Caktohen procedurat e reja për rimbursimin e TVSH-së

737
Sigal

Përmes një udhëzimi të publikuar në Fletoren Zyrtare, Ministria e Financave ka përcaktuar procedurat, formularët dhe afatet e reja kohore për rimbursimin e TVSH-së për bizneset. Udhëzimi përcakton hap pas hapi strukturat e administratës tatimore të përfshira në pranimin dhe verifikimin e kërkesave për rimbursim, deri te afatet kohore që duhet të respektojë Thesari i Shtetit për shlyerjen e detyrimit. Sipas udhëzimit, struktura përgjegjëse e degës së Thesarit, brenda ditës së nesërme të punës nga marrja e njoftimit të Drejtorisë Rajonale Tatimore, e regjistron atë sipas rastit në një regjistër të veçantë të saj, ku regjistron datën e kërkesës për rimbursim të personit të tatueshëm sipas datës së protokollit të kërkesës për rimbursim në Drejtorinë Rajonale Tatimore, si dhe të dhënat e tjera. “Struktura përgjegjëse e Thesarit në qendër merr masa për të siguruar likuiditetin e nevojshëm për pagesën e shumës së rimbursimit nga Drejtoria Rajonale Tatimore brenda 30 ditësh nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim kur personi i tatueshëm është eksportues, dhe brenda 60 ditësh nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim për rastet e tjera të personit të tatueshëm”, përcakton udhëzimi.

Bizneset

Për të kërkuar rimbursimin e TVSH-së, personi i tatueshëm, pasi të ketë plotësuar rubrikën përkatëse “Kërkesë për rimbursim të TVSH-së”, të formularit të deklarimit të TVSH-së të periudhës së fundit tatimore, dërgon në Drejtorinë Rajonale Tatimore një kërkesë me shkrim me objekt “Kërkesë për rimbursim të TVSH-së”, në të cilën specifikohen të dhënat identifikuese të personit të tatueshëm, bashkë me formularin përkatës. Drejtoria Rajonale Tatimore, me marrjen e kërkesës për rimbursim, protokollon kërkesën në regjistrin e protokollit dhe brenda ditës së nesërme e regjistron atë në një regjistër të veçantë për rimbursimet e TVSH-së, sipas rendit kronologjik të datës së paraqitjes së kërkesës. Punonjësi i ngarkuar me mbajtjen dhe administrimin e regjistrit të rimbursimeve, brenda 3 (tri) ditëve punë, nga data e regjistrimit në regjistrin e rimbursimeve, kryen dhe përfundon procesin e verifikimit paraprak të kërkesës për rimbursim.

Refuzimi

Në përfundim të procesit të verifikimit, personi përgjegjës mban një akt për evidentimin e plotësimit ose jo të kritereve për rimbursim. Në rastin kur nga procesi i verifikimit paraprak të kërkesës për rimbursim rezulton se kriteret nuk janë plotësuar, kërkesa konsiderohet e parregullt dhe nuk pranohet. Në këtë rast, punonjësi i caktuar me mbajtjen e regjistrit dhe me administrimin e kërkesave për rimbursim, brenda 2 (dy) ditëve punë nga përfundimi i procesit të verifikimit, nis nëpërmjet shërbimit postar për personin e tatueshëm një njoftim me shkrim me subjekt “Njoftimi për mospranim të kërkesës për rimbursim të TVSH-së”. Ky person i tatueshëm, mund të paraqesë një kërkesë të dytë të re për rimbursim sipas rregullave të mësipërme, vetëm pasi të ketë rregulluar situatën dhe të ketë eliminuar shkaqet për të cilat nuk iu pranua kërkesa. Në rastin kur nga procesi i verifikimit paraprak të kërkesës për rimbursim rezulton se kriteret janë plotësuar, punonjësi i caktuar me mbajtjen e regjistrit dhe me administrimin e kërkesave për rimbursim, brenda 2 ditëve punë nga përfundimi i procesit të verifikimit, nis njoftimin për degën përkatëse të Thesarit nëpërmjet shërbimit postar (elektronik dhe në formë shkresore). Një kopje e këtij njoftimi i dërgohet edhe personit të tatueshëm.