Bumerangu 2 miliardë euro i koncesioneve

678
untitled
Sigal

Pagesat për PPP do të dyfishohen në 4 vitet e ardhshme duke shkaktuar rritjen e taksave për shqiptarët. Vetëm në gusht u dhanë 3 koncesione strategjike duke e çuar borxhin në 83%

Pagesat për PPP-të do të dyfishohen në 4 vitet e ardhshme, duke kulmuar në 2022

Bumerangu 2 miliardë euro i koncesioneve, a rrezikojmë rritjen e taksave?!

Në 15 vitet e ardhshme (2019-2032), qeveria është angazhuar në projekte të Partneritetit Publik-Privat (PPP), për të cilat do të duhet të paguajë në total 2 miliardë euro, që do të vijnë nga paratë, që mbledh nga taksapaguesit. Pagesat do të dyfishohen në 4 vitet e ardhshme, duke kulmuar në 2022, për të rënë më pas lehtë në vitet në vijim. Kjo do të përqendrojë burimet vetëm në pak projekte, duke kufizuar kryerjen e shpenzimeve të tjera kapitale. A rrezikojnë financat të tejkalojnë kufirin vjetor të pagesave, që do t’i detyronte të korrektonin të ardhurat, duke shkaktuar rritjen e taksave?! Për kompanitë koncesionare, biznesi me shtetin po rezulton i kënaqshëm, me norma fitimi që arrijnë në rreth 20%, por buxheti po shpenzon shumë për projekte pa produktivitet të lartë. Fatura që qeveria shqiptare është angazhuar të paguajë nga buxheti për projektet koncesionare të formës së Partneritetit Publik-Privat (PPP) për periudhën 2019-2032 parashikohet të arrijë në 250 miliardë lekë, ose gati 2 miliardë euro, sipas tabelave të publikuara nga Ministria e Financave.

 

Shqetësimet për PPP-të shihen në tre këndvështrime:

-Së pari, projektet PPP nuk raportohen si borxh, por në buxhet shfaqen vetëm pagesat korrente të vitit, në formën e shpenzimeve operative dhe atyre kapitale. Nëse detyrimet potenciale prej 2 miliardë eurosh do të llogariteshin si borxh, atëherë borxhi i përgjithshëm qeveritar do të rritej menjëherë me 15 pikë përqindje, duke e çuar atë në 83% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga rreth 68% që është aktualisht.

-Së dyti, nëse rrezikohet që pagesat e koncesioneve të tejkalojnë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit të mëparshëm, qeveria do të detyrohej të korrektonte të ardhurat, ku veprimi që sjell më shpejt para në buxhet është rritja e taksave.

-Së treti, ka munguar një analizë e qartë kosto-përfitime dhe ndarje rreziku, nëse zgjedhja për t’i dhënë shumë shërbime me koncesion ka qenë alternativa më e mirë. Përvoja po tregon se në shumë raste, kostot kanë rezultuar të fryra dhe vazhdojnë e rriten pa kontroll (si te Milot-Balldren), apo se kompanitë po i gëzohen një fitimi të sigurt pa marrë përsipër asnjë rrezik (si në rastin e koncesioneve në mjekësi).

A do të ruhet kufiri vjetor i pagesave

Ministria e Financave, në tabelat e saj, parashikon që në asnjë vit të mos cenohet respektimi i rregullit fiskal, në bazë të të cilit, pagesat për koncesionet nuk duhet të kalojnë 5% të të ardhurave tatimore të vitit të mëparshëm. Nëse të ardhurat faktike do të vijojnë të jenë më të ulëta se plani, atëherë kufiri prej 5% mund të arrihet brenda 3-4 viteve të ardhshme.

FMN parashikon dhe përkeqësim të rendimentit fiskal në vitet në vijim

Teksa ekonomia e Shqipërisë pritet të rritet me 4% në periudhën afatmesme, të ardhurat tatimore nuk do të mund të ndjekin rritjen, përkundrazi raporti i tyre me Prodhimin e Brendshëm Bruto do të vijë me ulje. Në vitin 2024, të ardhurat buxhetore në përqindje të PBB-së do të arrijnë në 26.9 nga 27.6% që ishin në fund të vitit 2018.

Financave u kufizohet mundësia për investime të tjera kapitale

Angazhimi me pagesat për koncesionet në 10 vitet e ardhshme i jep pak mundësi qeverisë që të përqendrohet në projekte të mëdha zhvillimi në afatin e mesëm e të gjatë. Mesatarisht, shpenzimet kapitale çdo vit, janë luhatur në rreth 60-70 miliardë lekë, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave. Në vitin 2024, pagesat për 14 koncesione do të arrijnë rreth 23 miliardë lekë, një shumë që është mesatarisht sa një e treta e asaj që investohet sot në total për rrugë, shkolla, spitale etj.

PROJEKTET ME KONCESION

Rruga Milot – Morinë

Koncesioni me afat 30 vjet, u miratua në 2016-n, buxheti parashikon t’i paguajë nga fondet e taksapaguesve edhe 12.4 miliardë lekë për periudhën 2019-2032, si kompensim për trafikun e munguar.

