Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave urdhër bankave: Denonconi bizneset me dy bilance

749
Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave u ka dërguar 16 bankave në vend një urdhër, ku shprehet se nëse nuk raportojnë rastet kur konstatojnë se subjektet tregtare që kërkojnë kredi kanë balance të dyfishta, oficeri i bankës mban përgjegjësi penale. Për dijeni kjo drejtori ia ka dërguar këtë shkresë edhe Guvernatorit Gent Sejko si dhe drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve, Brisida Shehaj. Ky urdhër drejtuar bankave të nivelit të dytë në vend, ka sjellë brenda pak ditëve një tkurrje të kredisë. Burime për mediat nga ekspertët e këtyre bankave deklarojnë se ky veprim ka ngjallur frikë dhe impakt negativ tek oficerët që merren më dhënien e kredive për bizneset. Sipas tyre urdhri nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave është i nxituar dhe do të pengojë kredi dhënien e re. Ata pohojnë se efekti do të jetë i dyanshëm. Nga njëra anë bizneset do të tremben dhe largohen nga veprimet në sistemin bankar por nga ana tjetër edhe vetë oficerët e bankave do të ngurojnë të japin kredi.

Duke komentuar këtë shkresë të drejtorisë së parandalimit të pastrimit të parave, ekspertët e financave dhe ekonomisë në vend shprehen se bankat në këtë mënyrë do të shtrëngojnë dhënien e kredisë për bizneset. “Mendoj që në vitin e ardhshëm tkurrja do jetë edhe më e madhe sidomos me futjen e penalizimit të oficerit të kredisë sidomos me ato bilancet e teorizuara si të dyfishta. Çdo oficerë kredie përveç kushteve shtrënguese që kanë bankat do mendohet 5 herë përpara se të thotë OK për një biznes. “- deklaroi Dritan Shano, ekspert ekonomie. “Bankat është mirë që me biznese të tilla të jenë shumë të kujdesshme dhe të mos japin kredi sepse një biznes me dy balance që nënkupton mospagesë taksash mopagesën e duhur të taksave ndaj shtetit. Pra një biznes që gënjen shtetin nuk e ka problem të gënjej bankën. Nëse biznesi konstatohet që gënjen qoftë dhe shtetin i bie që të mos jetë një partner i besueshëm për bankën. 

Pra në këtë rast banka duhet për mendimin tim të kenë shumë kujdes dhe të heqin dorë nga kreditimi i bizneseve të tilla.”- deklaroi eksperti Arjan Kadareja. Urdhri vjen si pjesë e aksionit të luftës kundër informalitetit, pas dyshimeve se shumë kompani punojnë me dy balance, një për tatimet dhe një për bankat. Ndërsa kryeministri Edi Rama paralajmëroi disa kohë më parë se kjo gjë do të aplikohej nga bankat në fillim të 2018, Ministria e Financave ka nxituar ta bëjë efektive menjëherë. Sakaq bankat kishin rënë dakord që gradualisht deri në vitin 2018, ato të pranonin vetëm bilancet zyrtare në mënyrë që tu jepej kohë bizneseve të formalizoheshin dhe bankave që të kishin një gjykim më të qartë mbi aktivitetin real të kompanive.
Sigal