Depozitat bien, në 10 muaj individët tërhoqën 200 milionë euro

883
Individët kanë zbrazur llogaritë bankare, duke vënë në vështirë sektorin bankar. Tetori nuk rezulton të ketë qenë i mbarë për sistemin banker, pasi jo vetëm kredia për ekonominë ka rënë, por edhe depozitat nuk janë rritur. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në fund të muajit tetor arriti në 995 miliardë lekë, me një rënie prej 0.3% në krahasim me muajin e mëparshëm. Sipas “Monitor”-it, rënia ka ardhur nga dy faktorë. Së pari, depozitat në lekë të individëve kanë vijuar tendencën e tyre rënëse që po vazhdon prej disa vitesh, duke reflektuar interesin e pakët për të mbajtur kursimet me afat në banka, për shkak të normave modeste të kthimit, që janë rreth 1% për depozitat me maturim 12-mujor. Totali i depozitave të individëve në lekë ka zbritur në 260 miliardë lekë, nga 373 miliardë lekë që ishin në dhjetor të vitit 2012. Vetëm gjatë 10 muajve të këtij viti, individët kanë tërhequr rreth 27 miliardë lekë, apo gati 200 milionë euro. Depozitat e individëve përbënin 26% të totalit në tetor, nga 40% që ishte kjo peshë në dhjetor 2012, duke shfaqur një tkurrje të ndjeshme. Së dyti, në tetor është konstatuar dhe një rënie e kursimeve në valutë, të cilat janë reduktuar me 0.3%. Stoku i depozitave në valutë ishte 529 miliardë lekë në tetor, duke përbërë 53% të totalit. Pavarësisht përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë për të ulur nivelin e euroizimit në ekonomi, shqiptarët duket se vijojnë që t’i besojnë monedhës së përbashkët, pasi pjesa më e madhe e kursimeve, në një vend që ka si monedhë zyrtare lekun, janë në euro! Me bazë vjetore (tetor 2017/tetor 2016), depozitat në total janë rritur vetëm me 0.3%, duke shënuar të dytin vit radhazi me ritme të ngadalta zgjerimi. Ky ngadalësim ka ardhur tërësisht nga tkurrja e kursimeve në lekë të individëve (-30 miliardë lekë), ndërsa bizneset kanë pasur një sjellje tërësisht të kundërt, teksa në një vit i kanë rritur kursimet me 15% (19 miliardë lekë), në një tjetër sinjal (krahas ngadalësimit të kredisë) se investimet në ekonomi janë frenuar.
Sigal