Duhen të bëhet amnistia e parave të “zeza”

190

1 miliard dollarë jashtë Shqipërisë, për 10 vjet, ndërkohë që investimet kanë ngrirë

Organizata jo-fitimprurëse “Global Financial Integrity” me bazë në Uashington publikoi dy javë më parë raportin vjetor mbi largimin e paligjshëm të kapitalit nga vendet në zhvillim. Ky raport analizon të dhëna për 187 vende, ku përfshihet edhe Shqipëria. Sipas raportit, Shqipëria ka humbur rreth 1 miliard dollarë gjatë dhjetëvjeçarit të kaluar, ndërmjet 2-3% të PBB-së.

Paratë jashtë, për të shmangur taksimin

Për një vend si Shqipëria, shuma prej 1 miliard dollarëve, të nxjerra jashtë, nëpër banka të huaja, është një hemorragji fatale, për ekonominë tonë. Të gjitha këto para, së pari, janë para të pataksuara. Kjo do të thotë, që janë para të nxjerra nga biznesi i punëve të zeza, të pataksuara, ku shteti ka humbur miliona dollarë. Dhe, si të tilla, ato, jo vetëm nuk kanë paguar taksën, por edhe nuk janë riinvestuar, duke bërë që ekonomisë t’i shterojnë  të ardhurat. Së dyti, nga kjo shumë 1 miliard dollarë e nxjerrë jashtë, miliona dollarë janë përfituar edhe nga veprimtari kriminale. Por, qindra milionë dollarë janë nxjerrë jashtë Shqipërisë, nga politikanë, që duke abuzuar e shpërdoruar postin dhe detyrën, nëpërmjet korrupsionit.

Duhet të bëhet amnisti për lekët e “zeza”

Qeveria shqiptare, nëpërmjetFMN-së dhe BB-së, do të marrë një borxh prej 1 miliardë dollarë, për 3 vjet, me një interes natyrisht, shumë të rënduar, për mundësitë e ekonomisë tonë. Ky interes i kësaj kredie, mund të bëhet një barrë shumë e vështirë, aq sa, do të jetë  e pamundur, që të shlyejmë këstet, pa bërë fjalë më për kapitalin, për vetë huanë. Atëherë, qeveria e re,  e detyruar nga rrethanat dhe kushtet e ekonomisë tonë, duhet të ndërmarrë një hap të guximshëm politik. Të bëjë amnistinë e parave të “zeza”. Me një qëllim të vetëm. Të lejojë, që cilido që dëshiron, të investojë në Shqipëri, të krijojë çfarëdo aktiviteti biznesi, me qëllim që të hapë vende të reja pune, të shtohen të ardhurat e tatimeve, për aktivitetet e reja të biznesit. Por, ndërkohë, qeveria jonë nuk duhet të pyesë për origjinën e këtyre parave. Këtë praktikë e kanë ndjekur edhe shtete të tjera, sikurse vetë SHBA-ja, shtetet e BE-së, por edhe shtete të vendeve në zhvillim, për një ndërkohë të caktuar kohore.

Stimuli

Amnistia e parave të “zeza”, nëse ndërmerret nga qeveria shqiptare, do të ishte një stimul i madh dhe nxitës për të gjitha ata që i posedojnë me shuma të mëdha këto burime financiare, pavarësisht nga origjina e fitimit. Së pari, shumë posedues, duke i nxjerrë milionat dollarë jashtë Shqipërisë dhe depozituar në banka të huaja, kudoqoftë, janë të rrezikuar. Qindra milionë euro, nga posedues shqiptarë u humbën me krizën bankare në Qipro, pasi asnjë nga këta nuk mund të ankohet, pasi, do të zbulohet. Mirëpo edhe vetë bankat, u bëjnë shantazhe këtyre poseduesve, duke u mbajtur përqindje deri në 50 % të shumës, në këmbim të mosindentifikimit të tyre. Stimuli më i madh, do të jetë, se një amnisti e bërë nga qeveria jonë, do t’i shndërronte këto para të “zeza”, në para të ndershme, duke bërë edhe biznese të pastra, të ligjshme, duke hapur vende të reja pune në Shqipëri dhe duke kontribuar edhe në të ardhurat nga tatimet, nga TVSH-ja, etj..