Disa sugjerime për minimizimin e dëmit financiar nga statusi i nëpunësit civil

844
Nga Zija LIKA
Në rolin e një ekonomisti finance me përvojë të gjatë pune në këtë profesion dhe mësimdhënie, studiuesi sistematik të shkencave ekonomike dhe njohësi të mirë të legjislacionit në përgjithësi dhe veçanërisht të atij fiskal, gjykoj se mendimet dhe sugjerimet e karakterit ekonomiko-ligjor, që parashtroj më poshtë, do të rezultojnë (nëse merren në konsideratë dhe implementohen) me shumë përfitim në vazhdimësi, në favor të interesit mbarë publik.

Nisur nga fakti që përgjatë 15 vjetëve të fundit të veprimit të ligjit nr 8549 datë 11.11.1999 “statusi i nëpunësit civil” dhe 152-2013 “për nëpunësin civil” të ndryshuar, buxheti i shtetit shpenzon çdo vit miliona euro për dëmshpërblimin, që rrjedh nga ekzekutimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë në favor të ish-punonjësve me status të larguar më parë nga puna, ndjehem i obliguar, të paraqes disa mendime, këshilla dhe sugjerime ekonomiko – ligjore, të cilat nëse do të zbatohen do të çojnë në minimizimin e këtij dëmi financiar sistematik e të përvitshëm, duke bërë të mundur që paratë e taksapaguesve, të mos përdoren për pagesa inproduktive e parazitare, por t’ju rikthehen atyre, në formën e investimeve publike, mallrave dhe shërbimeve qeveritare, rritjes së rrogave dhe pensioneve, politikave më të mira sociale e tjera.

Meqenëse institucione të ndryshme shtetërore (sistemi tatimor qendror,ministri, bashki e tjera), që gëzojnë ligjërisht statusin e nëpunësit civil për punonjësit e tyre, kanë specifika të ndryshme, do të përqendrohem në zgjidhjen e këtij problemi në sistemin tatimor qendror, që përbëhet nga: DPT-Tiranë, 13 DRT, DTM- Tiranë e tjera, ndërkohë që kjo zgjidhje mund shërbejë si model edhe për institucione të tjera me status, në vartësi me veçoritë që ato kanë. 

Së pari: Duhet të bëhet rregullimi përkatës ligjor, duke ngarkuar me përgjegjësi financiare e administrative, autoritetet përkatëse vendimmarrëse, për largime të padrejta nga puna, të konfirmuara përmes vendimeve përkatëse gjyqësore të formës së prerë. 

Gjithashtu këto autoritete, në përkatësi të institucioneve që gëzojnë statusin e nëpunësit civil, duhet të mbajnë përgjegjësinë e sipërcituar, në të gjitha ato raste kur sipas verifikimeve përkatëse, rezulton se kanë bërë emërime në punë nga jashtë ose brenda sistemit, në ato pozicione pune tek të cilat ato duhet të rikthenin detyrimisht, ish punonjësit përkatës, zotërues të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, të cilat e konfirmonin më parë këtë të drejtë, duke lejuar në këtë mënyrë vazhdimin abuziv të pagimit parazitar të këtyre të fundit, me fondet përkatëse publike të buxhetit të shtetit, deri në momentin e rikthimit në vendin e mëparshëm të punës, sikurse përcaktohet në këto vendime gjyqësore.

Me hyrjen në fuqi të ligjit 152-2013 “për nëpunësin civil” të ndryshuar, neni 66/1, pika 1, vendimet gjyqësore të formës së prerë për rikthimin e nëpunësve civilë në detyrë, duhet të zbatohen menjëherë nga “njësia përgjegjëse” e cila në bazë të nenit 4, pika 1, shkronja f, të po këtij ligji është Departamenti i Administratës Publike (DAP) për institucionet e administratës shtetërore dhe njësia e burimeve njerëzore, për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore.

Lidhur me këtë KLSH-ja, ka detyrimin ligjor të ushtrojë kontroll tematik pranë institucioneve dhe autoriteteve përkatëse shtetërore, zbatuese të ligjshmërisë së sipërpërmendur dhe në bazë të verifikimeve, fakteve e gjetjeve të rezultuara, të cilat provojnë paligjshmërinë e veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve respektive, me pasojë dëmtimin sistematik e abuziv në shifra shumë të larta të buxhetit të shtetit, të kërkojë jo vetëm zhdëmtimin ekonomik, por edhe marrjen e masave administrative dhe ose penale ndaj tyre. 
Së dyti: Për të gjithë ish-punonjësit tatimor, të larguar më parë nga puna dhe për të cilët aktualisht ekziston vendimi përkatës gjyqësor i formës së prerë në favor të tyre, duhet të fillojnë menjëherë nga ana e DPT-së dhe DAP-it Tiranë, procedurat e rikthimit të tyre në punë, duke i kërkuar paraprakisht qeverisë në mënyrë të argumentuar, miratimin e një shtese organike për aq sa nevojitet.

