Detyrimet e prapambetura,’Financa’: 3.4 mld lekë për vendimet gjyqësore

690
Sigal

Ministria e Financave ka paguar, deri në javën e tretë të muajit Shkurt 2015, rreth 40.5 miliardë lekë për të gjitha kategoritë e përfshira në Strategjinë e Shlyerjes së Detyrimeve të Prapambetura.

Sipas informacionit të përditësuar të Njësisë së Posaçme të Administrimit dhe Monitorimit të Detyrimeve të Prapambetura, fondi gjithsej i alokuar nga Ministria e Financave për zbatimin e kësaj strategjie është 44,5 miliardë lekë.

Përveç kësaj vlere, në fund të vitit 2013 janë paguar rreth 3 miliardë lekë për investime të prapambetura dhe 1,9 miliardë lekë për pagesën e prapambetur për Personat me Aftësi të Kufizuar (PAK). Sipas Ministrisë së Financave, në lidhje me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për shpenzimet për investime, gjatë vitit 2014 janë çelur rreth 10.1 miliardë lekë, të cilat i përkasin detyrimeve për periudhën 2005-2013, nga të cilat, deri në fund të vitit 2014, janë paguar rreth 9.7 miliardë lekë.

Për sa i përket vitit 2015, janë çelur rreth 5.7 miliardë lekë dhe janë paguar aktualisht rreth 4.4 miliardë lekë. Totali i çeljeve për detyrimet e prapambetura për investime është rreth 15.8 miliardë lekë, nga të cilat janë disbursuar rreth 14 miliardë lekë.
 
Detyrime të prapambetura për shpenzimet korrente, TVSH
Gjatë vitit 2014 janë çelur rreth 5.6 miliardë lekë, të cilat i përkasin detyrimeve për periudhën 2005-2013, nga të cilat deri në fund të vitit 2014 janë paguar rreth 5.3 miliardë
lekë. Kurse për vitin 2015 janë çelur rreth 100 milionë lekë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për shpenzimet korente. E njëjta tablo është edhe sa i përket rimbursimit të TVSH së prapambetur. Gjatë vitit 2014 janë çelur rreth 12.9 miliardë lekë, nga të cilat janë paguar rreth 12.8 miliardë lekë ose rreth 100% e fondit të çelur për këtë kategori. Për vitin 2015 pritet përfundimi i auditimit të procesit të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura për këtë kategori, për të vijuar më tej me çeljen e rradhës së fondeve për këtë kategori (rreth 3.2 miliardë lekë).

Detyrimet për vendimet gjyqësore
Ka vazhduar procesi i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura për kategorinë “Të tjera” (sipas klasifikimit në Strategjinë për Shlyerjen e Detyrimeve të Prapambetura për vendime gjyqësore, shpronësime, etj), për të cilën fondi i çelur për Vendime Gjyqësore gjatë vitit 2014 është rreth 3.5 miliardë lekë, nga të cilat janë paguar rreth 3.4 miliardë lekë (rreth 97%), kurse për vitin 2015 është çelur fondi rreth 1.6 miliardë lekë, nga të cilat janë disbursuar rreth 1.5 miliardë lekë. Gjithsej për vendimet gjyqësore janë çelur rreth 5.1 miliardë lekë, janë disbursuar rreth 4.9 miliardë lekë. Vendimet gjyqësore kanë qënë kryesisht për individet (rreth 60%) dhe për subjektet (rreth 40%).
Për sa i përket shpronësimeve, fondi total i çelur për shlyerjen e detyrimeve për këtë kategori është rreth 1.5 miliardë, nga të cilat janë disbursuar (paguar) rreth 300 milionë lekë. Vlen për t’u përmendur se gjatë muajit Prill 2014, janë paguar rreth 4.4 miliardë lekë si detyrime të prapambetura, që institucionet buxhetore kishin ndaj OSHEE. Ky proces netimi per energjine është iniciuar gjatë këtij viti dhe kap vlerën rreth 9 miliardë lekë.

Shlyerja e detyrimeve dhe përparësitë e kategorive të shlyera 
Procesi i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura bazohet kryesisht në parimin e metodës FIFO (pra pagesat bëhen mbi bazë faturash, duke filluar nga ajo më e hershme në atë më të fundit).Gjatë këtij procesi, janë alokuar fonde për të gjitha kategoritë e sipërpërmendura, duke u bazuar në informacionin e ardhur në Ministrinë e Financave nga institucionet buxhetore dhe degët e thesarit nëpër rrethe, të konfirmuara edhe nga DP e Tatimeve /DP e Doganave mbi verifikimin e saktësisë së faturave të deklaruara dhe të gjendjes debitore të subjekteve ndaj këtyre organeve. Procesi i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura pritet të përfundojë gjatë vitit të ardhshëm ashtu siç është përcaktuar edhe në strategjinë përkatëse, ku janë parashikuar 35 miliardë lekë për vitin 2014, 20 miliardë lekë për vitin 2015 dhe, pjesa që mbetet, gjatë vitit 2016.

Pagesat për prodhimin e energjisë nga HEC-et private
Për vitin 2014, totali i faturimit të HEC-eve është 9.76 miliardë lekë. Deri më datë 18 Shkurt 2015 janë shlyer në total 6.08 miliardë dhe kanë ngelur pa u shlyer 3.68 miliardë lekë. Kjo shumë detyrimi e pashlyer është për periudhën Korrik-Dhjetor 2014.