Edhe 2 vjet pas vjedhjes, guvernatori Sejko po punon me ato paga, staf e vendime të Fullanit

809
Dje, më 24 korrik 2016, u mbushën 2 vjet nga vjedhja 7.3 milionë dollarë që u bë brenda depos së Thesarit në Bankën e Shtetit Shqiptar, nxjerr me thasë në mes të ditës (siç u tha) prej Ardianit Shef Thesari, të emëruar në këtë detyrë prej Ardianit me detyrë Guvernator i Bankës. Nuk e kemi fjalën për “fatin” e ish-Guvernatorit Fullani, as për fatin e 7.3 milionë dollarëve të vjedhur, por për qëndrimin e Guvernatorit të ri të Bankës së Shtetit, zotit Gent Sejko, në raport me “punët” dhe ata që bëjnë punët në bankën e Shtetit edhe sot, 2 vjet pas vjedhjes gjigante me vlerë sa buxheti vjetor i bashkisë së Tiranës! As ditën e parë, as muajin e parë, as 6 mujorin e parë, as vitin e parë dhe as sot pas 2 vitesh nga “gradimi” në krye të Bankës së Shtetit, në këtë bankë nuk ka ndryshuar asgjë. Nuk ka ndryshuar asgjë as nga vendimet, as nga rregulloret, as nga vendimet funksionale të bankës, as nga Statuti i Bankës, as nga pagat e titullarëve, as nga shpërblimet “për punë të mirë”, as nga pagesat dhe privilegjet e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, të drejtorëve, të punonjësve e ekspertëve të jashtëm.

 Madje nuk është “çmontuar” as dhoma e gjumit e guvernatorit. Nuk është shpërbërë e nuk është hequr as “fondi special” për ekipin e femrave të volejbollit të bankës. Nuk është hequr as vendimi 110 mijë euro në vit për ushqim special falas për punonjësit me katering e kuzhinë brenda bankës. Nuk është shfuqizuar as vendimi 30 milionë dollarë për blerjen e ish-Hotel “Dajtit”. Nuk është ndërprerë as qiraja mujore që banka paguan për “zyrë shefash” ish-vilën e piramidës “Vefa”. Nuk janë hequr as pagesat shpërblyese për pushime vjetore verore e dimërore për shefat e bankës. Nuk janë zvogëluar si vlerë financiare as dietat milionëshe të udhëtimeve jashtë e brenda Shqipërisë për guvernatorin, drejtorët dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës! Nuk është ndryshuar asnjë “kokërr” shefi, zyrtari e punonjësi. Nuk është shkarkuar asnjë nga stafi drejtues me 31 drejtorë e shefa familjarë të shtetarëve e politikanëve ministra, diplomatë, deputetë, drejtorë të lartë majtas e djathtas, madje edhe familjarë të ish-guvernatorit Fullani e të disa figurave të larta të drejtësisë shqiptare! Madje, nuk janë zbritur në nivel funksionesh e nuk janë larguar nga banka as ata shefa e drejtorë që kishin përgjegjësi direkt për vjedhjen e bankës! 

Ata janë ende brenda bankës, po në ato poste që ishin kur u vodh banka që ata drejtonin e monitoronin e që kishin detyrë t’i siguronin thesarin, siç sigurojnë xhepat dhe llogaritë e tyre bankare. Edhe sot, 2 vjet pas vjedhjes së bankës dhe pas abuzimeve të bëra me fondet e kësaj banke për paga, shpërblime, dieta, për piknikë jashtë Shqipërisë, për zyra e makina luksi, për mëngjese, dreka e darka pune, në Bankën e shtetit vazhdon po ajo praktikë, po ato zullume për të cilët u akuzua dhe u shkarkua guvernatori Fullani. Guvernatori merr po të pagë që merrte Fullani, që është më e lartë se paga e Presidentit të Republikës, se e Kryeministrit dhe e deputetëve që e mandatuan! Nuk kanë ndryshuar as pagat e Këshillit Mbikëqyrës e të vartësve të tij! Nuk ka ndryshuar as niveli i shpenzimeve për udhëtime jashtë shtetit. Vazhdojnë të jepen shpërblime mujore, 3 mujore, 6 mujore e vjetore për guvernatorin dhe vartësit e tij! Vazhdojnë pagesat për “profesorë që japin mendje nga jashtë” bankës! Faktet tregojnë, se në bankë mungon vetëm guvernator Ardiani dhe Ardiani që thuhet se ka vjedhur 7.3 milionë dollarët. Gjithçka tjetër me emra e poste zyrtarësh, me “huqe” e me zullume” që bëhen, janë po ata dhe ato që kanë qenë deri më 24 korrik 2014 dhe që janë prezent edhe sot pas 2 vitesh nga deklarata për gjoja “pastrimin e bankës”, shpallur prej guvernatorit Sejko ditën e mandatimit!
Sigal