Dyfishohen lejet e ndërtimit në Shqipëri, në 2018-n u dhanë 1194 gjithsej

579
Sigal

INSTAT: Sipërfaqja e lejeve në Tiranë u rrit me 80% vitin e kaluar

Pavarësisht deklaratave të shpeshta nga ana e kryebashkiakut të Tiranës, në fillim të mandatit të tij, se në kryeqytet do të ndalohen ndërtimet dhe nuk do të jepen më leje, sipas asaj që raportohet nga Instituti i Statistikave, numri i lejeve të dhëna për ndërtim është rritur ndjeshëm në vendin tonë, sidomos në Tiranë. Të dhënat e publikuara nga INSTAT bëjnë të ditur se në vitin 2018, në vend janë dhënë gjithsej 1194 leje ndërtimi, me një rritje prej 46% në krahasim me një vit më parë. Niveli më i lartë i tyre ka qenë në kryeqytet, ku për gjithë vitin janë dhënë leje me sipërfaqe prej 940 mijë metra katror, nga 521 mijë vitin e mëparshëm, me një rritje prej 80%. Në total, në Tiranë, për gjithë vitin 2018 u dhanë 388 leje ndërtimi, nga 231 vitin e mëparshëm. Sipas INSTAT, në tremujorin e katërt 2018 janë miratuar gjithsej 360 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 211 leje të miratuara në tremujorin e katërt 2017, duke shënuar një rritje prej 70,6 %. Gjatë vitit 2018 janë miratuar gjithsej 1.194 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 819 leje të miratuara në vitin 2017, duke shënuar një rritje prej 45,8 %. Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja në tremujorin e katërt 2018 është rreth 618.219 m2, nga rreth 197.130 m miratuar në tremujorin e katërt 2017, duke shënuar një rritje me rreth 3 herë. Gjatë vitit 2018, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja është rreth 1.442.783 m2, nga rreth 868.534 m2 miratuar në vitin 2017, duke shënuar një rritje prej 66,1 %. Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike në tremujorin e katërt 2018 është 22,1 miliardë lekë, nga 9,7 miliardë lekë miratuar në tremujorin e katërt 2017. Ky tregues në tremujorin e katërt 2018, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, u rrit me rreth 2,3 herë. Gjatë vitit 2018, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 59 miliardë lekë, nga 49,1 miliardë lekë miratuar gjatë vitit 2017, duke shënuar një rritje prej 20,1 %.