E vërteta e kredisë së KESH-it dhe lojërat e CEZ-it me shqiptarët

786
Sigal

 INTERVISTA/Flet eksperti për energjinë elektrike Gjergj Simaku, abuzimet e CEZ-it

Eksperti i energjisë elektrike Gjergj Simaku, e cilëson si të qëllimshme shtyrjen për herë të tretë të mbledhjes së Entit Rregullator të Energjisë. Duke folur në një intervistë për “Telegraf”, zoti Simaku përsa i përket rolit të Entit Rregullator të Energjisë, ka theksuar se, roli i saj nuk është aspak i dukshëm. Sipas tij, duhet një protestë e madhe, pavarësisht se, qytetarët e kanë ngritur zërin e tyre, pavarësisht se, grupet e interesit e kanë ngritur zërin e tyre, por nuk u është dëgjuar.

-Zoti Simaku, Enti Regullator i Energjisë, ka shtyrë për herë të tretë mbledhjen për heqjen e licencës së CEZ-it. Si e komentoni këtë, a ka ndonjë gjë të qëllimshme?

-Ajo duket se është e qëllimshme, por puna është se çfarë do ti bëjnë këto CEZ-it? Sepse ai i ka blerë ca gjëra dhe kur them që ai i ka blerë ca gjera e kam fjalën për asete që ai i ka të blera. Enti Rregullator i Energjisë, është një organizëm i varur nga qeveria dhe për mua zëre se nuk ekziston. Ajo merr vendime të varura, jo të pa pavarura. Por edhe po i hoqën licencën në pronën e tij ai ka më shumë fitime sepse do ja japi një firme tjetër për menaxhim pronën e tij kështu që ai përsëri ka më shumë përfitime.

-A e shihni të mundur largimin e CEZ nga Shqipëria, meqenëse ka pasur mjaft pakënaqësi ndaj kësaj kompanie?

-Janë vetëm lojëra fjalësh besoj unë, sepse nuk largohet aq kollaj nga Shqipëria CEZ. Ju duhet të dini që KESH-i në kohën që e kishte shteti nuk i rinovoi licencat sepse nuk i rinovoi Enti Rregullator i Energjisë fare. Kështu që është e kotë që të diskutohet për këtë çështje.

-Qeveria para pak kohësh ka lejuar KESH-in që të marrë kredi, si do ndikojë kjo, a do të ketë ndonjë impakt pozitiv?

-Po KESH, është një shoqëri anonime, ajo është sh.a, po kush i jep asaj kredi? ideja është që KESH-i e blen energjinë nga jashtë dhe pastaj ja faturon CEZ-it. Por problemi është që KESH-i vetë nuk ka kapacitete aq të mëdha sa të mund të plotësojë të gjitha ato kapacitete që duhen për të gjithë konsumatorët e Shqipërisë. Prandaj është KESH, ai që duhet të bëjë blerjen e energjisë dhe më pas t’ja kalojë CEZ-it për shpërndarje dhe CEZ- duhet t’i kthejë borxhin. Por kjo skemë nuk funksionon se kështu është modeli i tregut. Por jemi në një pikë që nuk vërtetohet se ku ka humbur energjia.

-Si i cilësoni abuzimet e CEZ që po bën ndaj konsumatorëve shqiptarë, si abuzimet me faturat, ndërprerja kolektive e energjisë?

-Kjo kompani ka marrëveshje me qeverinë dhe nuk mund ti dalësh dot përpara. I del dot përpara qeverisë? Jo, atëherë dhe kjo është pjesë e qeverisë dhe as kësaj nuk i del dot përpara. Ajo i ka lidhur interesat e veta me qeverinë.

-Çfarë rruge duhet të ndjekin qytetarët për të ndalur abuzimet që bëhen çdo ditë në dëm të tyre nga CEZ-i?

-Qytetarët nuk kanë ndonjë lloj organizimi të posaçëm për ta bërë një gjë të tillë. Por së pari qytetarët duhet të kuptojnë së pari që organizmi që i mbron ato ose mbrojtësi i konsumatorit që është Enti Rregullator i Energjisë, duhet të vendoset mbi një reformë të vërtetë të pavarësisë së tij. Ai nuk duhet të vendoset mbi bazën e konjukturave të tij politike, por mbi bazën e konjukturave ekonomike. Ajo duhet të vendoset në rolin e një kompanie private që funksionon në mënyrë të rregullt mbi bazën e rregullave të tregut kapitalist. Kjo është e para dhe deri sat a kuptojë këtë konsumatori do të jetë shumë vonë mendoj unë. Po ashtu konsumatori shqiptar nuk ka qenë ndonjëherë i organizuar në këtë fushë. Po ashtu edhe shoqëria civile nuk është ngritur ndonjëherë në këtë fushë. I vetmi kontribut që japim jemi ne që mund të themi ndonjë fjalë më tepër, por konsumatori shqiptar nuk e kupton që po abuzohet me ligj. Pra, të gjitha abuzimet që po bëhen janë tërësisht kundër konsumatorit shqiptar. Të tëra ligjet që janë miratuar pa votat e opozitës janë abuzuese dhe nuk kanë konsensusin e popullatës dhe ato janë ligje që janë abuzues. Pastaj po të shkojmë më tutje përderisa Enti Rregullator i Energjisë nuk e mbron këtë konsumator nuk ka kush ta mbrojë tjetër. Nuk ka gjykatë që ta mbrojë, përderisa zbatohet ligji i bërë në mënyrë abuzive. Kështu që CEZ-i e ka të hapur rrugën me një marrëveshje rregullatore 3- vjeçare, duke mos bërë investime në fushën e energjisë. Unë lexova që qeveria do të nxirrte një ligj për të zbatuar një titull ekzekutiv jo vetëm në shitje por edhe në blerje.