Edhe guvernatori Sejko nxjerr zbuluar qeverinë: Rritja ekonomike do të përgjysmohet edhe në tremujorin e dytë të 2019-s

325

Instituti i Statistikave vlerësoi disa ditë më parë se ekonomia shqiptare u tkurr ndjeshëm në 3 muajt e parë të vitit 2019. Sipas shifrave zyrtare të raportuara nga INSTAT, rritja ekonomike e Shqipërisë në 3 muajt e parë të vitit 2019 ishte vetëm 2.21 %. Kjo shifër, sipas INSTAT, është rritja më e ulët e ekonomisë shqiptare që nga 3 mujori i dytë i vitit 2015 dhe pothuajse sa gjysma e vlerës së vitit 2018. Këtë gjë e konfirmoi gjatë ditës së djeshme edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili pranoi se Ekonomia shqiptare do të ketë një rritje ekonomike më të moderuar gjatë viti 2019. Sipas Sejkos, rritja ekonomike dhe bizneset mund të goditen nga mungesa e stabilitetit politik. “Rreziqet e kahut të poshtëm mbeten predominuese dhe janë forcuar më tej. Ato lidhen me ambientin e jashtëm, me ecurinë e kursit të këmbimit dhe ndikimin e tij në inflacion, me aftësinë që oferta për kredi do të ketë për t’iu përgjigjur përmirësimit të pritur të kërkesës, dhe së fundmi me situatën politike në vend. Zgjatja e mosmarrëveshjeve politike në vend do të reflektohet në klimën e biznesit dhe mund të godasë aktivitetin ekonomik. Nisur nga këto konsiderata, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se politika monetare do të vijojë të mbetet stimuluese edhe gjatë horizontit afatmesëm.”- deklaroi guvernatori i BSH në një konferencë për shtyp. Kriza e tejzgjatur politike në vend po jep pasojat e saja duke u kthyer në një shqetësim serioz për efektet negative në ekonomi.