Dr. Pintuçi: Shqipëria, me ndryshimet e fundit, joshëse për të thithur investime

763
Sigal

INVESTIME/ Sipërmarrësit italianë në takime me institucione dhe përfaqësues të biznesit shqiptar

Së fundmi Shqipërinë e vizitoi korporata industriale e Barit “Impresa piu impresa” në kuadrin e krijimit të mundësive për bashkëpunim midis biznesit shqiptar dhe atij italian. Kjo sipërmarrje bareze është shoqëruar nga Dr. Nicola Pintuçi, ish -konsull “Nderi i Italisë” në Shqipëri, i cili ka 23 vjet që vazhdimisht sjell grupe biznesi të fushave të ndryshme për bashkëpunime me institucionet dhe kompanitë private në Shqipëri. “Kërkoj që italianët ta njohin Shqipërinë, ashtu siç unë e njoh. Kërkoj vazhdimisht që sipërmarrës nga Italia të vijnë e të investojnë në Shqipëri. Sidomos tani, me ndryshimet e fundit, terreni është më i përshtatshëm për të bërë biznes”, u shpreh për “Telegraf”, Dr. Pintuçi. “Jemi bërë bashkë 10 kompani sot, të shoqëruar nga Dr. Pintuçi dhe kemi ardhur në Shqipëri për të njohur disponibilitetin e politikës sipërmarrëse në Shqipëri për të eksploruar mundësinë, bashkërisht ose individualisht për të investuar në Shqipëri në sektorët e ndërtimit, turizmit, industrisë metalike, arredimit, ekologjisë, bujqësisë etj., si objektivë të tillë do kalojmë nga hapja e menjëhershme e një zyre përfaqësie në Tiranë”, shprehet për “Telegraf”, Paolo Bevilacqua, Presidenti i Shoqatës Industriale Bareze. Të gjithë sipërmarrësit barezë kanë kryer një sërë takimesh me institucione dhe kompani private shqiptare. “Jemi pritur nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, z. Arben Ahmetaj si dhe nga Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z. Nikolin Jaka. Të dy na demonstruan gatishmërinë e tyre për të na u gjendur në iniciativat tona, që mendoj se, shumë shpejt do të konkretizohen”, u shpreh z.Bevilacqua. Ndërsa Nikolin Jaka në takimin me sipërmarrësit italianë u ofroi atyre mbështetje nga Dhoma e Tregtisë e Industrisë Tiranë, ku ndër të tjera ai theksoi se, “tregu shqiptar deri dje ishte orientuar në tregun e lirë (me çmime të lira), kurse vitet e fundit po fut një mall cilësor, ku Italia i ka të gjitha mundësitë që tani të bashkëpunojë me tregun shqiptar”. Ndër takimet e radhës së sipërmarrësve barezë, në kuadrin e bashkëpunimit të biznesit shqiptar me atë italian, ishte dhe takimi me Presidentin e Biznesit Shqiptar, z.Luan Bregasi. Ndërsa sot sipërmarrësit italianë janë nisur drejt Jugut të Shqipërisë për takime me përfaqësues të biznesit atje, nën shoqërinë e deputetit të zonës, z.Fatmir Toçi.

Çfarë përfaqëson “Impresa piu impresa”

Partneriteti “Impresa piu impresa” i kompanive industriale të Barit ka lindur rreth një vit më parë, me iniciativën e 60 bizneseve të fushave të ndryshme, me idenë për të ndarë njohuritë dhe eksperiencat e tyre, për të krijuar mundësinë e të bërit biznes. Ky partneritet punon në rritjen e tij ditë për ditë në numrin e partnerëve të biznesit. Tashmë, pjesë e planeve të tyre në investime është bërë dhe vendi ynë.

 Jaka kërkesave të FMN-së: Ja zgjidhjet që ofron komuniteti i biznesit

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, zoti Nikolin Jaka pati dje një takim me ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilët janë në Shqipëri që prej datës 19 shtator. Takimi i kërkuar nga ekspertët kishte qëllim informues rreth situatës së sipërmarrjes në vendin tonë, si dhe  zgjidhjet që afron komuniteti i biznesit për rigjallërimin e ekonomisë.

