Edmond Panariti: Plani për parandalimin e falimentimit të qumështit në fermat shqiptare

524
Sigal

Ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti ka parashtruar një plan, që sipas tij, parandalon falimentin e prodhimit të qumështit në fermat shqiptare. “Qumështi i fermave dhe i fermerëve tanë sot prodhohet me kosto mesatare 37% më të lartë se qumështi i importit. Vetëm për blerjen e bazës ushqimore të lopëve dhe bagëtive të imta, te ne fermerët shpenzojnë 80% e të ardhurave të fermës. Numri i fermave të mëdha të qumështit ka rënë nga 14 në 4. Situata është drejt përkeqësimit të mëtejshëm.

Shkaqet?

1.Barra e lartë e tatimeve, taksave dhe tarifave… Masa e fundit e uljes së rimbursimit të TVSH nga 20% në 6% e qumështit të dorëzuar është fatale! Kjo ka bërë që qumështi të derdhet rrugës, sepse fabrikat dhe pikat e grumbullimit nuk e blejnë më atë. Ato po blejnë qumësht importi.

2. Ndërprerja e plotë e subvencioneve direkt për lopë, dele, dhi qumështi.

3. Mos zbatimi i masave “anti dumping” të parashikuara edhe në CEFTA për mbrojtjen e qumështit vendas nga konkurrenca e pandershme e qumështit që shitet nën kosto, sepse subvencionohet fort në origjine.

Cilat janë propozimet tona?

1. Të rikthehet rimbursimi i plotë i 20% i TVSH – së, në pikat e grumbullimit dhe fabrikat e përpunimit të qumështit.

2. Të fillojë pagesa direkt e fermerëve me 60 euro për çdo lopë dhe 15 euro për çdo dele dhe dhi qumështi të regjistruar dhe të matrikuluar.

3. Të rihapen dhe të licencohen, baxhot dhe pikat e therjeve në zonat kodrinore dhe malore.

4. Edhe në respektim të politikave të BE-së dhe marrëveshjes CEFTA, të zbatohen masat e ndalimit të importit të qumështit nën kosto,masat “Anti Dumping”, përfundoi deklaratën e tij ish-Ministri i Bujqësisë.