Dyfishohet në 20 ditë lejet për punimet në shtëpi

539
Sigal

Lejet për punimet në shtëpi, afati dyfishohet në 20 ditë, emergjencat rishikohen me shkurtim

Të gjithë ata që duan të bëjnë punime në shtëpitë e tyre, kryesisht private, dhe që lidhen me ndërtim shkallësh, rrethime, struktura me materiale të lehta të çmontueshme apo ndryshime fasade, do të duhet të presin deri në 20 ditë për të marrë miratimin nga autoritetet përkatëse. Më herët, ky afat ishte vetëm 10 ditë, por një ndërhyrje e fundit e bërë në rregulloren për zhvillimin e territorit sanksionon në nenin 24 një shtesë afati. “Autoriteti përgjegjës vendos, brenda 10 ditëve pune nga data e dorëzimit të aplikimit për leje ndërtimi me procedurë të përshpejtuar, për rastet: a) e punimeve që kanë vëllim të kufizuar ndërtimi ose impakt të ulët në territor, si:

  • shkallë;
  • rrethime;
  • struktura me materiale të lehta e të çmontueshme;
  • ndryshime fasade etj.
  1. b) kur aplikuesi paguan tarifë aplikimi të barabartë me dhjetëfishin e tarifës së parashikuar për leje ndërtimi” thuhej në rregulloren e vjetër.

Në ndryshimin e ri thuhet se afati kalon në 20 ditë. Aty shtohet edhe një pikë e re, pas pikës një të këtij neni, që thekson se procedura e përshpejtuar jepet vetëm në rastet kur ka emergjenca. “Autoriteti përgjegjës, vendos me procedurë të përshpejtuar, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e paraqitjes së aplikimit në sistemin e-leje, për pajisjen me leje ndërtimi, për ndërtimin, riparimin apo restaurimin e objekteve të dëmtuara, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile. Përjashtimisht, vetëm për këto raste:

  1. A) aplikimet paraqiten për shqyrtim dhe miratim nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve nga ana e Institutit të Ndërtimit;
  2. B) dokumentacioni i vetëm që duhet të dorëzohet nga aplikuesi është:
  3. raporti i hartuar nga komisioni apo struktura përkatëse e emergjencave civile, që vërteton shkaktimin e dëmit si pasojë e fatkeqësisë natyrore;
  4. projekti teknik/konstruktiv i hartuar nga Instituti i Ndërtimit” thuhet në rregulloren e re.

Një tjetër element që ndryshon është dokumentacioni që duhet të paraqitet nga ndërtuesit lidhur me marrjen e certifikatës së përdorimit. Referuar disa ndryshimeve ligjore që kërkojnë sigurim 10-vjeçar të apartamenteve të reja rregullorja ka shtuar se mes një liste të gjatë dokumentesh ndërtuesit duhet të paraqesin edhe policën e sigurimit.