Bypass-i i Vlorës: Firmosin BERZH dhe “Financat”, në mars nis projekti

753
Sigal

TIRANE – Ministria e Financave ka nënshkruar sot marrëveshjen e Grantit mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për kryerjen e punimeve për ndërtimin e Bypass-it të Vlorës.
Marrëveshja është nënshkruhet për palën shqiptare nga ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe për BERZH nga Drejtori për Ballkanin Perëndimor, Holger Muent.

Sipas Ministrit të Financave Shkëlqim Cani kjo është një marrëveshje që konsiston në marrjen e një fondi prej 17 milionë euro, fond i cili është i Komisionit Evropian dhënë BERZH-it në funksion të Bypass-it të Vlorës dhe pastaj të rrugës në pjesën jugore të Vlorës. “Me këtë shumë plotësohet e gjitha vlera prej 53 milionë euro, e cila e gjitha shkon për 29 km rrugë, rrugë e cila shmanget nga qyteti i Vlorës. Do theksoja të rëndësishme nga ky projekt shmangien e ndotjes në qytet, po ashtu shtohet mundësia për një trafik të kontrolluar. Projekti lidh Levan-Vlorë me pjesën tjetër për të vijuar më tej në Orikum.”- tha ministri Cani. 


Ministri Haxhinasto i cili ishte i pranishëm në firmosjen e marrëveshjes tha se kjo është një vepër e rëndësishme. “Përfitimet janë shumë të mëdha në këtë projekt si turizmi, mjedisi, transporti. Brenda marsit firmosim për fillimin e punimeve, projekti parashikohet të realizohet për 30 muaj. Kërkesa do të jetë që kjo vepër të realizohet me cilësinë më të lartë.”- tha Haxhinasto. 
 
Holger Muent drejtori i BERZH për Balljkanin Perëndimor është shprehur se është i kënaqur për firmosjen e kësaj marrëveshje granti me fondet e IPA-s. “Kjo kompleton paketën e financimit për Bypass-in e Vlorës. Eshtë e rëndësishme, jo vetëm për përmirësimin e cilësisë e standardeve në zonën në Vlorës e përreth, por kontribuon në lidhje me rajonin e ndryshimin e Shqipërisë në një strukturë transporti efiçente dhe moderne.” – tha Muent.