Në këtë rast konform procedurave përkatëse ligjore, ministria e financave duhet të transferojë fondin përkatës të parashikuar në buxhetin e shtetit për dëmshpërblime të kësaj natyre, në fond pagash për llogari të DPT-Tiranë, duke shtuar pjesën kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që do të paguhet nga punëdhënësi (shteti) dhe rritjen totale respektive të pagës bruto krahasuar me më parë. Ky transferim është tepër i rëndësishëm, pasi ai bën të mundur zëvendësimin e shpenzimeve buxhetore inproduktive me ato produktive, pasi këto të fundit në çdo rast do të krijojnë të ardhura shtesë nga punësimi për llogari të buxhetit të shtetit. Përllogaritet se vlera e çdo dëmshpërblimi financiar të ndërprerë, është përafërsisht e mjaftueshme për të mbuluar koston shtesë buxhetore të rikthimit dhe vazhdimit në punën e mëparshme, të katër ish-punonjësve zotërues të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, të cilat e konfirmonin më parë këtë të drejtë.

Nëse për këtë kategori ish-punonjësish, kryhen procedurat përkatëse ligjore të rikthimit në punë dhe për këtë bëhet njoftimi zyrtar i secilit prej tyre, atëherë ndërpritet menjëherë dëmshpërblimi financiar i sipërpërmendur, pasi në këtë moment madje edhe kur ekzistojnë arsye të justifikuara ligjore për mosparaqitje në punë, efektet e vendimeve gjyqësore të formës së prerë nulifikohen (zerohen), ndërsa të gjithë ata që paraqesin aktin e dorëheqjes me shkrim, apo për arsye të ndryshme të pajustifikuara ligjore nuk e respektojnë këtë vendimmarrje, lirohen apo largohen respektivisht nga shërbimi civil dhe numri i tyre i zbritet atij të strukturës së shtuar organike të personelit, duke e fiksuar atë përkohësisht në përputhje me rregullat përkatëse ligjore. 

Në përfundim të këtij procesi, do të jetë tepër e sigurt, se numri i ish-punonjësve të kësaj kategorie që do të vazhdojnë të paguhen, do të jetë më i vogël nga ai i mëparshëm, madje me një ndryshim thelbësor tepër të madh, pasi këta të fundit nuk do të paguhen më në mënyrë parazitare (pa punuar). 

Aktualisht janë rreth 200 ish-punonjës të sistemit tatimor të larguar nga puna pas vitit 2000, për të cilët ekziston vendimi përkatës gjyqësor i formës së prerë në favor të tyre, por që ende figurojnë të pakthyer në punën e mëparshme. Ky fakt, përbën një dëm të madh ekonomik të përvitshëm që i bëhet buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë, pasi secili prej tyre ka përfituar dhe përfiton çdo vit, në vartësi me pagën përkatëse që ka patur, një shumë prej 9-10 milion lekësh të vjetra, pa dhënë asnjë lloj kontributi në punë. Përvoja e deritanishme, ka treguar se kjo pagesë mund të vazhdojë pa ndërprerje deri në 40 vjet rresht, duke kapur shifrën e 400 milion lekëve. Pra zbatimi i kësaj skeme ekonomiko-ligjore në çdo lloj rasti dhe rrethane, do të rezultojë me efekte financiare pozitive për buxhetin e shtetit dhe do të ulë nga ana tjetër, treguesin në % që zë kostua reale vjetore e mbajtjes së personelit të administratës tatimore qendrore, (të cilës i shtohet edhe dëmshpërblimi vjetor i sipërcituar), ndaj totalit të të ardhurave vjetore që vilen prej kësaj administrate, ndërkohë që vonesat subjektive të pajustifikuara nga ana ligjore, lidhur me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë (për sa i takon rikthimit në vendin e mëparshëm të punës, të ish-punonjësve përkatës të larguar më parë nga puna), apo akoma më keq mosekzekutimi fare i tyre, do të vazhdojnë të ndëshkojnë financiarisht këtë buxhet dhe taksapaguesit shqiptarë. 
Sigal