Çmimi i naftës pëson sërish rritje, 5 lekë më shtrenjtë

513
Sigal

Çmimi i naftës në Shqipëri është rikthyer tek trendi rritës, teksa në pikat kryesore të shitjes është shtuar me 5 lekë për litër. Në pikat e Kastratit, operatori më i madh në treg si i shumicës, ashtu dhe pakicës, nafta shitet me 176 lekë për litër, nga 171 që ishte më parë, ndërsa benzina tregtohet me 177 lekë. Elda Petroleum e tregton naftën dhe benzinën përkatësisht me 175 dhe 176 lekë për litër, me një shtrenjtim prej 5 lekësh për litër. Që prej janarit, kur nafta pati tendenca ulëse, rritja e muajit mars shënon rastin e parë për këtë vit që çmimet e naftës marrin kthesën rritëse, pasi ishin ulur dy herë radhazi me nga pesë lekë për litër, duke zbritur nga niveli prej 182-183 lekësh, më i larti që nga viti 2012. Operatorët e tregut pohojnë se arsyeja kryesore lidhet me shtrenjtimin e naftës në tregjet e huaja. Shqipëria vijon të jetë një nga vendet me karburantin më të shtrenjtë në botë, duke u renditur ndër 20 vendet me çmimet më të larta, sipas të dhënave të Global Petrol Price. Taksat e larta që paguhen në çmimin e naftës, si akciza, taksa e qarkullimit, tarifa e skanimit etj., janë arsyeja kryesore për shtrenjtësinë e saj, pasi të gjitha këto përbëjnë më shumë se gjysmën e çmimit.