Çmimi i ujit rritet 44%, ja tarifat e reja. Zef Preçi: Pse nuk duhet ndryshuar pagesa për qytetarët

776
Në pasqyrën e mëposhtme jepen disa të dhëna statistikore mbi performancën e sektorit të ujësjellësit. Të dhënat janë nxjerrë nga raportet vjetore të Entit Rregullator të Ujit (ERRU) për vitin 2009 e 2016 dhe janë online, nga ku mund t’i lexojë cilido person i interesuar. Nga shqyrtimi i këtyre të dhënave të pjesshme (sepse në to mungojnë investimet buxhetore dhe huatë bankare të shtetit për investimet publike në këtë sektor) mund të arrihet në të paktën dy-tre konkluzione kryesore:
1 – Mirë menaxhimi i ujit, dmth pakësimi i humbjeve kolosale në rrjet prej 2/3 të ujit përbëjnë rezervën kryesore për përmirësimin e performancës në këtë sektor.
2 – As sot e kësaj dite shteti nuk ka arritur të vendosë aparatet matëse të ujit për konsumatorët familjarë, si hapi i parë për stabilizimin e situatës në këtë sektor. Aktualisht më shumë se 1/3 e ujit as që matet fare. Kjo do të thotë se investimet për vendosjen e aparateve matëse duhet të përbëjnë një përparësi emergjente për përmirësimin e menaxhimit të ujit të pijshëm.
3 – Ngarkesa në punë, dmth numri i punonjësve për 1000 lidhje uji të përdoruesve familjarë është dyfish më e lartë se mesatarja e vendeve të tjera të rajonit. Kjo do të thotë se shoqëritë publike apo të përbashkëta që operojnë në këtë sektor mund të përmirësojnë performancën e tyre, duke optimizuar normat e ngarkesës në punë, por kjo pamundësohet nga fakti se në këtë sektor publik punësohen militantët partiakë të radhës.
4 – Mbulimi i kostos nga të ardhurat e llogaritura të disa shoqërive publike dhe në sektorin në tërësi ka arritur në 120%. Kjo do të thotë që për qëllime propagandistike, shoqëritë e ujësjellësve faturojnë ujë te përdoruesit më shumë se sa është prodhimi i tyre. Një situatë e tillë vihet re edhe në sektorin e energjisë elektrike, dmth edhe OSHEE vepron njëlloj. Kjo mënyrë e paligjshme menaxhimi e sektorit ndëshkon financiarisht konsumatorët familjarë, sidomos ato me ujin (dhe energjinë) afrofe dhe krijon imazhin e rremë të shëndoshjes financiare në një kohë të shkurtër, të nxjerrjes me fitim të sektorit, etj. Në fakt, treguesit e mëposhtëm (edhe të tjerë që mungojnë) duhen lexuar në mënyrë integrale dhe fakti që për gati prej 10 vjetësh situata ka ndryshuar fare pak, tregon se qeverisjet tona ngjajnë si dy pika uji dhe sektori i menaxhimit të ujit ka nevojë për reforma të vërteta e bashkëkohore dhe jo për fasada propagandistike.
5 – Vetëm pasi të përmirësohen treguesit e mësipërm mund të flitet për investime të tjera të reja që synojnë sigurimin e ujit 24 orë në ditë, por ky synim në kushtet e sotme është një ëndërr dimri dhe realiteti përgënjeshtron gjendjen në sektorin e ujësjellësve.
6 – Në këto kushte, rritjen e çmimit me afro 45% (nga 45 lekë/m2, në 65 lekë/m2) për të cilën ka vendosur ERRU e shoh të nxituar, të dëmshme ekonomikisht për shumicën e familjeve shqiptare, sepse cenon parimin e moskalimit të 5% të të ardhurave familjare, dhe siç del nga kjo analizë, përpara se të rritin çmimet, kompanitë duhet të përmirësojnë rrënjësisht menaxhimin e tyre. 
Parimisht rritja e çmimit duhet të mbështet në investimet e reja, si dhe nuk duhet harruar se me ujin, energjinë elektrike, etj., qeveritë e përgjegjshme dhe demokratike, që nuk vënë interesat publike në funksion të pasurimit të oligarkisë, ndërmarrin edhe politika sociale në të mirë të qytetarëve të vendit. Për të gjithë këto arsye, personalisht jam kundër rritjes së këtij çmimi dhe besoj se në njëjtën mënyrë do të arsyetojnë edhe shoqatat e mbrojtjes së konsumatorit dhe grupet e interesit që cenohen nga vendim-marrje të tilla të nxituara, antipopullore dhe që thellojnë varfërinë në vend.
TREGUESIT 2009 2016
Tarifa mesatare e ujit të pijshëm 31,88 24,5 lekë/m3 
Niveli i matjes 42% 64% 
Nr. punonjësve për 1000 lidhje 10 vetë-8,3 vetë (në rajon është 4-5 vetë)
Kosto e punës 30,78% 38% 
Nr. operatorëve 56 59 
Mbulimi i kostos oper. nga arkëtimet 42% 93% 
Mbulimi i kostos oper. nga të ardhurat 78% 120% 
Mbulimi i kostos totale 85% 90% 
Ujë pa të ardhura/niveli i humbjeve 70% 67% 
Kohëzgjatja e furnizimit me ujë 11,4 10,99 orë/ditë 
% e vlerës së faturës mbi të ardhurat familjare 13 euro/person në vit 3,6%-4,6% (llogaritur 18 m3 në muaj)
% konsumatorëve afrofe 58% 36%
Sigal