Cani: Ja objektivat kryesore në buxhetin ’15, reformë në energji

731
Sigal

TIRANE– Projektbuxheti i qeverisë për vitin 2015 është prezantuar sot në Komisionin e Ekonomisë, pa praninë e deputetëve të opozitës. Ndërkaq, gjatë paradites, ministri i Financave Shkëlqim Cani e ka paraqitur këtë projektbuxhet edhe në konferencën e Kryetarëve, duke paraqitur edhe objektivat kryesore që do te ketë arka e shtetit vitin që vjen.

Në prezantim para deputetëve të Komisionit të Ekonomisë, ministri Cani tha se buxheti për 2015 fokusohet tek rritja ekonomike.

Sipas ministrit janë 4 objektivat kryesore ku do të fokusohet buxheti për vitin 2015: rritja e qëndrueshme ekonomik, ulja e borxhit publik, hapja e vendeve të punës, dhe menaxhimi i situatës në energjetikë.
 
“Ne shohim me optimizëm një zhvillim të ekonomisë shqiptare dhe i fokusuar kryesisht në buxhetin e shtetit. Është një buxhet i konsultuar gjerësisht me partnerët ndërkombëtarë të cilët na ndihmojnë nga ana teknike, por edhe financues të buxhetit. Buxheti garanton rritjen ekonomike, pagesat e prapambetura. Katër objektivat më madhore të buxhetit të vitit 2015:
Mbështetja e një rritje të qëndrueshme ekonomike zhvillimit të vendit, dhe hapja e vendeve të punës. Po kështu synohet ulja e rreziqeve të rritjes, si ulja e borxhit publik, si detyrë parësore e buxhetit, po kështu edhe menaxhimin e situatës në energjetikë, si një nga sektorët më problematikë që morëm nga qeveria e mëparshme.
 
Buxheti mbështet reformat strukturore. Janë një sërë reformash të thella që kërkojnë dhe po reformohen në shërbim të ekonomisë. Këto reforma janë ndihmëse të vetë buxhetit. Janë reforma e pensioneve, e cila ka filluar dhe e njohim në detaje, reformën në sektorin e energjisë, reformën administrativo-territoriale, e cila ka mbyllur ciklin kryesor të saj por do detajohet në vitin 2015. Gjithashtu është mbrojtja e reformës sociale.
 
Synohet përmirësim cilësor i shërbimeve publike, ne do të flasim se si t’i shpenzojmë në mënyrë më efiçente paratë në shërbim të publikut. Kjo pasi të gjitha taksat mblidhen me qëllim kryerjen e shërbimeve dhe punimeve më të domosdoshme ndaj publikut”, tha ministri Cani.

Krahasuar me këtë vit, të ardhurat sipas Qeverisë rriten me 46.5 miliardë lekë ose 12.6 për qind. Ministri i Financave i krahasoi këto rezultate me ato të qeverisë paraardhëse. Ndërsa shtoi se se rritja e të ardhurave dhe përmbajtja e shpenzimeve, bën që vitin tjetër pas disa vitesh rritje të fillojë ulja e borxhit publik.

Ministri Cani tha se do të ndryshojnë disa taksa vitin tjetër duke nisur me atë të të ardhurave personale. Një tjetër taksë që rritet është akciza e cigareve me 20 lekë për paketë. Ndërsa në ulje rishikohen taksa e siguriacioneve, për të cilën hiqet tvsh-ja 20% dhe vendoset një taksë bruto 3 për qind. Gjithashtu taksa e gomave të reja ulet nga 15 në 10% për qind, dhe hiqet akciza e pijeve energjike. Paralelisht lehtësira në taksë do të ketë edhe për bujqësinë.

Projektbuxheti dhe paketa fiskale do t’i nënshtrohen diskutimeve gjatë gjithë muajit, ku nuk do të mungojnë as seancat dëgjimore me grupet e interesit.

Votimi është parashikuar të bëhet në javën e fundit të këtij muaji.

Cani: Vijojmë shlyerjen e detyrimeve të prapambetura edhe në 2015
Ministri i Financave tha se gjatë vitit 2014 është regjistruar një ecuri pozitive në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, duke u shprehur se ky proces do të vijojë edhe në 2015.
 
“Banka e Shqipërisë relaton një përmirësim të ndjeshëm të biznesit në treguesit e rritjes ekonomike. Ecuri pozitive shlyerja e detyrimeve të prapambetura, kemi shlyer gjysmën e detyrimeve. Mbështesim energjetikën me 20 mld Lekë, në 2015 bëhet një kthesë e madhe në buxhetin e këtij institucioni për përmirësim cilësor të këtij sektori. Mbështetja nga BB me 150 mln për energjetikën është vlerësim pozitiv, është krijuar bindja te BB që ecuria e sektorit të energjisë do të jetë pozitive. Të ardhurat 415 mld lekë, 475 mld janë shpenzimet. Investimet publike janë rritur, deficiti 4% nga 6.6% që ishte parashikuar”, tha ministri Cani.

Cani: Hiqet akciza për pijet energjike, rritet tatimi mbi të ardhurat personale
Ministri Cani gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2015 është shprehur se do të hiqet akciza për pijet energjike, pasi kjo masë nuk ka rezultatin e pritur. Ndërsa nuk do të ndryshojë tatimi mbi pagën, do të ketë një rritje të tatimit mbi të ardhurat personale me 10-15 %.
 
“Duke filluar nga 1 janari 2015, organet tatimore nuk do bëjnë më rimbursim të TVSh me kontroll, por të ketë një tjetër skemë vlerësimi. Ato biznese që e kanë riskun 0 nuk do kontrollohen, ato që kanë riskun mesatar do kontrollohen 10 %, dhe ato që kanë riskun e lartë do kontrollohen 100 %. Hiqet akciza për pijet energjike, pasi nuk patëm rezultatin që pritem nga kjo masë.
Tatimi mbi të ardhurat personale, veç tatimit mbi pagën, merr një rritje 10-15 %. Ideja kryesore është nxitja e investimeve”, u shpreh ministri Cani.