“Dialogu Shqipëri – NRW”, Ahmetaj fton gjermanët: Investoni tek ne!

1013
TIRANE – Ështe mbajtur sot në Tiranë tryeza “Ditët e dialogut Shqipëri-NRË”, në kuadër të vizitës së parë në Shqipëri të Guther Horzetzky sekretari i shtetit gjerman për Ekonominë, Energjinë, Bizneset e Mesme dhe Profesionet e Landit të Renanisë Veriore.
Në këtë takim të organizuar nga Ambasada Gjermane në Tiranë dhe Konsullata e Nderit e Shqipërisë në NRË, prezent ishte edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj.
Në fjalën e tij Ministri Ahmetaj tregoi reformat e qeverisë si në sistemin energjetik, pensione, kuadri makroekonomik e fiskal, reformën territoriale si dhe ajo mbi klimën e biznesit me qëllim zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe afatgjatë.
Ministri Ahmetaj u ndal gjithashtu edhe në aspektin rajonal me qëllim bashkëpunimin për krijimin e një tregu rajonal të integruar dhe konkurrues.
Duke folur për bashkëpunimin dypalësh Ministri ftoi investimet gjermane të vijnë në Shqipëri për të përfituar nga mundësitë që vendi ofron në këtë moment në shumë sektorë. Ministri nënvizoi ligjet e investimeve strategjike, turizmit, dhe zonave të lira ekonomike, për të cilat premtoi një paketë konkurruese për sipërmarrësit e huaj.
“Me kënaqësi ndaj me ju që të gjitha raportet ndërkombëtare, qoftë të vendeve anëtare, qoftë të organizatave prestigjioze financiare, si FMN, BB dhe BERZH, e konsiderojnë Shqipërinë si kampion të reformave. Kjo ka bërë të mundur që ne të zhvillohemi, të rritemi 2.1% në 2014-ën. Nuk është mjaft dhe kjo është arsye pse ne jemi duke u fokusuar tek reformat e tjera që kanë të bëjnë kryesisht me klimën e biznesit dhe me thjeshtësimin e jetës së sipërmarrjes në Shqipëri. Dua të them në emër të Ministrisë, që shpresoj të kemi treguar dhe shpresoj dhe gjithashtu jam i bindur se do të tregojmë më shumë në muajt dhe vitet që vijnë, mbështetjen që qeveria shqiptare dhe ne kemi bërë për investitorët gjermanë. Ne jemi të bindur që sa më shumë investime gjermane, sa më shumë investime të huaja të vijnë, aq më shumë shtet të së drejtës dhe sundim të ligjit do të kemi, sundim të ligjit edhe në aspektin ekonomik.” tha në fjalën e tij Ministri 
Ndërkohë nga ana e tij sekretari gjerman Horzetzky vlerësoi mundësitë e shumta për bashkëpunim me Shqipërinë dhe nevojën për t’i shtirë ato në sektorë të rinj.

“Ne importojmë produkte të manifakturës, tekstile dhe këpucë, lëndë kimike e plastike etj. nga Shqipëria, por ne besojmë se mundësitë janë të dukshme në shumë sektorë të tjerë” tha Sekretari i Shtetit. Ai ofroi mbështetjen për krijimin e urave lidhëse dhe të komunikimit mes bizneseve në të dy vendet dhe inkurajoi investitorët gjermane të vijnë në Shqipëri.” u shpreh ai.
Sigal