Drama e të punësuarve, 200 mijë persona rrezikojnë pensionin

830
Blerina Hoxha

Zh. Preçi, një ish-arsimtare 63 vjeçe, prej dy vitesh rropatet nëpër procese gjyqësore për të fituar të drejtat e plota të pensionit. Për 40 vite rresht, që kur ka mbaruar shkollën e mesme pedagogjike, ajo ka punuar mësuese në një fshat të Tropojës. Gjithmonë e ka dashur punën e saj, edhe për faktin se të ardhurat në pleqëri do të ishin të sigurta, për shkak të garancisë që jep shteti në pagesën e sigurimeve. Por drama ndodhi kur vitet e punës u plotësuan dhe mosha për daljen në pension erdhi. Libreza e mbushur me firma dhe vula nuk pati kurrfarë vlere, pasi në të vërtetë zonjës Preçi i mungonin 7 vite kontribute. Kjo përgjigje nga sigurimet rajonale ka qenë më shumë se një surprizë për të. Nuk pati asnjë mundësi të sqarohej se reforma territoriale ka ridimensionuar institucionet vendore dhe, as personat, as dokumentet nuk gjenden më. Tani ka vetëm dy rrugë: Ose të përfitojë pensionin gjysmak, ose të presë sagën e gjyqeve. “E kam dashur punën në shtet dhe profesionin e mësueses, edhe për faktin se shteti është korrekt me detyrimet dhe se në pleqëri do të kisha pension të sigurt, ndryshe nga moshataret e mia, të cilat kanë punuar në privat. Por bomba më ka rënë kur mora vesh se paratë më janë mbajtur nga rroga, por sigurimet nuk janë paguar. Bëhet fjalë për mospagesa ndërmjet viteve 2000-2010”, thotë më tej ajo. Si zonja Preçi, ka mijëra persona që janë në procese gjyqësore me Drejtoritë Rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërorë për vitet e munguara të punës. 40-vjeçarët e viteve 1990 po hasin në vështirësi serioze për të fituar të drejtat e punës dhe në dijeninë e tyre kanë qenë korrekt me zbatimin e ligjit dhe pagesën e kuotave të sigurimeve. Fenomeni i mospagesave të sigurimeve, që më parë ka qenë një tipar i kompanive private të biznesit deri sa pagesat bëheshin cash jo nga banka, vitet e fundit ka përfshirë institucionet shtetërore. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar në listën e borxhlinjve së paku 63 ente, kompani dhe institucione shtetërore që nuk i kanë paguar sigurimet shoqërore për punonjësit. Deri në fund të vitit 2016, DPT ka gjetur detyrime të papaguara të bizneseve dhe enteve shtetërore në masën e 14,1 miliardë lekë ose 103 milionë euro, vetëm në fushën e sigurimeve. Kjo shumë ishte sa 10% e borxhit tatimor të njohur gjatë vitit të kaluar. Megjithëse tatimet kanë marrë masa për arkëtimin me forcë të detyrimeve tatimore të prapambetura, mbledhja e tyre nuk e zgjidh problematikën personale që kanë punonjësit me vitet e “vjedhura” të punës. Ekspertët në Institutin e Sigurimeve Shoqërore pohojnë se mospagesa e sigurimeve ka qenë një fenomen i përhapur edhe për entet shtetërore, por ISSH vetëm sa administron fondin e pensioneve dhe nuk ka tagër ligjor për t’i dhënë fund kësaj situate dhe as ta riparojë atë. Thjesht Instituti i Sigurimeve nuk mund të azhurnojë pension të plotë nëse sigurimet nuk janë paguar. Për të qenë pjesë e lehtësimit të procesit, ISSH-ja ka ndikuar në miratimin e një VKM-je që autorizonte entet shtetërore të paguajnë sigurimet e plota për punonjësit më të vjetër që më parë nuk i kishin paguar kuotat. Mirëpo edhe kjo masë nuk ka funksionuar. Ndërmarrjet e ujësjellësit, njësitë e pushtetit vendor, ndërmarrje komunale në varësi të pushtetit vendor, drejtoritë rajonale arsimore dhe ato të Shëndetit Publik nuk janë korrekte në pagesën e sigurimeve. Sipas të dhënave nga tatimet janë rreth 200 mijë persona në të gjithë vendin, një pjesë e të cilëve edhe në sektorin publik me sigurime të papaguara.

