Edmond Spaho:“Referendumi shpreh vullnetin e shqiptarëve për integrimin në BE”

680
Sigal

Edmond Spaho, Kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, në intervistën për “Telegraf, shpjegon përse maxhoranca e shikon referendumin si mundësinë e vetme për të kapërcyer ngërçin e votimit të tre ligjeve. Gjithashtu, zoti Spaho shpjegon edhe paketën e re fiskale të maxhorancës, si reformën ekonomike për të  dhënë një nismë të re rritjes ekonomike dhe  krijimit të vendeve të reja të punësimit.

– Zoti Spaho, përse është kaq i vështirë të arrihet kompromisi për çështjet e integrimit të Shqipërisë?

Nëse një forcë politike e shikon procesin e integrimit të vendit në funksion të axhendës së saj për të ardhur në pushtet, nëse do të mendosh se marrja e statusit të vendit kandidat favorizon maxhorancën, atëherë i ashtuquajturi kompromis bëhet i paarritshëm. Sikurse e dini, për të tre ligjet e mbetura dhe të tjera të miratuara më parë, maxhoranca ka dhënë kompromisin dhe ky kompromis është pasqyruar në përmbajtjen e reformave. U pranua ndryshimi i rregullores së parlamentit në lidhje me kohën që flet kryetari i opozitës, u pranuan ndryshimet që propozonte opozita në ligjet për Gjykatën e Lartë dhe administratën publike. Lidhja që iu bë votimit të këtyre tre reformave me Qarkun e Fierit ishte një lojë e ndyrë politike në kurriz të shqiptarëve. Kryetari i Këshillit të Qarkut të Fierit zgjidhet me votë dhe jo me marrëveshje, në përputhje me ligjet dhe jo me orekset e opozitës. Nëse të zgjedhurit do t’i emërojmë, siç kërkon opozita, ky është dëmi më i madh që mund t’i bëjmë vendit dhe zgjedhjeve.

– Vetë referendumi a nuk është në kundërshti me ndërtimin e frymës së bashkëpunimit e arritjen e konsensusit të kërkuar?

Sikurse e dini, mbi 90% e shqiptarëve janë në favor të integrimit të vendit në Bashkimin Europian, pra midis qytetarëve konsensusi është mëse i plotë. Opozita duhet të respektojë këtë vullnet të shqiptarëve, gjysma e të cilëve janë socialistë dhe jo ta pengojë integrimin. Kërkesa për të votuar ligjet me 3/5 e votave nuk është për të siguruar formalisht 84 vota, por për të garantuar një përmbajtje të pranueshme të reformave që ndërmerren, nga i gjithë spektri politik. Ky konsensus tashmë është arritur. Të tre reformat dhe ligjet që i materializojnë ato, janë hartuar sipas kërkesave të opozitës dhe opozita ka detyrimin për t’i votuar.

– Përse mendoni se referendumi do të zgjidhë ngërçin e votimit të 3 ligjeve?

Sepse do të shprehë vullnetin e qytetarëve, të cilët janë masivisht pro integrimit si asnjë vend tjetër i Ballkanit Perëndimor, apo vendeve të tjera ish-komuniste.

– Kur ndërkombëtarët bëjnë apelin politik për domosdoshmërinë e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri, kujt force politike i drejtohen?

– Problemi themelor i zgjedhjeve në Shqipëri është mungesa e besimit dhe mospranimi i rezultatit nga ai që humbet zgjedhjet. Nëse Edi Rama, për të ruajtur drejtimin e PS-së, bën zhurmë paparaqitur asnjë fakt se si janë manipuluar zgjedhjet, ky nuk është problem i zgjedhjeve, por i Edi Ramës. Nëse Edi Rama akuzon të gjithë komisionerët e tij që ia shitën zgjedhjet, ky nuk është problem i zgjedhjeve, por problem i Edi Ramës. Kodi Zgjedhor në tre zgjedhjet e fundit është hartuar si ka dashur Edi Rama, sistemi zgjedhor është bërë si e do Edi Rama, gjysma e njerëzve që administrojnë zgjedhjet janë militantë të Edi Ramës. Prandaj, kontestimet e Ramës për rezultatin zgjedhor janë të justifikojë humbjen e tij politike, duke mos u shqetësuar për koston politike të demokracisë shqiptare.

– Ekonomisti kryesor i Bankës Botërore për Ballkanin, Zeljko Bogetiç, thotë se, ajo që i nevojitet Shqipërisë në fillim dhe mbi të gjitha është ndjekja e një politike më intensive reformash për të reduktuar borxhin publik. Kjo a nuk bie në kundërshti me politikën  e qeverisë për  rritjen të nivelit të borxhit?

Që nga fillimi i krizës ekonomike botërore, vendi ynë e ka rritur borxhin publik me vetëm 5-6 % të PBB-së. Vendet e tjera, ato të rajonit apo vendet e zhvilluara, e kanë rritur me 20-30 % dhe, disa të tjera, me herë. Shqipëria, gjatë viteve të krizës, zgjodhi rrugën e shkurtimit të shpenzimeve administrative, por edhe të stimulimit të sektorit privat të prodhimit kryesisht, nëpërmjet uljes së taksave dhe rritjes së investimeve publike. Kjo rrugë rezultoi efektive, sepse, në dallim nga shumë vende të tjera, ne vazhdojmë të ruajmë rritje ekonomike pozitive në kufijtë e 3 % në vit. Në vlerësimin e fundit që Bordi i Drejtorëve iFMN-së i bëri ekonomisë së vendit tonë në janar të këtij viti shprehet se: Shqipëria me sukses ia ka arritur të evitojë rënie serioze të prodhimit që nga viti 2009. Qeveria e ka objektivin e reduktimit të borxhit në periudhë afatgjatë. Stabilizimi i ekonomive europiane dhe rikthimi në normalitet do të bëjë që t’i rikthehemi realizimit të objektivit në lidhje me reduktimin e borxhit.

– Çfarë synon dhe nga se përbëhet paketa e re fiskale që maxhoranca po miraton së fundi?

Paketa e re fiskale, apo e reformave, që po miraton maxhoranca, është në linjë me qëndrimet ekonomike që kemi mbajtur gjatë gjithë periudhës së qeverisjes dhe synon dy objektiva shumë të rëndësishëm, ato të nxitjes së prodhimit dhe rritjes së punësimit. Në funksion të arritjes së këtyre objektivave, maxhoranca është e vendosur të ndërmarrë çdo masë dhe të reduktojë çdo taksë, e cila krijon kushte për nxitjen e prodhimit dhe hap vende të reja pune. Paketa do t’i japë nxitje zhvillimit të biznesit të industrive të lehta, përpunuese dhe bujqësisë, pasi përjashton nga TVSH të gjitha makineritë dhe pajisjet për qëllime investimi. Paketa heq tatimin mbi të ardhurat personale për të gjithë kategoritë e punonjësve, të cilët marrin pagë nën 30 mijë lekë të reja. Paketa e reformave ka një kosto prej rreth 150 milion euro në buxhetin e shtetit.

– Faleminderit!