të minimizohen efektet negative që krijon kursi te konkurrueshmëria e ekonomisë vendase. Pjesa më e madhe e ekspertëve ndajnë mendimin se forcimi i pazakontë i euros po vjen nga sektori informal dhe nuk ngurrojnë ta pohojnë hapur këtë.

Malaj: Duhet analizuar pse është rritur oferta, kursi do kthehet në nivele të arsyeshme

Profesor Arben Malaj thotë, se për t’iu përgjigjur pyetjes se pse ka rënë euro, duhen analizuar faktorët që kanë ndikuar në rritjen e ofertës për euro dhe/ose rënien e kërkesës. Nëse do të analizonim hyrjet/ofertën do të duhet të mbajmë parasysh hyrjet nga eksporti, nga investimet e huaja direkte, nga remitancat dhe ato që në bilancin e pagesave konsiderohen hyrje për diference dhe që janë të pamatshme. Ekspertët vlerësojnë së këta tregues kanë rritje. Nëse do të duhet të analizojmë krahun e kërkesës për euro që në këtë rast duhet të jetë në rënie që euro të zhvleftësohet dhe monedha kombëtare të forcohet, duhet të analizojmë së cilët nga faktorët e kërkesës ka renë, ka rënë kërkesa e sektorit privat, ka rënë kërkesa për euro nga kompanitë publike apo buxheti i shtetit ose faktorë të tjerë. Një analizë e veçante kërkohet për sektorin bankar, nivelin e parë ku përfshihet banka qendrore dhe nivelin e dytë ku përfshihen bankat dhe institucionet financiare jobankare. Për sa i përket Bankës së Shqipëri në plotësimit të objektivit të saj për inflacionin 3% dhe në analizë të instrumenteve të politikës monetare, (në përputhje me kursin e këmbimit luhatëse që në vitin 1992), sipas ekspertëve të BSH nuk ka ndërhyrje me efekt influencues në kursin e këmbimit. Ndoshta duhet të mos nënvleftësojmë edhe daljet në treg të kompanive private të cilat kanë të ardhura në valutë dhe shlyejnë detyrime në lekë për pagimin e pagave, sigurimeve shoqërore, tatimin e fitimit të vitit të mëparshëm etj. Ndërsa procesi i kredidhënies në euro që rrit ofertën e euros nuk është në nivele deformuese të kursit të këmbimit. Si pjesë e paketës de-euroizuese kredia ne valutë tentohet të ulet duke ulur edhe riskun e kursit të këmbimit për kredimarrësit që i kanë të ardhurat në lekë dhe marrin kredi në valutë të huaj. Efekti psikologjik i strategjisë së de-euroizimit duhet të reduktohej apo menaxhohej në një strategji komunikimi lehtësisht të kuptueshme dhe me intensitetin e duhur publik për të minimizuar çdo konvertim të depozitave në euro në monedhat të tjera, sidomos për depozitat jashtë sistemit bankar, por që bëhen pjesë e rritjes së ofertës së euros në treg. BSH e ka analizuar këtë trend dhe ka arritur në konkluzionin së forcimi i monedhës kombëtare është bazuar në tregues jo fondamentale dhe për pasojë në të ardhmen do të kthehet në nivele të arsyeshme. Kjo është kritike sidomos për eksportuesit që janë prekur në nivele relativisht te larta, çka dëmton aftësinë e tyre konkurruese, redukton qoftë edhe përkohësisht investimet dhe numrin e punonjësve. Ekonomia shqiptare duhet të bazohet tek rritja e eksporteve prandaj strategjia e rritjes së tyre duhet të jetë shumëdimensionale ku duhet të harmonizohen politikat monetare me ato fiskale, rekomandon Malaj.

