Dogana aplikon procedurën e thjeshtuar të deklarimit, ja lehtësirat

728
Sigal

TIRANE– Dogana shqiptarë ka nisur sot për herë të parë aplikimin e procedurës së thjeshtuar të deklarimit, në kuadër të krijimit të lehtësirave për biznesin. Në ambientet e një kompanie u bë sot aplikimi i parë i kësaj procedure. Në këtë pilotim ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, Ministri i Financave Shkëlqim Cani, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj dhe Drejtorja e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali.
 
Gjatë këtij aktiviteti, është ilustruar edhe mënyra se si realizohet e gjithë procedura e zhdoganimit të mallit, “i cili pas futjes në pikën kufitare tashmë nuk shkon më në ambientet e doganës, por drejt e në magazinat e kompanisë. Më pas personi i autorizuar i kompanisë për të kryer procedurat, menjëherë përpilon deklaratën doganore, të cilën më parë e bënte një agjenci doganore dhe e dërgon atë elektronikisht në doganë, duke deklaruar mallin e mbërritur me të gjitha elementët e tij”.
 
Kjo procedurë e kryer me këtë mënyrë në pak minuta, më parë kërkonte pothuajse 1 ditë në doganë.
 
Administratorja e kompanisë Vilma Nushi shpjegon përfitimet që ajo si biznes ka nga kjo procedure e thjeshtuar.
 
“Kompania Marketing & Distribution është kompania e parë e autorizuar për të kryer procedurat e thjeshtuara në doganë për mallrat e importit. Ndërkohë në vazhdim do të autorizohen edhe shumë kompani të tjera serioze, të cilat do të përfitojnë nga kjo lehtësi në deklarimin e mallit në doganë”, shpjegoi Nushi.