Ofrimi i Shërbimit të Kontrollit Bazë (Check-Up)

Afati i saj është 10 vjet. Vlera totale e saj ishte 8.7 miliardë lekë dhe deri në përfundim të saj, në vitin 2024, buxheti pritet të disbursojë edhe 5.2 miliardë lekë.

Sterilizimi pajisjeve kirurgjikale

Deri në vitin 2025, buxheti duhet t’i paguajë kompanisë 12.3 miliardë lekë.

Ofrimi i Shërbimit të Dializës

Shërbimi i Dializës u dha me koncesion në fillim të vitit 2016, për 10 vjet. Buxheti ka për t’i paguar kompanisë edhe 5.4 miliardë lekë deri në 2025-n.

Laboratorët

Për këtë koncesion do të paguhet 8.7 miliardë lekë për 10 vjet.

Inceneratorët

Për të tre inceneratorët, të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, buxheti pritet të paguajë edhe 46 miliardë lekë deri në 2046. Projekti më afatgjatë është inceneratori i Tiranës, që është i shtrirë deri në vitin 2046 dhe do të marrë pagesa nga buxheti në total prej gati 40 miliardë lekësh (314 milionë euro) për periudhën 2019-2046. Ky është dhe projekti më i shtrenjtë që paguhet nga shpenzimet korente. I dyti, inceneratori i Fierit, me kosto 3.97 miliardë lekë, një koncesion 7-vjeçar, do të marrë pagesa edhe për 5 vjet të tjera, deri në 2023, me një total të mbetur prej 3.3 miliardë lekësh. Fieri, një koncesion 6-vjeçar, ndonëse ka filluar ndërtimin me vonesë ka marrë pagesa prej 753 milionë lekësh në 2018-n, ndërsa edhe për 5 vitet e tjera, deri në 2023, do të marrë edhe gati 3.8 miliardë lekë.

Skanimi

Për 12 vitet e mbetura, buxheti do të duhet të paguajë edhe 23.4 miliardë lekë (deri në vitin 2030).

Rrugët

Ndërtimi dhe Operimi i Rrugës Thumanë-Vorë, më i shtrenjti me kosto totale, 56.4 miliardë lekë. Rruga e Arbrit ka nisur punimet në qershor të vitit të kaluar, me një vlerë 33.6 miliardë lekë. Financat kanë filluar pagesat që këtë vit me 2.6 miliardë lekë dhe deri në 2030 pritet që kompania të paguhet 40.6 miliardë lekë. Koncesioni Ndërtimi dhe Operimi i Portit të Jahteve Orikum – Dukat parashikon një total prej 11.8 miliardë lekësh për 11 vjet. Kuvendi miratoi në 18 korrik të këtij viti koncesionin për një pjesë të rrugës, një aksi 14.7 kilometra që lidh Portin e Jahteve në Vlorë me By Pass-in e Orikumit dhe Dukatin 74 milionë euro, që e fitoi “Gjikuria”, sh.p.k. Po më 18 korrik, Kuvendi miratoi një koncesion shumë të diskutuar Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP, të segmentit rrugor Milot – Balldren”, për një total prej 256 mln euro (shih nënndarjen Kostot e çmendura të Milot-Balldren).

Koncesionet po rezultojnë fitimprurëse për kompanitë, por për shtetin…

Një nga përparësitë teorike të PPP-ve është ndarja e rrezikut me privatin. Në Shqipëri, kjo nuk duket të ndodhë. Sani Service, koncesionari i sterilizimit, raportoi 404.7 milionë lekë (rreth 3.2 milionë euro) fitime në 2018-n, me një rendimet (fitim bruto/ardhura) prej 21%, sipas të dhënave nga Tatimet. Nëse do të mbajë të njëjtën normë fitimi dhe në vitet e ardhshme (ndonëse fitimet mund të rezultojnë më të larta pasi amortizimi i investimit sa vjen e ulet), kompania ka të garantuara dhe të paktën 20 milionë euro fitime në 7 vitet e ardhshme. Kjo shumë do të ishte e mjaftueshme për të ndërtuar një spital nga e para. 3P Life Logistic, koncesionari i check up, raportoi fitime prej 90 milionë lekësh, me normë fitimi prej rreth 10%. Kompania ka të garantuar pagesat për kontrollin e 475 mijë personave, pavarësisht sa kontrolle kryen realisht. Qeveria e paguan kompaninë me 12 euro për çdo kontroll, teksa pjesa më e madhe e analizave kushtojnë në laboratorët privatë jo më shumë se 3 euro. Integrated Technology Services, koncesionari i mbetjeve të Elbasanit raportoi fitime prej 95.6 milionë lekësh në 2018-n, me një normë kthimi prej 15%. Albanian Highëay Concession për tre muajt e parë të aktivitetit raportoi 161 milionë lekë fitime, me një normë fitimi prej gati 15%. Edhe kjo kompani e ka fitimin e garantuar, pasi do të kompensohet nga shteti për trafikun e munguar.