Civici: Tregu monetar reflekton një ofertë të madhe eurosh

Profesor Adrian Civici, president i UET, pohon se duket se në tregun monetar shqiptar, euro ka hyrë në një trend renës afatgjatë. Analizat e këtij fenomeni të çojnë në konkluzionin se shkaku kryesor është disponibiliteti apo oferta e lartë e euros në treg në raport me lekun. Tregu monetar shqiptar reflekton një ofertë të madhe eurosh, si kundrejt nevojës apo tërheqjes së euros ashtu dhe kundrejt ofertës së lekut. Duke iu referuar analizave të Bankës së Shqipërisë mund të nënvizohet dhe fakti i efekteve pozitive të ndryshimeve me karakter strukturor, si përmirësimi i bilancit të pagesave, deficiti i ulët buxhetor, përmirësimi i raporteve import-eksport, shtimi i IHD, etj. Faktor që duhet nënvizuar është dhe reagimi i publikut kundrejt politikës së de-euroizimit që po ndiqet aktualisht në Shqipëri, e cila në shumë raste është kuptuar e interpretuar gabimisht si tendencë dhe qëllim për të braktisur euron në emër të lekut. Po të kemi parasysh ardhjen e sezonit turistik që, historikisht është shoqëruar me hyrje masive eurosh, është e qartë se edhe në muajt në vazhdim mund të kemi të bëjmë me një euro që do të vazhdojë të këmbehet në nivelet 127 – 129 lekë. Pasojat e këtij kursi këmbimi do ndihen më shumë tek të ardhurat e eksportuesve shqiptarë, të cilat po shënojnë ulje, te kursimet apo depozitat në euro, vlera e të cilave do të ulet. Mendoj se bankat tregtare gjithashtu po preken negativisht nga kursi i nënçmuar i euros. Ndërkohë, priten përfitime nga importuesit sidomos ata që operojnë në Eurozonë. Efekte pozitive kanë individët apo bizneset që kanë marrë kredi në euro dhe të ardhurat bazë i kanë në lekë. Kjo kategori do të favorizohet në shlyerjen e kësteve të kredisë. Edhe qeveria favorizohet nga kjo tendencë rënëse e euros, pasi ulet vlera e borxhit publik.

Preçi: Oferta e parave me orgjinë kriminale ka dobësuar euron, po deformon ekonominë

Eksperti Zef Preci thotë se oferta monetare e parave me origjine kriminale në ekonominë Shqiptare është tejet e madhe dhe përbën një kërcenim serioz për deformime të tjera në këtë ekonomi. Sipas tij, zhvillimet e gjysmës së parë të 2018-s, sidomos sa i takon mbiçmimit të Lekut Shqiptar, po provojnë se oferta monetare e parave me origjinë kriminale në ekonominë Shqiptare është tejet e madhe dhe përbën një kërcenim serioz për deformime të tjera në këtë ekonomi. Deri më tani, si evidence në funksion të këtij argumenti, përveç “avullimit” të rreth 350 milionë Eurove nga kursimet e popullatës, janë shfaqur edhe pasojat në përkeqësimin e situatës së kompanive që eksportojnë mallra shqiptare jashtë vendit. Gjithashtu, edhe “rigjallërimi” i pajustifikuar i tregut të pasurive të patundshme, kryesisht nëpërmjet transaksioneve në cash dhe pa ndonjë lidhje me zhvillimet në kërkesë-ofertën e këtij tregu, është rrjedhojë e kësaj situate?

Gjergji: Ndikim nga burimet jo zyrtare të hyrjes së valutës

Artan Gjergji, drejtor ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve ALSE, që në fillim të herës, specifikon që nuk kemi të bëjmë me një zhvlerësim të euros, por me një vlerësim të valutës sonë kombëtare karshi valutës euro. Nëse ky vlerësim nuk shoqërohet as me një zhvlerësim të euros me të njëjtat ritme në tregjet ndërkombëtare karshi valutave të tjera të forta, teoritë ekonomike na mësojnë se kemi të bëjmë ose me një rritje të ofertës në euro, ose me një reduktim të ofertës në lekë në tregun e brendshëm. “Në kushtet e mungesës së informacionit publik statistikor në lidhje me volumet e tregut të brendshëm të valutave të huaja, s’na mbetet veçse të besojmë argumentet e bëra publike nga institucionet përgjegjëse, sipas të cilave kemi një rritje të remitancave, investimeve të huaja apo edhe të ardhurave nga turizmi. Megjithatë, në mungesën e statistikave publike mbështetëse të këtyre argumenteve, personalisht mendoj se ka edhe burime të tjera që ndikojnë në lidhje me vlerësimin e lekut karshi valutës euro, ndër të cilat besoj kanë të bëjnë edhe të ardhura të agjentëve ekonomikë nga burime jozyrtare, si dhe një ndikim të fortë manipulativ në tregun jo-zyrtar valutor, që shfrytëzon sinjalet dhe perceptimet në publik, që mund të kenë dhënë politika e Bankës së Shqipërisë për de-euroizimin”, pohon ai.