Denion Meidani/ Lufta ndaj korrupsionit një sfidë e botës globale

714
Sigal

Korrupsioni si rrezik real.

Dukuria e korrupsionit është shndërruar në epiqendër të vëmendjes në botë. Në Shqipëri, ajo ka marrë një shtrirje të rrezikshme. Këtë lexim ma përforcoi, disa ditë më parë, dhe një artikull brilant mbi këtë fenomen i një djaloshi 19 vjeçar tepër të talentuar, që u shkëput nga kjo jetë në mënyrë të papritur, dhe të dhimbshme.  Mbase dhe për faj të një projekti të nxituar elektoral të tipit fasadë të keq zbatuar në fusha të ndryshme përfshirë dhe menaxhimin e sinjalistikës rrugore. Ndoshta, edhe sepse fondet e duhura mund të mos kenë shkuar atje ku duhej…

Mbi këtë dukuri globale, në katër dekadat e fundit vetëm në gjuhën angleze janë shkruar disa dhjetëra libra me peshë. Për më tepër, po të kërkohet në Google me fjalën çelës korrupsion, rezultati del mbi 45.7 milion raste të lidhura me këtë dukuri. Indeksi i Perceptimi të Korrupsionit (Corruption Perception Index- CPI), që del çdo vit nga Transparency International, është bërë një nga burimet më të cituara në pikëpamje të referimit. Po ashtu, teori të ndryshme për trajtimin e kësaj dukurie janë emetuar, përpunuar e zhvilluar çdo vit, por akoma s’është gjetur ndonjë zgjidhje adekuate dhe e suksesshme. Dhe ndërkohë, korrupsioni është kthyer në një kërcënim global për rendin ekonomik. Tek vendet në zhvillim, ku bën pjesë dhe Shqipëria, korrupsioni është shndërruar në një rrezik serioz politik-institucional e ekonomik-social, ushqyes tragjedish e katastrofash, nxitës dhune e turbullirash masive. Në këtë kuptim, ai është dhe një kërcënim konstant për stabilitetin dhe sigurinë e vendit. Sidomos në disa vende, përfshirë dhe Shqipërinë, ai është shndërruar në një dukuri endemike të shtrirë në çdo kapilar të ekonomisë e shoqërisë; në një normë marrëdhëniesh individ- shtet brenda çdo hallke e transaksioni, duke helmuar në vazhdimësi gjenerata politikanësh. Madje, ky lloj korrupsioni me përmbajtje politike po e shtrin helmin dhe jashtë kufijve kombëtarë duke krijuar një efekt “spill over”. Për më tepër, një korrupsion i tillë, siç perceptohet sot në Shqipëri, mund ta nxisë dhe ushqejë konfliktin social, deri duke e bërë revoltën popullore si opsion zgjidhje të shoqërisë dhe politikës.

Në Shqipëri, këto vitet e fundit kemi qene dëshmitarë të ngjarjeve të tilla, ku vlen të kujtohen pse-të dhe pasojat e 21 janarit, apo dhe protestat e vitit të fundit. Situata shumë më dramatike janë ndeshur në rajon dhe më gjerë, ku mund të përmendet rasti i Egjiptit e Ukrainës. Në rastin e fundit, shifra e korrupsionit të Janukoviçit është vlerësuar afro 10% e PBB-së vendase, madje, thuhet se ai është larguar për në Rusi me 11 miliardë dollarë. Tipike ka qenë edhe Pranvera Arabe, ku fillimisht të rinjtë e shkollave dhe universiteteve iu kundërvunë me kurajë veprimeve të udhëheqësve të tyre diktatorë e kleptokratë. Në këto protesta u derdh gjak i pafajshëm, duke sjellë paqëndrueshmërinë e konfliktin në dyert e Evropës.

 Një Pakt ndërkombëtar antikorrupsion.

