Deklarimi i pasurisë nga zyrtarët, ILDKPKI: Në 2018, mbi 29 milionë lekë gjoba

205

Zyrtarët shtetërorë kanë paguar 29 milionë lekë gjoba tek Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave gjatë 2018. ILDKPKI publikoi raportin e performancës së institucionit në lidhje me të ardhurat dhe shpenzimet. Në raport bëhet me dije se pjesa më e madhe e të ardhurave janë si ekzekutim i detyrueshëm për gjobat e vendosura në vitet e mëparshme. “Ekzekutimi i detyrueshëm nga zyrat përmbarimore të rretheve për gjobat e vendosura për rastet e shkeljes së detyrimeve ligjore si dhe vendimeve gjyqësorë që kanë marrë formë të prerë. Për këtë periudhë vjetore janë ekzekutuar tërësisht 132 raste në vlerën 21.1 milionë lekë” thotë ILDKPKI. Ndërkohë gjobat e paguara në mënyrë vullnetare zënë një pjesë të vogël të të ardhurave. Sipas Inspektoriatit të deklarimit të pasurisë,  për vitin 2018 janë gjithsej 48 raste në vlerën 7.86 milionë lekë” Të ardhurat e tjera janë në një nivel modest prej 46.5 mijë lekësh duke mbyllur tre zërat e realizmit të të ardhurave që ka ky institucion.