Cani: Qëllimi ynë, të eleminojmë abuzimet në çdo hallkë të tregtimit

309
Ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani, zhvilloi sot, një vizitë pune në depozitat bregdetare në zonën e Porto Romanos në Durrës. Ministri Cani u interesua gjatë kësaj vizite për ecurinë e treguesve në tregun e importit të hidrokarbureve, për problemet e hasura nga trupa e Shërbimit Doganor Shqiptar që vepron në këtë depozitë bregdetare, si dhe për procedurat e kontrollit ligjor, të parashikuara edhe në Kodin Doganor Shqiptar. Ministri vizitoi disa nga kompanitë që ushtrojnë veprimtari biznesi në fushën e importit të karburanteve, të prodhimit të biokarburanteve dhe të markimit dhe monitorimit të tyre. Z. Cani u interesua më pas dhe u takua edhe me grupin e kontrollit të përbashkët të Ministrisë së Financave, asaj të Energjisë, të Ekonomisë dhe të Rendit, të cilët prej disa ditësh vijojnë të ushtrojnë funksionet e përcaktuara në një udhëzim të përbashkët të ministrive të mësipërme. Me pas ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani zhvilloi një bisedë edhe me mediat e pranishme në këtë vizitë pune.
“Ky inspektim në depozitat bregdetare të Durrësit është pjesë e asaj strategjie që përcaktuam së bashku me kryeministrin dhe qeverinë për të siguruar standardet europiane në këtë treg, për t’i ofruar konsumatorit shqiptar cilësi dhe sasi, sipas pagesës që ai bën. Qëllimi është, që në çdo hallkë të tregtimit të eleminojmë abuzimet me cilësinë dhe sasinë dhe të sigurojmë pagesën e të gjitha detyrimeve që parasheh ligji fiskal. Këtu në Porto Romano nuk funksionojnë vetëm grupet e përbashkëta të kontrollit, por në kufirin detar janë edhe grupet e antikontrabandës, që kryejnë kontroll dhe matje në çdo anije me karburant që hyn në port. Ky kontroll i kryqëzuar ka sjellë edhe rezultatet e para, me të cilat jeni njohur edhe nga deklarimet zyrtare, por unë mund t’ju them se si rezultat i këtyre kontrolleve dhe mirë administrimit doganor vërehet një rritje prej rreth 10 % më shumë e sasive të zhdoganuara të karburanteve, deri tani”, tha ministri Cani. 
Duke folur për markimin dhe monitorimin e karburanteve nga një kompani koncensionale, shefi i Financave Shqiptare nënvizoi se nëse vitin e kaluar ishte një numër i konsiderueshëm kompanish që refuzonin kontrollin e markimit nga kjo kompani, në muajin që kaloi numri i tyre ishte zero. Duke folur me shifra konkrete, ministri Cani iu referua raportit të kompanisë koncensionare të markimit dhe monitorimit të karburanteve dhe të dhënave të fundit të Shërbimit Doganor Shqiptar, sipas të cilave për periudhën 23 Qershor 2014 – 30 Prill 2015, numri i njësive të kontrolluara është 2438, nga ku 2169 ose 89 % kanë rezultuar në rregull dhe 269 ose 11% kanë rezultuar me shkelje“Gjatë tre mujorit të parë të vitit 2015, numri i rasteve me shkelje (me përzierje karburantesh) ka tendencë rënie, ndërsa rastet e refuzimeve janë zeruar”, theksoi z. Cani.