Çmimet e larta të janarit, rritin inflacionin në 1.9%

514
Sigal

Inflacioni në muajin janar arriti në 1.9 për qind, i cili përbën ndryshimin më të lartë që nga nëntori i kaluar. Vjet ky ndryshim kapte shifrat 1.7%. Sipas të dhënave të INSTAT, rritja e inflacionit e këtij muaji u dominua nga ndikimi i çmimeve te larta të perimeve të stinës. Rritja vjetore e çmimeve në muajin Janar është ndikuar kryesisht nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,62 pikë përqindje, pasuar nga “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,17 pikë përqindje. Rritja e përgjithshme e çmimeve u dominua në më shumë se 90 për qind nga rritja e çmimit të ushqimeve. Këtë dimër tregu hasi në vështirësi për tu furnizuar me prodhime vendase të stinës. Mungesa e prodhimit çoi në rritjen e çmimeve që për disa perime dhe zarzavate të dimrit ishin 2-3 herë më të lartë se vitin e kaluar.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore:

Krahasuar me muajin Janar 2018, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 4,3 %, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” dhe “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,8 % secila, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,1 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,8 %, “Shërbimi arsimor” me 0,7 %, “Komunikimi” me 0,4%, etj. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,8 % pasuar nga grupi “Shëndeti” me 0,6 %. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate, përfshirë patatet” u rritën me 36,3 %, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 1,3 %, “peshk” me 1,0 %, etj. Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “fruta” u ulën me 8,2 %, pasuar nga “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 2,6 %, “bukë dhe drithëra” me 1,5 %, etj.

Ndryshimet mujore të grupeve kryesore:

Krahasuar me muajin Dhjetor 2018, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 4,6 %, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,3 %, “Veshje dhe këpucë” me 0,2 %, etj. Ndërsa, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 1,4 %, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 0,6 %, “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,1 %.