Cenohet efikasiteti i investimeve, Financat akumulojnë 210 mln euro fonde të pashpenzuara në dhjetor, sa 31 % e totalit

527
Sigal

Në muajin dhjetor, Ministria e Financave akumuloi 210 milionë euro fonde të pashpenzuara në zërin e investimeve sipas të dhënave zyrtare. Kjo shumë është sa 31% e fondit vjetor për investimet kapitale. Në buxhetin e vitit 2018, qeveria programoi 84 miliardë lekë shpenzime kapitale, por deri në fund të muajit nëntor, ishin shpenzuar vetëm 57.5 miliardë lekë, ose rreth 68% e programit të investimeve. Në muajin dhjetor janë akumuluar shpenzimet e një katër-mujori, edhe pse Ministria e Financave nëpërmjet udhëzimeve vjetore, ka synuar të harmonizojë shpenzimet për investime në mënyrë të njëtrajtshme për të gjithë vitin. Përqendrimi i shpenzimeve të investime në muajin e fundit të vitit, sipas vlerësimeve të mëparshme të Ministrisë së Financave, vë në dyshim eficiencën e përdorimit të fondeve. Ministria e Financave vitet e kaluara ka përdorur instrumentin e letër-kredisë duke parapaguar disa investime, teksa ato ishin në proces.

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit gjeti shkelje të rënda të veprimtarisë së Thesarit të Shtetit sidomos në lidhje me alokimin e shpenzimeve publike për 2017-2018. Sipas gjetjeve të KLSH-së, deri në mes të vitit 2018, Ministria e Financave kishte disbursuar një shumë prej 11,5 miliardë lekësh nga investimet kapitale të këtij viti, për të shlyer faturat e shpenzimeve të vitit 2017. Nga pagesat e kryera gjatë 7-mujorit 2018 në zërin shpenzime kapitale, rezulton se pagesat në datat e 2017-s kapin vlerën 11.5 miliardë lekë, duke treguar se gjatë vitit 2017 detyrimet e prapambetura janë rritur dhe jo të gjitha deklarimet e faturave të prapambetura nga institucionet janë të sakta dhe të plota. Sipas të dhënave zyrtare, alokimi i shpenzimeve kapitale të këtij viti ka shmangur thellësisht programin buxhetor të miratuar nga Kuvendi për vitin 2018. Nga të dhënat e Thesarit verifikohet lehtësisht se janë financuar projekte që nuk ishin të programuara më 2018, teksa projektet të tjera që ishin në plan, janë financuar me zero, të tilla si investimet kapitale në arsimin e lartë./Monitor