Detyrat e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dhe Bosnja “nxënësit” e dobët

50

Komuniteti i Energjisë publikoi në datë 23 nëntor 2018, raportin e fundit të monitorimit të sektorit të energjisë në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në të paktën dy nga katër masat e buta që duhet të zbatohen, Shqipëria dhe Bosnja, jo vetëm që nuk kanë përparuar, por kanë bërë hapa pas. Në analizën e tij, Sekretariati nënvizon së pari se zhvillimi i tregut lidhur me bursën ka pasur pak përparim. Aktualisht vetëm Serbia ka një bursë, ku kryhen transaksionet sipas parimit të një dite më parë. Maqedonia rezulton të ketë bërë pak progres nga korriku 2018 e në vazhdim. “Hapa për caktimin e kompanive përgjegjëse për operimin e tregjeve të një dite më parë janë të vonuara në Shqipëri dhe në Mal të Zi. Një vendim për caktimin e strukturës së pronësisë së operatorit të Albanian Power Exchange, që duhet të adoptohej në gusht, është ende në proces miratimi. Ky proces tani pritet të finalizohet në nëntor 2018”, vlerëson Sekretariati. Edhe Mali i Zi është në procesin e kërkimit të një partneri strategjik kurse në Bosnjë procesi ka ngecur. Masa e dytë ku Shqipëria dhe Bosnja nuk shkëlqejnë, duke mbetur sërish pas pjesës tjetër të vendeve të Ballkanit Perëndimor është ajo e masave të ndërthurura. Në këtë pjesë, merret në analizë mënyra sesi është rregulluar furnizimi me energji i konsumatorëve sipas tensionit ku janë të lidhur si dhe pjesën e liberalizuar dhe të rregulluar të tregut. “E drejta e konsumatorëve për të ndryshuar furnizues është ende në pritje si masë në Shqipëri dhe në Maqedoni, ku pritet që të çohet para në vitin 2019. Ky trend është përcaktues për zhvillimin e konkurrencës në treg veçanërisht duke pasur parasysh që çmimet e rregulluara në një nivel nuk mundësojnë apo japin lehtësi për furnizuesit që të hyjnë në tregje” thuhet në raport. Masa ku Shqipëria paraqitet më mirë se rajoni, madje nga korriku e në vijim ka edhe progres është ajo e alokimit të kapaciteteve rajonale. Ndërkohë që lidhur me balancimin ndërkufitar rekordin e mban Bosnja, e cila ndiqet nga Serbia dhe Mali i Zi, për të lënë Shqipërinë në aspektin e plotësimit të kësaj mase të katërtën në renditje./monitor