Rikthehet borxhi ndaj sigurimeve
Ende pa u pastruar borxhet 9 miliardë lekë (66 milionë euro) që qeveria “Rama 1” gjeti si akumulime nga qeveria Berisha në vitin 2014, një mal i ri borxhi ndaj arkës së pensioneve është krijuar në katër vitet e fundit. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka zbardhur në fund të vitit të kaluar një shumë detyrimesh 14.1 miliardë lekësh. Sipas të dhënave zyrtare tashmë të publikuara nga Tatimet, 10.8 miliardë lekë nga totali i detyrimeve ose 77% totalit është krijuar nga viti 2014-2016, teksa shihet se 3.2 miliardë lekë janë të mbaruara para vitit 2013. Siç shihet nga të dhënat, borxhi ndaj arkës së sigurimeve është rritur me ritme më të shpejta vitin e fundit. Vetëm më 2016 u akumuluan 4.6 miliardë lekë detyrime ose 32$ e krejt totalit. Burimet nga tatimet pohuan se një pjesë e madhe e këtyre detyrimeve u përkasin enteve publike dhe pushtetit lokal, pasi për bizneset private janë marrë masa shtrënguese. Nëse bizneset nuk paguajnë në kohë detyrimet për punonjësit, llogaritë bankare të tyre paguhen. Për institucionet shtetërore, puna ndryshon. Llogaritë bankare të ndërmarrjeve të ujësjellësit është vështirë të bllokohen për shkak të funksionit strategjik që kanë në shërbimet ndaj publikut. Toleranca ndaj enteve të shtetit është “zyrtarizuar” pasi shteti presupozohet që të shlyejë detyrimet në një moment të dytë, pasi ka krijuar borxhin. Ekspertët të ISSH pohojnë se ndryshe nga detyrimet e tjera që shtetit mund t’i krijohen nga mospagesa e taksave të tjera, efektet negative që ka borxhi i sigurimeve shoqërore janë të shumëfishta. Dëmi në përfitime në vlerë monetare është shumë më i madh se pagesa e kryer tani dhe, nga ana tjetër, pasojat sociale që u krijohen personave janë të pamatshme. Ndryshimet që janë bërë në ligjin e proceduarve tatimore lejojnë pagesën me këste të detyrimeve të prapambetura të bizneseve. Por kjo praktikë nuk vlen për pagesën e borxheve të sigurimeve shoqërore. “Marrëveshja për pagesë me këste mund të lidhet për detyrime tatimore të vendosura nga administrata tatimore për një vlerësim tatimor të kryer, sipas nenit 68, si dhe për detyrime tatimore të vetë deklaruara nga tatimpaguesi. Përjashtimisht, administrata tatimore nuk hyn në një marrëveshje të pagesës me këste për detyrim tatimor të vetë deklaruar nga tatimpaguesi, i cili është llogaritur, ose mbledhur, ose mbajtur prej tij, përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore” thuhet në ligjin e procedurave tatimore.

Rrezikohet pensioni për 200 mijë persona
Tatimet numërojnë rreth 206 mijë e 104 raste borxhi të krijuara nga mospagesa e sigurimeve deri në fund të vitit 2016, pasi të dhënat e reja nuk janë azhurnuar. Burimet zyrtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve sqaruan se numri i rasteve nuk e përfaqëson numrin e personave që e kanë krijuar borxhin. Çdo biznes, që i është dërguar një njoftim se ka detyrime në formë sigurimesh, numërohet si një rast, po ky njoftim mund të ketë më shumë se një punonjës që nuk i janë paguar sigurimet, sqarojnë Tatimet. Burimet nga ISSH pohojnë se janë rreth 200 mijë persona të prekur nga këto detyrime. Sipas të dhënave të fondit të pensioneve, një shifër e ngjashme të prekurish u zbulua edhe në vitin 2014, ku rreth 250 mijë persona ishin përfshirë nga mospagesa e sigurimeve, kryesisht nga institucionet publike. Ministri i Punës në atë kohë, Erion Veliaj, ndërmori një audit për të zbuluar borxhet e prapambetura ndaj arkës së sigurimeve, ku gjeti 9 miliardë lekë detyrime të papaguara. Që nga viti 2014 kur u ndërmor edhe një amnisti ndaj kamatave dhe gjobave, kundrejt pagesës së principalit, duket se situata nuk ka ndryshuar, madje është përkeqësuar. Vetëm në tre muajt e fundit të vitit 2016 janë shënuar 34 mijë raste të reja që kanë krijuar borxhe. Ligji për Procedurat Tatimore thotë se punëdhënësi ka detyrim ligjor përllogaritjen, deklarimin dhe pagesën e kontributeve, sipas afateve të përcaktuara në ligj.
Listë-pagesa është një deklaratë e subjektit, në të cilën evidentohen kontributet individuale, dhe si e tillë, në mbështetje të Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, tatimpaguesi që nuk lëshon deklaratën tatimore në afat dënohet me gjobë me 10,000 lekë, për çdo deklaratë tatimore të pa dorëzuar. Kështu, nëse bizneset vihen në vështirësi për një periudhë të caktuar, duke mos paguar qoftë edhe për një muaj detyrimin për sigurimin e punonjësve, gjoba është e lartë. Kur bizneset dhe entet e tjera bëhen likuide dhe nisin të paguajnë, tatimet i arkëtojnë këto detyrime si gjoba dhe kamata, teksa principali mbetet shpesh i akumuluar, duke i dëmtuar në këtë mënyrë direkt punëmarrësit dhe pensionin e tyre.
Sigal