Detyrat që duhet të plotësojë Albgaz deri në prill 2019

628
Sigal

Sipas Entit Rregullator të Energjisë kompania duhet të plotësojë pesë detyra kyçe, duke përfshirë dhe kalimin nën kompetencën e financave

Kompania Albgaz do të ketë pesë detyra kyçe të cilat duhet t’i plotësojë deri në prill 2019, sipas një afati të ri që ka dhënë Enti Rregullator i Energjisë në një vendim të nëntorit. Këto detyrime sipas ERE-s duhet të ishin përmbushur nga ana e kompanisë publike pas certifikimit si Operator i kombinuar i gazit natyror në nëntor të vitit të kaluar, por duket se kjo nuk ka qenë e mundur. Në këto kushte, nga ana e Albgaz është kërkuar shtyrje afati për të çuar në fund detyrat e vendosura të cilin ERE-n e ka martuar. Këto detyra lidhen kryesisht me mënyrën sesi është krijuar Këshilli Mbikëqyrës i kompanisë, pra anëtarët e saj, raportimet që duhet të bëjë në mënyrë periodike kompania pranë Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë dhe ERE, si dhe procedurën e regjistrimit të aseteve. Por cilat janë më specifikisht pesë detyrat që Albgaz duhet të përmbushë deri në prillin e vitit të ardhshëm.

Së pari sipas ERE, Albgaz brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e këtij vendimi duhet të zëvendësojë përfaqësuesit e MIE te Këshilli Mbikëqyrës i kompanisë me anëtarë, të cilët nuk janë të punësuar tek MIE ose te kompanitë e prodhimit dhe/ose furnizimit të energjisë elektrike që kontrollohen nga ajo.

Së dyti duhet të raportojë çdo muaj në ERE procedurën për regjistrimin e aseteve të transmetimit dhe ta përfundojë procedurën brenda gjashtë muajve pas miratimit të Vendimit Përfundimtar.

Së treti, duhet që të hartojë dhe t’i dorëzojë ERE-s, raportin e përcaktuar sipas Programit të Përputhshmërisë rregullatore jo më vonë se 12 muaj nga miratimi i Vendimit të Certifikimit të Albgaz sh.a., konform përcaktimeve të nenit 21 të Direktivës nr.73/2009 të Komisionit Evropian, “Mbi rregullat për tregun e gazit natyror” dhe nenit 47 të ligjit nr. 102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”.

Së katërti, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, për qëllime të implementimit të rekomandimeve në Opinionin e Sekretariatit, Albgaz sh.a., të paraqesë në ERE dëshmi që tregon garancinë në lidhje me: 5.2 Bashkëpunimin ndërinstitucional për realizimin e ndryshimeve në kuadrin ligjor, Neni 11 dhe 46 (10) i Ligjit për Sektorin e Gazit Natyror dhe transferimi i kompetencave te Ministria e Ekonomisë. Për përmbushjen e këtij detyrimit, Albgaz sh.a. do t’i paraqesë ERE provat dokumentare që ndryshimet ligjore dhe nënligjore të nevojshme që lidhen me transferimin e kompetencave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë tek aksioneri i Albgaz sh.a., Ministria e Ekonomisë dhe Financave, kanë ndodhur janë efektive.

Së pesti Albgaz sh.a., do të raportojë çdo 3 muaj tek ERE dhe Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në lidhje me përmbushjen e detyrimeve të pikave 2, 3, 4 dhe 5 të këtij vendimi si dhe me ecurinë e procesit të transferimit të kompetencave nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë te Ministria e Ekonomisë dhe Financave./monitor