Credit Suisse: 25% e shqiptarëve kanë më pak se 1 mln lekë pasuri

109
Një nga bankat më të mëdha botërore ka publikuar këto ditë raportin e vet vjetor mbi ndarjen e pasurisë në botë. Raporti i fundit i Credit Suisse mbi shpërndarjen e pasurisë globale ka bërë një analizë edhe lidhur me atë, se si janë ndarë në vendin tonë pasuritë e shqiptarëve.
Sipas analistëve të bankës së madhe zviceriane, më shumë se një e katërta e popullsisë së rritur rezidente në Shqipëri, saktësisht 25.4% e saj, zotërojnë nga 10.000 deri në 100.000 dollarë pasuri (afro 1.000.000 deri në 10 milionë lekë të reja). Këtu përfshihen paratë, por edhe vlera e pasurive të tjera, si prona të patundshme, shtëpi apo makina.
Nga ana tjetër, raporti i Credit Suisse llogarit se 74.1% e popullsisë së rritur shqiptare ka më pak se 10.000 dollarë pasuri. Vetëm 0.5% e popullsisë gëzojnë një pasuri nga 100.000 deri në 1 milion dollarë.
Bazuar në këto të dhëna, koeficenti GINI, që mat shpërndarjen e pasurisë në popullsinë e një vendi, fiksohet në 65.8%. Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, apo edhe me mesataren europiane, që rezulton me një koeficient në shifrën 83.4%, Shqipëria jep performancën më të mirë përsa i përket tendencës për një shpërdarje më të barabartë të pasurisë. Por, shifrat rezultojnë në rënie.
Nga ana tjetër, raporti e vlerëson Shqipërinë si një vend që ende nuk ka mundur të dalë nga kthetrat e varfërisë, me të ardhura të ulta të mesme, me një pasuri totale të banorëve të saj të rritur prej 20 miliardë dollarësh. Këtu, sipas bankës, kemi të bëjmë me një ulje të pashpjegueshme. Në vitin 2013 dhe 2014 kjo pasuri vlerësohej në 23 miliardë dollarë. Pasuria e Shqipërisë rezulton kështu në rënie me 3 miliardë dollarë nga viti 2014 në vitin 2015.
Në të njëjtën kohë, borxhi mestar për frymë të popullsisë së rritur vlerësohet në 593 dollarë amerikanë. Popullsia e rritur rezidente në vend, e përfaqësuar me rreth 2.2 milionë individë, gëzon një pasuri mesatare të vlerësuar sipas të dhënave të vitit 2015 në 8.713 dollarë. Nga kjo shumë, pasuria në “cash” (para të thata) vlerësohet në 1.585 USD për frymë, ndërsa pjesa tjetër si pasuri e patundshme.