Dr. Vladimir Mici/ A mund të menaxhohet Armo?

934
“Nuk është protesta e parë dhe realisht problemi është më i thellë. Problemi fillon që tek privatizimi, një privatizim i dështuar. E kemi thënë edhe më pare, se u shit një aset strategjik në duar të gabuara, u falimentua dhe u mbyt me qindra milionë euro borxhe. Tashmë është një kompani private e cila ka falimentuar. Një shitës spekulant ja rishiti disa të tjerëve. Investitorët e rinj nga Azerbaxhani dështuan pasi patën edhe problemet e tyre në Azerbajxhan. Publiku duhet ta dijë se po flasim për një aset që është ndërmarrje private dhe është si çdo ndërmarrje tjetër private e cila falimenton. Patjetër, interesi është i madh për shtetin pasi është një aset strategjik, rafinimi është shumë i rëndësishëm për ekonominë e vendit. Prandaj dhe ne kemi ndërmarrë çfarë kemi patur mundësi, qoftë edhe një vit më parë, për të garantuar furnizimin me naftë bruto. Qoftë për të parë mundësinë, bashkë me bankat pasi jemi duke diskutuar edhe me bankat, për të gjetur një formë ristrukturimi, por që i takon sektorit privat pasi janë bankat private që kanë hyrë në borxhet e kësaj kompanie. Janë Tatimet dhe Albpetroli që janë borxhlinj më të mëdhenj por të shikohet çfarë mund të ristrukturohet. Është e kotë ti kërkosh qeverisë një gjë që e kishte qeveria e mëparshme, e shiti ‘batjava’, e shiti në duar të gabuara dhe faturën ja la kësaj qeverie. Nuk ke si ta bësh rishtetëzimin, sepse aty janë të përfshira shumë banka. I bie të futesh në një cikël krize të të gjithë sistemit bankar. Ajo çfarë po bëjmë ne si qeveri është se po shikojmë mundësitë që përmes bankave të bëhet një ristrukturim i kësaj ndërmarrjeje. Kuptohet, edhe shteti të shohë çfarë mund të heqë dorë ndonjë gjë, por realisht është një proces jashtëzakonisht i vështirë. Disa bëjnë paralelizëm me rastin e kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike por nuk është njësoj. Në rastin e kompanisë së energjisë ishte një aset unik që është energjia e vendit dhe është e pamundur që të shkojë në falimentim. Në rastin që flasim, kemi të bëjmë me një ndërmarrje private e cila falimentoi dhe kjo është situata”.
Duke komentuar konkluzionet e ministrit del:
1- Kjo qeveri nuk mban asnjë përgjegjësi për bëmat dhe kostot e qeverive të kaluara, pavarësisht se ato ishin qeveri legjitime. Pra është kryer nga qeveria një privatizimi i gabuar.
2- Shteti po shikon mundësinë e ristrukturimit të saj, por jo mundësinë e shtetëzimit, pasi kjo do të sillte një cikël krize në sistemin bankar.
3- Humbjet që ka Albpetrol, Tatimet, Doganat dhe OSSHE janë më të vogla se ato ndaj Bankave.
4- Asnjë fjalë për pagat e punonjësve të kësaj shoqërie.
5- Asnjë fjalë për keqadministrimin dhe monitorimin shtetëror të kësaj kompanie.
6- ARMO është një kompani private dhe pronarët Azer u larguan, sepse kishte probleme në Azerbajxhan.
Pra nuk gjeti arsye, se pse këta punonjës protestonin, pse kërkonin pagat e tyre, kërkonin të drejtën për punë, kërkonin që KPTHN të menaxhohej, që atyre tu mundësohej marrja e pagës dhe tu garantohej vendi i punës. Këtë ministri se tha dhe se bëri sepse ARMO nuk ishte e njëjtë me OSSHE. Pra ishte zgjedhja më e mirë mbrojtja e bankave se punonjësit. Por në mendimin tim deklarimi është i gabuar dhe më duket se implikohen gjërat qëllimisht.
Logjika e fakteve
Nuk dua të bëj avokatin e punonjësve, por do të përdor logjikën e fakteve për të denoncuar atë që nuk u shpreh apo nuk duhej ta dinin mediat.
