Dr. Bujar Leskaj: Auditimi i buxhetit të shtetit

750
Sigal

Struktura adituese në dikastere, nën presionin e titullarëve
të tyre

Deficiti i Përgjithshëm i Buxhetit të Shtetit

 Në treguesit fiskalë të vitin 2015 rezulton se është
respektuar “rregulli i artë”, pra deficiti në fund të vitit, nuk ka tejkaluar
shpenzimet kapitale, madje nga auditimi i ecurisë së këtij zëri , kemi
konstatuar një reflektim për të ulur nivelin mjaft të lartë të deficitit të
rezultuar gjatë vitit 2014. Gjithashtu, një tregues i rëndësishëm i deficitit
është raporti i tij ndaj PBB-së, për të cilin konstatohet se ka një përmirësim
të situatës krahasuar me vitet 2013 dhe 2014. Pavarësisht sa më sipër, duhet
treguar kujdes në cilësinë e raportimit të shpenzimeve kapitale, pasi një
raportim i cënuar i tyre, sikundër u përmend më sipër, riskon të cënojë
“rregullin e artë” në vetvete.

Menaxhimi i borxhit publik

Nga auditimi i nënhuave, garancive shtetërore dhe huamarrjen
vendore, u kostatua se: – Stoku për kreditë ekzistuese ka arritur në masën 507
milionë euro. Rreth 50% e shumës së investuar në sektorin publik nëpërmjet
skemës së nënhuazimit i përket sektorit të energjisë, rreth 32% i përket
sektorit të ujësjellësve dhe rreth 18% janë në sektorët transport, mikrokredi
dhe për qëllime sociale. Stoku i nënhuasë krahasuar me të njëjtën periudhë të
vitit të kaluar rezulton i rritur në rreth 79 milion euro. Për vitin 2015 nga
rreth 4,245 milion lekë që duhet të ishin hyrjet nga nënhuaja (ripagesat
principal dhe interesa), janë arkëtuar vetëm 1,222 milion lekë, ose 29% e
planit të arkëtimeve, me një impakt në buxhet prej 3.023 milion lekë të ardhura
të munguara.