 Hapi i parë në luftën ndaj këtij fenomeni shekullor, krahas një përkufizimi të qartë, është nxjerrja apo tërheqja e tij në dritë. E thënë ndryshe transparenca e të gjitha veprimtarive politike, institucionale e administrative! Vetëm kështu mund të realizohet ndërgjegjësimi i domosdoshëm mbi korrupsionin, për pasojat dhe derivatet e tij. Për ta reduktuar atë dhe më tej për ta ndaluar këtë epidemi njerëzore, kërkohet si një front i bashkuar i Perëndimit, ashtu dhe një përgjigje globale e unifikuar, e udhëhequr nga vendet më të zhvilluara perëndimore (më pak të korruptuara). Politik-bërësit perëndimorë apo ata në mbarë botën që janë akoma të pa infektuar duhet ta rikonceptojnë e dimensionojnë këtë sfidë duke dalluar e veçuar nivelet e ndryshme të shtrirjes dhe shënjimit, pikërisht për të bërë të mundurndërhyrjen e duhur dhe efektive. Në këtë kuptim, vlen të krijohet një organizëm i ri global mbi një pakt ndërkombëtar antikorrupsion. Ai duhet të lokalizojë problemet e kësaj natyre në hartën globale, t’i izolojë dhe asgjësojë ato njëri pas tjetrit. Mbi të gjitha, vendet që nuk do t’i bashkohen këtij Pakti, duhet të izolohen financiarisht, duke nxitur paralelisht lëvizjet antikorrupsion brenda tyre. Madje, ka kuptim që ato të ushqehen e stimulohen, financohen e realizohen me mbikëqyrje e mbështetje ndërkombëtare.

 Ç’ duhet bërë në vende si Shqipëria?

 Po në Shqipëri ç’duhet bërë për të luftuar këtë dukuri sistematike, kapilare dhe të mirë-organizuar, të ulur këmbëkryq kudo anembanë vendit. Në çdo drejtori, sektor të pushtetit qendror e lokal ndeshen individë që shfrytëzojnë detyrën ose postin administrativ dhe mjetet financiare të vendit të punës për të bërë allishverishe, për të bërë favore apo për t’u pasuruar. Kështu, e gjejmë këtë korrupsion si mitmarrje tek doktorët e infermierët jo humanë në shkelje të betimit të dhënë; e gjejmë tek mësueset e pedagogët pa dinjitet që duhet të ishin shembull për brezat që edukojnë; tek policët, prokurorët e gjyqtarët pa integritet që duhet ta zbulojnë, luftojnë dhe procedojnë abuzimin; por mbi të gjitha, e gjejmë tek politikanët, deputetët, administratorët lokalë, burokratët e lartë, të cilët jo vetëm e kalërojnë me mjeshtëri këtë fenomen, por dhe i shtrijnë kufijtë e tij të abuzimit, të favorizuar nga ligje të miratuara për këtë synim. Në nivelin e qeverisjes qendrore një problem akoma më shqetësues është përmasa e abuzimit. Ndërsa, në nivelet e ulëta dhe të mesme burimet e korrupsionit lidhen me harxhime e strukturime në ekonomitë lokale, në blerje, prodhime të mirash materiale, në rregullime e përmirësime infrastrukturore, në njëfarë rishpërndarje të pasurisë kombëtare, por gjithsesi brenda disa kufijve modestë, tek nivelet e larta shumat të vëna në veprim apo të menaxhuara janë marramendëse. Kjo shoqërohet me dalje jashtë kufijve të një pjesë të pashpenzuar apo të përvetësuar të tyre, një farë “parkimi” të këtyre shumave në vende më të sigurta, ku dhe mund të shpenzohen më vonë, pa rënë në sy e pa merak, deri duke krijuar një jetë përrallore për përfituesit e tyre. E thënë ndryshe, korrupsioni i niveleve të larta kap shuma serioze, duke sjell humbje të shumëfishta në ekonominë e financat kombëtare. Prandaj, aty dhe duhet të fillojë dhe lufta e jonë e gjithanshme; aty shkaktohet dëmi më i madh; aty është gjeneza e problemit me natyrë të dyfishtë. Ai po e gërryen në vazhdimësi një qeverisje të dobët si kjo e sotmja, ku zyrtarë të korruptuar të fshehur nën petkun e “rilindjes” apo të reformave po manipulojnë opinionin publik, po nënshtrojnë me shpejtësi institucionet e pavarura, mjaft media në shoqërinë civile, të konsideruar me potencial të lartë demaskimi e kundërvënieje. Një përpjekje tjetër është ajo që ka të bëjë me nënshtrimin e sistemit të drejtësisë, për të mos lejuar e parandaluar “hyrje gjembi në këmbë” teksa kryen veprime abuzive. Po ashtu, hartohen e kalohen ligje e miratohen emra të përveçëm në shërbim të zotërinjve të rinj dhe të vjetër, të sotëm dhe të djeshëm, të pushtetit të korrupsionit. Nga ana tjetër, po bllokohet e thahet çdo burim kritik i nevojshëm për zhvillimin ekonomik në këtë kohë të vështirë krize. Arrihet, madje, të transferohet problemi duke zhvendosur, më shumë se dukurinë, paranë e korrupsionin apo frytet e abuzimit në vendet perëndimore. Aty, parkohen e shpenzohen këto para korrupsioni pas pastrimit nga një industri e tërë e instaluar duke krijuar jo pak probleme në vetvete dhe në këto vende pritëse. Në këtë kuptim, vëmendja jonë dhe e ndërkombëtarëve, burimet e vëna në dispozicion duhet të përqendrohen fillimisht në betejën kundër kësaj kategorie për ta izoluar atë, pra dhe për ta nisur si duhet dhe eventualisht për ta fituar këtë lufte. Sigurisht dhe ndëshkimi duhet të jetë proporcional me burimet në dispozicion. Aq më pak, të mos humbet kohë me shfaqje teatrale të dënimit të peshqve të vegjël. Madje, në nivele të ulëta dënimi duhet të ketë natyrë më tepër administrative e jo kriminale. Kjo bën të mundur që vëmendja e prokurorisë dhe e gjykatës së krimeve të rënda, që kanë tashmë peshën e rëndë të luftës kundër korrupsionit, të përqendrohet tek mafia apo baronët e fenomenit.