A – Së pari borxhi i ARMO-s është krijuar nga bankat në kushtet e një keq menaxhimi bankar dhe për këtë bankat duhet të marrin kostot që meritojnë. Vlerësohet se dhënia e kredive të bankave ndaj ARMO-s është bërë në kushtet jashtë garancisë së kthimit të tyre dhe në kushtet kur interesat e huas të ishin mbi kapacitetet fituese të Kompanisë dhe në kushtet e mungesave të analizave të riskut. Shtimi i vazhdueshëm i huadhënies nga bankat ka vijuar qëllimisht, për ta fundosur në funksion të rishtetëzimit të saj, (pra duke luajtur me faktin e të qenit ndërmarrje me karakter strategjik, paratë e tyre ishin të garantuara nga shteti). Ato thjesht përfitonin nga dhënia e kredive me interesa të mira. Kjo analize më jep të drejtën që bankat të marrin kostot që meritojnë. Asnjëherë autoriteti mbikëqyrës nuk ka kontrolluar lëvizjen e parave dhe interesave të paguara nga ARMO drejt bankave (në analizën kryq, pra pagimit të principalit në fund të një periudhe dhe rifillimit të një periudhe tjetër kreditimi), por thjesht ka ndodhur kapitalizimi i interesave çdo tremujor si shtesë e huadhënies. Pra bankat kishin instrumentet e tyre të kontrollit të huas. Ato i anashkaluan ato dhe ndaj bankave përkatëse duhet të ushtroheshin sanksione nga mbikëqyrja financiare. Një gjë e tillë nuk ndodhi. Kjo pastaj u shoqërua me rritje të shpejtë të kredive të këqija, ku këto shoqëri tashmë e kanë bërë, duke kryer provizionimin e tyre. Fakti që ato kanë bërë provizionimin e tyre ato praktikisht kanë ulur fitimin, pra edhe pjesën tatimore, në formën e tatim fitimit dhe tatimit mbi dividentit. Nëse do të bashkohen nëpërmjet kontrollit të mbikëqyrjes shkalla e gjobave për shkeljen e rregullave të kredidhënies, shkallës së kalimit në provigjione, shkallës së tatim fitimit të paguar për shkak të provizionimit dhe tatimit mbi dividentin shkalla e detyrimit ndaj bankave është pothuaj minimale pavarësisht deklarimit. Para nuk ka kolaps bankar, por thjesht likuidim i kredive të këqija. Aktualisht ato nuk kanë shanse të rikuperojnë asnjë gjë me kushtet që ofron ministri. Nëse do të kishte një shans për to ato duhet të kalonin mbi trupat e punonjësve, që gjëja e parë që do të bëjnë do të jetë zaptimi dhe shkatërrimi i uzinave.
Praktikisht kompania është në duar të shtetit
B- Pronari shtet kishte 15% të aksioneve ashtu edhe sikurse i ka sot, dhe n.q.s është sikurse është deklaruar që Azeret kanë falimentuar, atëherë ç’dreqin do në rafinerinë e Fierit, Ballshit dhe kudo ku shtrihet ARMO, përfaqësuesi Azer Zali. Praktikisht kompania është në duar të shtetit, i cili duhet ta administrojë dhe jo shkatërrojë atë duke e lënë pa ruajte dhe në gjendje degraduese. Rojat e vendosura nga Albpetrol janë në kushtet e sekuestros. Pra Kompania është aktualisht në duart e shtetit, sepse duke qenë se një pronar jep dorëheqjen këtë duhet ta bëjë edhe tjetri, që në këtë rast është minoranca që quhet shtet. Por shteti ska deklaruar se nuk i do aksionet e veta. Por çfarë ka bërë ky shtet nëpërmjet përfaqësuesve të vet. Ministria pronare e di, që kur kompania merr apo vendos për të marrë hua dhe kjo kalon një sasi ta caktuar, duke ndryshuar strukturën e kapitalit duhet të mblidhet asambleja, e përfaqësuar nga ministri pronar, që në këtë rast është Ministri i ekonomisë. A e di Ministria e linjës ( Z. Gjiknuri) se çfarë vendimesh ose opinionesh ka dhënë përfaqësuesi i ministrit të ekonomisë në asamblenë e pronarëve me rastin e huas në vitin, kur ministër ishte Z. A Ahmetaj. Vendimi i pronarit shtet ishte abstenim, pra nuk u shpreh pro apo kundër huas prej rreth 32.5 milion euro, dhe kur punonjësit ishin në negociata me kompaninë dhe zvministrin e linjës për pagat e tyre. Dhe kur? Kur kompania sapo e kishte blerë ARMO-n me gjithë borxhe. N.q.s kjo kompani kishte burime, ku ishin burimet?. Burime me shtim borxhi mbi borxhin, duke u bërë ai i papërballueshëm dhe pronari shtet hesht apo bën sikur nuk di gjë apo është indiferent është përgjegjësi e dyfishtë. Pra gabohet kur thuhet që ARMO është kompani private. Ajo është kompani, ku shteti ka 15% aksione dhe ka qenë vendimmarrës në të gjitha huat e marra prej bankave. N.q.s Shteti donte të parandalonte huamarrjen e pakontrolluar të kompanisë dhe ajo s’kishte fuqi për të ndryshuar vendimin e shumicës ajo mund dhe duhej bërë indirekt edhe nëpërmjet kontrollit ndaj bankave të gatshme për të përdorur paratë e shqiptarëve të ndershëm në mënyrë të pandershme. Por edhe kjo nuk është bërë. Kjo e shton përgjegjësinë.
