Byroja e Sigurimeve çon AMF në gjykatë, shkak Fondi i Kompensimit

379

Një vendim i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) i dhjetorit të vitit të shkuar që lidhej me Fondin e Kompensimit për vitin 2019 është bërë shkak që Byroja Shqiptare e Sigurimit të çojë çështjen në gjykatë. Tashmë kjo çështje ka arritur pranë Gjykatës Administative të Apelit dhe Byroja kërkon shfuqizimin e këtij vendimi. Por çfarë sansksionohet në vendimin që është kundërshtuar nga Byroja?

Në 28 dhjetor 2018 në vendimin 260 AMF vendosi që Fondi i Kompensimit për shlyerjen e detyrimeve që do të krijohej për pagesat e dëmeve të krijohej minimalisht në masën 566.4 milionë lekë.

Së pari, nga kjo shumë do të ishin 218.6 mln lekë, për shlyerjen e detyrimeve për pagesat e dëmeve me datë ngjarje sigurimi deri në 31.12.2013 (që i përket praktikave të përfunduara në vlerën 11.1 mln lekë si dhe praktikave në proces gjyqësor në Gjykatën e Apelit dhe në Gjykatën e Lartë).

Së dyti, 247.8 mln lekë, për shlyerjen e detyrimeve për pagesat e dëmeve me datë ngjarje sigurimi pas 1 janar 2014 e në vazhdim (që i përket praktikave të përfunduara në vlerën 100.6 mln lekë si dhe praktikave në proces gjyqësor në Gjykatën e Apelit dhe në Gjykatën e Lartë);

Së treti, duhej që Fondi i Kompensimit në vlerën minimale prej 100 mln lekë, të krijohej për shlyerjen e detyrimeve për pagesat e dëmeve me datë ngjarje sigurimi nga 01.01.2019 – 31.12.2019.

Shoqëritë e sigurimit duhet të krijonin një provigjon për shpenzime në pasqyrat financiare të vitit 2019, shumën totale prej 382.8 mln lekë, që i përket praktikave në proces trajtimi dhe në proces gjyqësor në Gjykatën e Shkallës së Parë. Në fakt Fondi i Kompensimit miratohet nga AMF por me propozim të Byrosë Shqiptare të Sigurimit e cila në vendimin e saj të Asamblesë kishte miratuar vetëm një fond për vitin 2019. “Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve te BSHS-së në mbledhjen e datës 18 dhjetor 2018, shqyrtoi Fondin e Kompensimit, situatën e çështjeve gjyqësore dhe me vendimin nr. 27 datë 18.12.2018, vendosi: 1. Shpërndarjen e Fondit të Kompensimit për periudhën 01 janar 2019 deri 31 dhjetor 2019 në masën 100,000,000 lekë, për pagesat e detyrimeve nga Fondi i Kompensimit. 2. Fondi do të rishikohet sipas nevojave që do të lindin gjatë vitit 2019” thuhej në vendim. Në atë kohë AMF do të vlerësonte se shuma e propozuar nga BSHS-ja sipas vendimit nr. 27, datë 18.12.2018 “Për miratimin e shpërndarjes së masës së kontributit për Fondin e Kompensimit për vitin 2019”, ishte e pamjaftueshme. Kjo bëri që AMF të miratonte një Fond Kompensimi prej 566 milionë lekë çka duket se ka bërë që Byroja dhe institucioni i mbikëqyrjes së tregut të shkojnë drejt gjykatës./Monitor