Organizimi dhe funksionimi i auditimit të brendshëm dhe
menaxhimit financiar

Megjithë vlerësimin lidhur me përpjekjet për të përafruar
legjislacionin me praktikat më të mira europiane, konstatojmë se mënyra e
zgjedhur për të rregulluar auditimin e brendshëm në sektorin publik, nuk është
në unison me kulturën e drejtimit dhe mjedisin shqiptar ku vepron ky audit.
Gjykojmë se kërkesat në ligjin e ri për auditimin e brendshëm në sektorin
publik reflektojnë minimizim të rolit të strukturave përgjegjëse të auditimit
të brendshëm në luftën ndaj krimit ekonomik dhe korrupsionit, pavarësisht se ka
shumë nevojë për këtë rol nisur nga niveli i lartë i korupsionit në Shqipëri. Por
kjo frymë e ligjit nuk është në unison me kulturën e drejtimit në institucionet
publike në Shqipëri. Mungesa e kulturës drejtuese bën që strukturat e auditit
të brëndshëm,  në varësi të
drejtpërdrejtë të titullarit nuk qëndrojnë dot jashtë ndikimit të tij apo të
strukturave të tjera të menaxhimit të lartë të njësisë publike që bëjnë
rekrutimin. Kjo situatë mbart riskun që strukturat audituese në çdo kohë mund
të cënohen dhe të ndikojnë në objektivitetin e procesit e veçanërisht në
planifikimin dhe realizimin e shërbimeve të auditimit. Sipas ligjit të ri,
njësive ekzistuese të auditimit të brendshëm, në referencë të nenit 13, është
futur koncepti i “Komiteti i Auditimit të Brendshëm”, i përcaktuar si:
“Komiteti i Auditimit të Brendshëm është organ i pavarur, monitorues e
këshillues për titullarin e njësisë publike, si dhe mbështetës për NJAB”,
pavarësia e të cilit është e sanksionuar, por nuk cilësohet dhe argumentohet
mënyra se si kjo sigurohet fillimisht e garantohet në vazhdimësi. Nga auditimi
konstatohet se, nga një numër i konsiderueshëm i titullarëve të njësive të
qeverisjes së përgjithshme nuk është siguruar shërbimi i auditimit të brendshëm
në njësitë e tyre, pasi në njësinë përgjegjëse për AB në Ministrinë e
Financave, për Planin Strategjik 2016-2020, kanë raportuar treguesit e tyre
vetëm 99 NJAB dhe për realizimin e programit të auditimit të brendshëm për
vitin 2015 kanë paraqitur raportet e tyre 103 NJAB dhe nuk ka informacion se si
është organizuar ky shërbim në mbi 70 njësi publike. Për këtë mbajnë përgjegjësi
titullarët e njësive publike, por nga ana e Ministrit të Financave, si
përgjegjës për bashkërendimin e përgjithshëm, harmonizimin dhe monitorimin e
veprimtarisë së AB në njësitë e sektorit publik, përgjegjësi mbart edhe njësia
përkatëse për harmonizimin e AB në Ministrinë e Financave, që zhvillon,
administron dhe zbaton strategjinë e harmonizuar në fushën e ABP, si dhe e
monitoron këtë veprimtari në nivel kombëtar. Të gjitha palët sa më sipër duhet
të gjejnë formën e duhur që ky shërbim tepër i rëndësishëm, i cili jep
mbështetje për titullarin në arritjen e objektivave të njësisë, të organizohet
në njërën nga mënyrat e përcaktuara me ligj, nga të gjitha njësitë e qeverisjes
së përgjithshme të përcaktuara në nenin 3, të këtij ligji. Nga 99 NJAB që kanë
paraqitur planet strategjike dhe vjetore janë evidentuar 1,596 objekte për t’u
audituar, ose 252 objekte më pak se ato të planifikuara për vitin 2014 ndërsa
për vitin 2016 janë planifikuar 1,637 auditime. Për kryerjen e këtyre
auditimeve në këto njësi janë angazhuar 364 auditues të brendshëm, të cilët
kontatohet të jenë rreth 3 herë më shumë në numër, krahasuar me audituesit e
KLSH. Po kështu, vlen të theksohet se në fushën e auditimit publik angazhohen
edhe ekspertë kontabël të cilat auditojnë pasqyrat e shoqërive aksionare
publike. Këta ekspertë, në vlerësimin paraprak që KLSh ka bërë përmes auditimit
të performancës në proces, kryejnë një auditim ineficient, duke u paguar në
shuma mjaft të mëdha monetare për të njëjtën punë rutinore që shoqëria aksionare
i kontrakton, madje jo përmes procedurave normale të prokurimit publik. Së
fundmi, KLSH thekson se një audit i brendshëm me pozita solide e profesionale
është një vlerë e çmuar edhe për auditimin e jashtëm publik. Forcimi i
strukturave të Auditit të Brendshëm merr rëndësi esenciale edhe për punën tonë
si auditues të jashtëm. Një punë e mirë e auditimit të brendshëm përkthehet në
evidenca më të besueshme, të mjaftueshme e rilevante për audituesit e KLSH,
duke u bërë kështu burim i vlefshëm informacioni dhe duke na dhënë më tepër
mundësi të fokusohemi në auditimet e performancës, si auditime më të thelluara
në ekonomicitetin, eficiensën dhe efektivitetin e përdorimit të fondeve
publike, apo në auditimet financiare të cilat kërkojnë ndër të tjera sisteme të
konsoliduara të auditit të brendshëm, mbi të cilat të mbështeten.

Auditimi i Institutit të Sigurimeve Shoqërore

Me gjithë përpjekjet dhe punën e mirë të evidentuar gjatë
këtij viti në administrimin e kujdesshëm të sistemit të sigurimeve shoqërore, u
konstatuan përsëri problematika që kanë ndikuar negativisht në treguesit
financiar dhe në qëndrueshmërinë fiskale të këtij sistemi. Edhe pse rezultati i
vitit 2015 ka qenë me fitim në shumën 1,320 milion  lekë, përsëri financimi nga buxheti i
shtetit, me qëllim balancimin e buxhetit të përgjithshëm të sigurimeve
shoqërore, ka vijuar të mbetet tepër i lartë.