Ministria e linjës
C- Ministria e linjës ka përgjegjësi për sa i përket politikave të kësaj industrie, dhe jo të deklarojë se përpunimi i naftës është lënë në duart e privatëve dhe ata bëjnë ç;duan . Sepse ata mund të bëjnë ç’duan me pronën sa kohë ajo nuk prek rendin shoqëror dhe social , nuk shkakton eksternalitete negative. Krijim i eksternaliteteve negative që lidhen me standardin e jetesës së banorëve, kufizimin e arsimimit, mundësinë e punësimit e mbrojtjes sociale, atëherë ministria ka përgjegjësi. Ky ka qenë edhe shkaku që ARMO nuk u privatizua 100% por shteti vendosi të kontrollojë çdo vendimmarrje që mund të shkaktonte ekstrenalitete negative. Ashtu sikurse aktualisht po ngjan dhe me të drejtë ministri Gjiknuri e konsideron privatizim të dështuar.
Ne jemi një shoqëri demokratike
D- Ne jemi një shoqëri demokratike, ku qeverisja vjen nëpërmjet konkurrimit të ideve dhe për pasojë rotacionit të pushteteve. Çdo pushtet largohet me votë sepse ai gabon dhe për pasojë krijon kosto, të cilën qeveria pasardhëse zotohet ta ndreq, përmirësojë dhe të vendosë vizionin e saj. Sipas kësaj logjike, Kryeministri Rama ka bërë gabim që morri përsipër borxhin “e pandershëm” të krijuar nga qeverisja e partisë demokratike, zbatoi vendimet gjyqësore të krijuar nga vendimet e gabuara të krijuar nga qeverisja e partisë demokratike. Ai duhet ti linte pa paguar, sepse ajo erdhi për shkak vendimeve të gabuara nga qeverisjet e kaluara. Ky është nonsens deklarate. Kjo i bie që për vendimet e gabuara të këtij ministri apo qeverisë aktuale qeveria e ardhshme të mos i njohë detyrimet. Kjo më jep të drejtën që deklarata në rastin më të mirë ka qenë e papërgatitur për t’ju përgjigjur interesit të medies. Por ministria duhet të përgjigjet, pse s’ka kryer detyrën e tij për të zhvilluar këtë sektor. Ti japësh ndihmë një kompanie duke i ofruar naftë pa para me qëllim pagimin e pagave të punonjësve dhe pa marrë përgjegjësinë e menaxhimit të saj, kjo përbën gabimin e dyfishtë. Dua të zgjatem në këtë temë për faktin se në themel të kësaj teze unë kam një opinion tjetër ndryshe nga ai i deklaratës. Përse e them këtë. Në momentin që shteti vendos të ndihmojë një kompani në vështirësi vendos disa piketa kufizuese sikurse janë ato të shpenzimeve të kontrolluara.

A- Në drejtim të shpenzimeve operative, duke kufizuar në maksimum shpërblimet.
B- Duke kontrolluar dhe ulur pagat fillimisht të drejtimit të kompanisë dhe duke emëruar një administrator apo këshilltar për të verifikuar në terren nivelin e pagave të drejtuesve, shpenzimeve që ata kryenin. Nëse kjo s’mjafton atëherë edhe ato të punonjësve.
C- Duke ndërtuar dhe monitoruar një buxhet strikt
D- Likuidimin e detyrimeve që lidheshin me tatimet dhe bankat sipas një skede të caktuar.