 Një organizëm ndërkombëtar antikorrupsion.

Sigurisht, vlen të konsiderohet dhe të përpunohet më tej ideja e prekur më sipër e një Pakti apo një Konvente universale antikorrupsion, që jo vetëm të përcaktojë qartësisht këtë vepër penale, por që të kodifikoje principet e qeverisjes me duar të pastra, të formulojë protokollet e luftës kundër pastrimit të parave; madje, që të konceptojë e ndërtojë organizmin global për të ndjekur, ndaluar e zmbrapsur këtë epidemi. Jo që nuk është bërë diçka në këtë drejtim, por ky lloj organizmi duhet të ketë pamje të mirë-strukturuar mbikombëtare. Në funksion dhe shtrirje të autoritetit të tij, ai duhet plotësuar nga një bazë ligjore përkatëse, nga një forcë hetuese e policore e veçantë dhe sigurisht nga një gjykatë ndërkombëtare e specializuar (e ngjashme me atë të Gjykatës Ndërkombëtare Kriminale – IÇ). Për të qenë sa më efektive këto masa, ato duhet të nënshkruhen fillimisht nga vendet e zhvilluara dhe më tej, pa përjashtim, nga ato në zhvillim. Sidomos i rëndësishëm krijimi i një mase kritike fillestare, ku patjetër duhet të jenë në krye ato vende me CPI-në më të mirë; madje të jenë shembull në principet bazë të mirëqeverisjes. Ndër 20 vendet e para të tilla mund të përmenden Australia, Kanadaja, 11 shtete Evropiane (ku 8 janë anëtare të BE-së), Japonia, Zelanda e Re dhe ShBA. Ekonomia e këtyre 20 vendeve përbën gati 60% të PBB-së së botës dhe gati 70% të tregtisë ndërkombëtare. Aty ndeshet dhe pjesa më e qenësishme e Investimeve të Huaja të Drejtpërdrejta – IHD (FDI) në botë. Prandaj, këto vende së bashku kanë dhe influencën e mjaftueshme, krahas nevojës në rritje brenda tyre, për ta realizuar këtë iniciativë, pa qenë as paragjykuese në nivelet e ndërveprimit, as diskriminuese ndaj ekonomive më të vogla. Po ashtu, Pakti ose Konventa nuk duhet të imponojë mënyrën e qeverisjes mbi aderuesit dhe vendet jo aderuese, por të ketë si fokus themelor luftën kundër korrupsionit. E rëndësishme është që nëpërmjet saj dhe strukturës shoqëruese të dërgohen sinjale të fuqishme kudo në botë se ekziston një mënyrë e re e të bërit të gjërave, se korrupsioni nuk është dhe as nuk mund të jetë më një normë e pranueshme. Për më tepër, gjithmonë do të ketë një derë të hapur, aty ku ka dëshirë, për të qenë pjesë e luftës globale kundër korrupsionit. Pa dyshim, aderimi në këtë organizëm nënkupton në radhë të parë angazhim në këtë luftë, goditje e ndërhyrje deri në nivelet më të larta, pse jo dhe duke lejuar hetuesit ndërkombëtarë që të shtrinë fuqinë e dominimin e tyre mbi këto vende, mbi të gjitha, që ata të mund të hetojnë dhe ndëshkojnë të papenguar qytetarët (politikanët) e këtyre vendeve për çdo vepër korruptive e penale. Sigurisht, me këto detyrime lindin dhe të drejta e kontribute.