 Ministri Ahmetaj: Nxitja e investimeve të huaja me rëndësi për Shqipërinë 

Ministri për Zhvillimin Ekonomik, Tregtinë dhe Sipërmarrjen (MZHETS),  Arben Ahmetaj, i pranishëm në konferencën e mbajtur në Budapest nga organizmi ‘Iniciativa e Europës Qendrore’, theksoi rëndësinë që ka për Shqipërinë nxitja e investimeve të huaja. Konferenca, që kishte në fokus menaxhimin e krizës dhe themelet për zhvillim në të ardhmen,  mblodhi ministrat e ekonomisë së vendeve partnere, për të forcuar më tej lidhjet në kuadër të strategjisë për bashkëpunim të huaj ekonomik. Ministri Ahmetaj shpjegoi rëndësinë që luan dikasteri që ai drejton në hartimin e një strategjie të zhvillimit ekonomik, e cila sipas tij, do të krijojë edhe kuadrin e duhur institucional dhe financiar për t’i dhënë SME-ve mbështetje thelbësore. Ahmetaj sqaroi mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm rajonal, në kuadër të CEFTA-s. Ai shpjegoi se zbatimi sa më i plotë i detyrimeve në këtë organizatë është i lidhur ngushtë me dinamikën dhe procesin e integrimit europian, sidomos për vendet e Europës Juglindore. Gjatë vizitës së tij në Budapest, ministri Ahmetaj u takua dhe me përfaqësues të disa kompanive hungareze në fushën e naftës, gazit, etj. Organizmi ‘Iniciativa e Europës Qendrore’ përbëhet nga 18 shtete partnere. Ai u ngrit pas ndryshimit të regjimeve diktatoriale në Europën Qendrore dhe Lindore, me qëllim forcimin e dialogut dhe krijimin e një partneriteti dhe koordinimi politik, ekonomik dhe kulturor.

 FMN diskuton reformën në Sigurimet Shoqërore dhe pensione

Përfaqësuesit e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar vijuan të mërkurën takimet më drejtuesit e drejtorive kryesore të ministrisë së Financave. Sipas burimeve, takimet e djeshme me Drejtues të Programimit të Buxhetit kishin në fokus reformën në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve. Gjatë javës, takimet u zhvilluan edhe me drejtues të Menaxhimit të Borxhit Publik, ku u diskutua mbi strukturën e borxhit të brendshëm, që përfshin edhe faturat e papaguara për kompanitë e ndërtimit, por edhe të shërbimeve. Gjithashtu është diskutuar mbi treguesit e buxhetit 2013 deri më tani, ndryshimet që pritet t’u bëhen treguesve fiskalë të këtij buxheti dhe objektivat e hartimit të projekt-buxhetit 2014. Përfaqësuesit ë FMN, kanë vlerësuar se borxhi publik është rritur në përmasa shqetësuese, ku problem përbëjnë detyrimet e prapambetura ndaj bizneseve. Për gjithë vitin, kufiri i huamarrjes së brendshme, i parashikuar në buxhetin 2013, është në vlerën 27.4 miliardë lekë, ndërkohë vetëm për 8 muaj janë marrë rreth 23.4 miliardë lekë. Vitet e fundit qeveria është fokusuar më tepër në marrjen e borxhit në tregun e brendshëm, kjo ka ndikuar dhe nga kushtet jo të favorshme dhe interesat shumë të larta që ofrojnë tregjet financiare ndërkombëtare. Në fund të vizitës së tyre 8 ditore, pritet të mbahet një konferencë e përbashkët për mediat e përfaqësuesve të FMN, ministrit të Financave dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

 Ekonomia nën potencial, norma interesit e pandryshuar

Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në nivelin 3.5 për qind. Guvernatori Ardian Fullani në konferencën e përmuajshme për shtyp tha se, rritja e ekonomisë vazhdon të jetë nën potencialet e saj, ndërsa do të ketë rritje të borxhit publik në fund të 3-mujorit të dytë të vitit. Ai theksoi se gjatë muajit gusht ka pasur një rënie të shpejtë të inflacionit vjetor në nivel 1.2 %, ndërsa ecuria e çmimeve të konsumit reflekton kërkesën e ulët në ekonomi dhe hendekun negativ të prodhimit. Sipas guvernatorit ecuria e sektorit privat është ende e dobët, ndërsa ka pasur tkurrje të deficitit tregtar të shkaktuar nga rritja e lartë vjetore e eksporteve.