Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve: Moslëshimi i faturës tatimore gjobitet 100%,

509
Sigal

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi sot se moslëshimi i faturës tatimore, dëftesës tatimore apo  faturës tatimore me TVSH dënohet me gjobë të barabartë me 100% të tatimit të padeklaruar, si rezultat i moslëshimit të faturës, përveç tatimit dhe kamatëvonesave që llogariten dhe paguhen në përputhje me dispozitat e ligjit për procedurat tatimore apo të ligjeve specifike tatimore.

Ndryshimi ligjor parashikon lehtësi për tatimpaguesin, nëse pranon vlerësimin tatimor dhe e paguan detyrimin. Në këtë rast, gjoba zbritet me 30%.

Administrata Tatimore do të kryejë zbritjen e gjobës pas paraqitjes së kërkesës me shkrim, së cilës i bashkëlidhet edhe mandati i pagesës  nga tatimpaguesi pranë DRT-së përkatëse.

DPT sjell në vëmendje se kjo lehtësi zbatohet vetëm për dënimet me gjobë në rastet e kundërvajtjeve në lëshimin e faturave tatimore, dëftesave tatimore dhe dokumentimin e transaksioneve.