Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve: Ja e vërteta e mbledhjes së borxhit tatimor

738
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka sqaruar sot opinionin publik në lidhje me publikimin periodik të listave të subjekteve debitorë.
Sipas saj, “aktualisht numri i subjekteve të publikuar në faqen zyrtare të internetit ëëë.tatime.gov.al, në zbatim të detyrimit ligjor që buron nga neni 91, i Ligjit nr.9920 datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në R.SH”, i ndryshuar si dhe Udhëzimi nr.24 datë 24.09.2008 në zbatim të tij, është 16.080 subjekte”.
“Gjatë fundit të vitit 2013 e në vijim ka ndryshuar rrënjësisht mënyra e administrimit tatimor, duke sjellë një forcim të procesit monitorues të të gjitha funksioneve të Administratës Tatimore. Pjesë e këtij ndryshimi ishte edhe procesi i administrimit të mbledhjes së borxhit tatimor”, thekson DPT në sqarimin e saj.
Gjatë kësaj periudhe, vijon DPT, “u zbulua shuma prej 10.4 miliardë lekë si borxh i paraportuar ndonjëherë. Të gjithë tatimpaguest debitorë me detyrime mbi 1000 lekë, të cilët nuk paguanin në kohë dhe për të cilët vendosej barra siguruese dhe hipotekore filluan të publikoheshin. U pastrua regjistri i tatimpaguesve me mosdeklaruesit, duke ulur efektin e prodhimit të gjobave fiktive dhe të pambledhshme. Nga ky proces janë kaluar në regjistrin pasiv më shumë se 8.000 tatimpagues, kryesisht subjekte të biznesit të vogël, të cilët kishin mbi 10 vjet që nuk deklaronin. Shoqërimi me masat ndëshkuese për korrupsion dhe veprime abuzuese të inspektorëve, kryesisht ata të terrenit bëri që vlera e gjobave të vendosura dhe të gjeneruara nga sistemi informatik tatimor të ulej në masën 30%”.
DPT shton se, “ky proces filloi duke i dhënë efektet e tij nëpërmjet rritjes në mënyrë progresive prej fundit të vitit 2013 e në vijim të numrit të tatimpaguesve, për të cilët ishte vendosur barra siguruese dhe hipotekore. Në 1 tetor 2013 lista e publikuar e subjekteve për të cilat ishte vendosur barrë siguruese dhe hipotekore përmbante 6.043 subjekte. Kjo listë nuk pasqyronte realitetin si në shifra ashtu dhe në vlera”.
Vetëm gjatë vitit 2014, nënvizon DPT në sqarimin e saj, “janë shtuar 6.542 tatimpagues dhe 2.996 të tjerë në periudhën janar – maj 2015. Pjesa më e madhe kësaj liste ishin tatimpagues për të cilët nuk ishte ndjekur asnjëherë ndonjë masë shtrënguese gjatë gjithë periudhës përpara Tetorit 2013”.
“Shkeljet administrative të kryera nga punonjësit e Administratës Tatimore për këto raste janë penalizuar administrativisht si shkak i moszbatimit të detyrimit ligjor për të mbledhur detyrimet e papaguara, ashtu sikundër e kërkon dhe legjislacioni në fuqi”, thekson DPT.
Sipas DPT, “procesi i përditësimit të kësaj liste, duke shtuar apo hequr tatimpagues borxhlinj, ka të bëjë me plotësimin e detyrimit të tyre për t’i paguar borxhet, me komunikimin e institucioneve respektive per lirimin e tyre nga barrat siguruese të vendosura. Evidentimi i tatimpaguesve të cilët janë subjekt i Mbledhjes së Borxhit Tatimor tashmë është një proces që kryhet automatikisht”.
“Administrata Tatimore ka detyrimin ligjor për të përditësuar në mënyrë të vazhdueshme këto publikime. Ajo po respekton me rigorozitet këtë detyrim”, përfundon DPT.
Sigal