Zbardhet Buxheti i 2017/ Ja tetë taksat që do të paguajnë qytetarët shqiptarë

Zbardhen vendimet e Këshillit Bashkiak, që do të mblidhet dy ditë përpara mbylljes së vitit. Në rend të ditës janë gjashtë pika, dy prej të cilave janë diskutuar me qytetarët prej muajsh. Bëhet fjalë për planin urbanistik e buxhetin, ndërsa të tjerat parashikojnë ndërtimin e terminalit të autobusëve të juglindjes, riorganizimin e ndërmarrjes së dekor-funeralit, si dhe kalimin në pronësi të Bashkisë të disa pronave, që janë aktualisht nën juridiksionin e saj.

 

PLANI VENDOR

 

Pas konsultave publike në çdo njësi, Bashkia çon për miratim në këshill planin e përgjithshëm vendor. Ai përmban në thelb 13 projekte strategjike: krijimi i parkut orbital, krijimi i korridoreve të gjelbra, atyre ekologjike, epiqendrave dinamike, ngritja e një rrjeti për shtimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore, ngritja e një rrjeti të dedikuar për biçikletat, si dhe një plan transporti publik dhe lëvizshmërie efikase. Si risi, në plan detajohet për herë të parë marrëdhënia publik-privat për një sërë procedurash për administrimin e territorit.

Po ashtu do të ketë mekanizma dhe kushte zhvillimi që mundësojnë rijetëzimin e hapësirave të dëmtuara publike, infrastrukturave të munguara dhe shërbimeve të mangëta sociale. Pjesë e hartimit të planit ka qenë edhe vlerësimi i burimeve kryesore të punësimit dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik.

BUXHETI

Zgjatimi i bulevardit, Unaza e Madhe, Pazari i Ri, Parku Zoologjik, infrastruktura arsimore dhe terminali i autobusëve janë investimet madhore që Bashkia i ka në planin e buxhetit për këtë vit. Sa u takon politikave tatimore, falë parashikimit për rritjen e të ardhurave me 13% dhe miradministrimit të tyre, Bashkia ka vendosur të mos ndryshojë nivelin e taksave. Ndërsa për disa procedura tatimore përgjysmohen dokumentet dhe afati kohor i realizimit të tyre.

Kështu, tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznese me qarkullim deri në 5 milionë lekë do të jetë 0, ndërsa ata që bëjnë deri në 8 milionë lekë tatohen 5%. E njëjtë mbetet taksa mbi pasuritë e paluajtshme për shtëpitë e banimit, e po ashtu edhe ulja me 30% për njësitë që i janë bashkuar Tiranës me ndarjen e re. Individët do të paguajnë taksë mbi truallin 0.56 lekë/m2 në vit, ndërsa bizneset 20 lekë/m2 në vit.

Taksa e fjetjes në hotel do të jetë 350 lekë/nata për hotelet me 4- 5 yje, ndërsa për të tjerët vetëm 140 lekë/natë. Taksa e ndikimit në infrastrukturë do të vazhdojë të llogaritet në kufijtë e 4- 8% të çmimit të shitjes. Taksa mbi kalimin e të drejtës së pronës 1100 lekë/m2, ndërsa ajo e tabelave mbi 2 m2 45.000 lekë/vit. Edhe për të paktën gjashtë vite të tjera, qytetarët do të paguajnë taksën e infrastrukturës arsimore, 1800 lekë/vit.

TERMINALI JUGLINDOR

Autobusët dhe furgonët që vijnë nga Korça, Pogradeci, Librazhdi, Përrenjasi, Elbasani, si dhe ato të Maqedonisë, nuk do të hyjnë më në qytet, por do të ndalojnë në hyrje të autostradës Tiranë-Elbasan. Ky është një nga projektvendimet e Këshillit që parashikon vendndodhjen e terminalit, përfshirjen e tij në planin vendor dhe dhënien me koncesion “Praslin Investment AL sha”. Ky i fundit garanton investimin me fondet e tij dhe operimin për të paktën 20 vjet.