Sigal

Ekonomia shqiptare ka filluar të zhvendoset nga tregtia dhe ndërtimi tek industria, turizmi dhe shërbimet e lidhura me eksportet.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha të martën se ka sinjale të një modeli të ndryshëm të rritjes ekonomike, por koha dhe zhvendosja e burimeve që kërkon ky proces do të shoqërohet me një ngadalësim të përkohshëm të produktivitetit. Sipas Guvenratorit, maturimi i këtij procesi dhe rritja e produktivitetit do të kërkojë përmirësimin e aftësive menaxheriale të biznesit.

Drejtori ekzekutiv i Bankës Botërore, Patrizio Pagano, tha gjatë një prezantimi të mbajtur në Bankën e Shqipërisë, se pesimizmi për një stanjacion të rritjes në ekonomitë e zhvilluara me shumë gjasa, është i gabuar. Sipas tij, studimet ekonomike nuk duhet të nënvlerësojnë potencialet e teknologjive ekzistuese si burime të rritjes së ardhshme ekonomike.

Pas recesioneve, studimet ekonomike përgjithësisht karakterizohen nga parashikime të zymta. Por, përvoja ka treguar se këto parashikime zakonisht kanë rezultuar të gabuara, sepse ato kanë nënvlerësuar potencialet e teknologjive ekzistuese.

Pas depresionit të madh, studimet e ishin pesimiste rreth rritjes së ekonomisë dhe e cilësonin atë si të varur nga konsumi, ndërsa investimet ishin të pamjaftueshme për një rritje afatgjatë.

Por, ato studime nënvlerësuan ndikimin që do të kishte në ekonomi energjia elektrike dhe gjithë shpikjet dhe shërbimet e lidhura më të.

Në mënyrë të ngjashme sot po nënvlerësohen potencialet që ka teknologjia e informacionit dhe komunikimit, për të prodhuar shërbime të reja që do të mbështesin rritjen ekonomike.