 Një luftë globale e domosdoshme.

Kjo derë duhet të qëndrojë e hapur edhe për ato vende që akoma nuk janë aderuar. Nga ana tjetër, marrëdhëniet financiare duhen kufizuar, madje në raste ekstreme dhe duhen ndërprerë me vendet e korruptuara, deri duke fuqizuar apo dobësuar sanksionet përkatëse në përputhje me situatat konkrete. Për këtë qellim del si nevojë, ngritja e një baze të dhënash (database) në rrafsh ndërkombëtar, që të ketë në shënjestër individë të ndryshëm (sidomos politikanë dhe administratorë publikë) të përfshirë në këtë lloj krimi anembanë botës. Po aq e rëndësishme është dhe mënyra e konfiskimit të pasurive e aseteve të paligjshme me bazë mitmarrjen apo korrupsionin. Normalisht, në vendet aderuese duhet marrë parasysh edhe rezistenca fillestare nga politikë-bërësit, burokratët, lobet e sindikatat, që në një mënyrë apo tjetrën, në nivele të ndryshme, vjelin frytet e abuzimit. Sanksionet mund të prekin edhe marrëdhëniet e përfitimet midis elitave të bizneseve dhe zyrtarëve të lartë në vendet ende të pa aderuara, duke turbulluar ujërat e brendshme. Për rrjedhojë, këto vende, të gjendur nën presion ndërkombëtar e të brendshëm, në trajtimin e korrupsionit janë të detyruar të aderojnë në këtë aleancë antikorrupsion herët a vonë. Gjithashtu, momentalisht, Perëndimi po pret dhe akomodon “legjione” elitash, të rinj dhe të reja nga vende në zhvillim, që preferojnë më mirë që të migrojnë sesa të përballen në betejën kundër korrupsionit me kleptokratët që mbretërojnë në vendet e tyre, betejë që në momente të dhëna shoqërohet edhe me humbje jetësh njerëzore. Ky lloj “dorëzimi” i zbraz shoqëritë përkatëse të këtyre vendeve nga kapitali njerëzor, por dhe nga potenciali qytetar e demokratik, duke minimizuar mundësinë për ndryshime pozitive. Në rastin e vendeve komuniste (si, p.sh., Shqipëria), kolapsi u shoqërua dhe me pakënaqësinë e njerëzve ndaj regjimeve të tilla, që nuk lejonin ose bllokonin largimin jashtë vendit. Pra, mbase, në disa nga këto vende, duke manovruar me lirinë e lëvizjes (duke e reduktuar atë) dhe në të njëjtën kohë, duke rritur shtytjen e mbështetjen për fushata të brendshme antikorrupsion mund të arrihet deri tek ndryshimi kritik. Së fundi, implementimi i një pakti të tillë në nivel global nuk është diçka e lehtë. Sidoqoftë, ai mishëron një mundësi reale për të fituar terren e mbase për ta luftuar e mundur këtë epidemi që, aktualisht, me shpërthimin e saj të gjithanshëm, po rrezikon themelet dhe vlerat bazike të botës demokratike-perëndimore. Vetë Perëndimi duhet të dëshmojë se një qeveri, që abuzon në fuqinë e saj, nuk mund të jetë një partner i respektueshëm për të, por të kontribuojë për zëvendësimin e tij. Përndryshe, kërcënimi lokal i korrupsionit do të shtrihet e “derdhet” edhe në vendet e tyre. Akoma më shumë, duke lejuar kërcënimin apo duke shkatërruar çdo arritje ligjore e sociale që i ka bërë këto vende modele politike-institucionale, fenerë të ligjit dhe së drejtës, simbole të progresit global. Me të drejtë, Papa Francis, pak kohë më parë, ka pohuar në mënyrë simbolike se “të korruptuarve duhet t’u lidhet një gurë në qafë dhe të hidhen në det”. Për fat të mirë, në Shqipëri, gurë ka plot, por dhe deti s’na mungon!…