Ajo çfarë më rezulton është se pikërisht në këtë periudhë kur pretendohet se është dhënë ndihmesë, pikërisht në këtë periudhe pagat e stafit drejtues kërcyen në mënyrë të frikshme ( po marr shembull administratorit të përgjithshëm nga 900,000 në 2.8 milion leke) . Pikërisht në këtë periudhë borxhet e trashëguar dhe të quajtur problematike nga vetë Bankers u ulën dhe në harkun e një viti u eliminuan ( flitet mbi 10 milion euro)[1]. Kjo më jep të drejtën të them minimalisht, ju nuk keni ndihmuar kompaninë, punonjësit dhe shtetin por pronarët, të zhvatin. Pra zoti ministër ke përgjegjësi edhe nëse ke pezulluar tatimin mbi këtë kompani pra ti ketë blerë këtë naftë me paratë e veta. Pra që në këtë moment ARMO duhet të ishte nën administrimin shtetëror dhe jo Azerët të bënin një dorë para të tjera. Kompania Azere nuk erdhi nga hiçi dhe shkoi në iç. Fakti që u pranua si blerës do të thoshte se ajo kishte garanci financiare disa vjeçare dhe jo të kërkonte hua menjëherë.

Natyrisht që ka zgjidhje. Nga llogaritjet minimale, që kam bërë më rezulton si më poshtë.

1. Ose kërkohet që nafta bruto e Albpetrolit të jetë një mjet për të shtuar fitimet e paligjshme nëpërmjet ankandeve të paracaktuar. Këtu lëvizin në shifra nga 1 deri 4 milionë euro për ankand.
2. Nuk ka interes të përpunoni naftën në Shqipëri, sepse interesi është të merret e gatshme nga jashtë, duke mos furnizuar peshkimin dhe bujqësinë apo ushtrinë me karburante made in Albania. Nuk duhet të preken interesat oligopoliste të kompanive që importojnë karburante në Shqipëri dhe që mund të kryejnë evazion fiskal qoftë me mosdeklarim apo tranzitime fallco.
3. Nafta bruto e prodhuar në Shqipëri të eksportohet nga kompanitë, duke përdorur transferimin e çmimit. Pra në esencë Shqipëria të vijojë të zhytet në Borxhe dhe në zhvlerësime monedhe, duke e bërë veten një Greqi të ardhshme.(standardit të Greqisë i marrim të keqen)

A mund të menaxhohet ARMO ?

Sigurisht, që po, por koha po mbaron, sepse specialistët e kësaj industrie po plaken dhe n.q.s për tre apo katër vjet vijon kjo situatë, atëherë kjo industri nuk vihet më në punë. Nuk ka përgatitje të reja sepse të rinjtë shohin përditë degradimin e saj dhe jo të ardhmen e saj. Është koha për të vendosur me akte të sinqerta për të zhvilluar këtë industri. Nëse kjo kompani vihet në punë ajo garanton minimumin e evazionit fiskal. Po ju kujtoj një fakt nga viti 1997 kur kjo kompani punonte normalisht së bashku me Albpetrolin. Prodhimi i Albpetrolit arriti në 250 mijë tonë në vit dhe fuqia punëtore ishte 12,000 mijë. Pas tre muajsh punë, pas zgjedhjeve të qershorit, humbjet apo vjedhjet u ulën nga 27% në 5% dhe pagat filluan të merreshin normalisht dhe në vitin 2003 Armo kishte shlyer çdo detyrim edhe pse kishte blerë apo kishte kontrata të çuditshme. Ajo shleu çdo detyrim ndaj Buxhetit të shtetit dhe sigurimeve shoqërore, përfshi edhe ato të vitit 1994 të Albetrol sha, dhe financonte KESH-in. Por kjo bëhej vetëm n.q.s gjërat bëhen mirë dhe dëshirën e mirë politike. Në kushtet e sotme me këtë prodhim koha e rikuperimit do të jetë akoma më e shpejtë dhe ekzistojnë edhe kushtet për një rikuperim cilësor edhe të cilësisë së naftës dhe nënprodukteve të tjera. Por kjo bëhet e mundur kur tre pikat e mësipërme të eliminohen. Kjo më bën të mos ndaj të njëjtin mendim me deklaratën e ministrit dhe të jem në anën e punonjësve.
Sigal