Bujar LESKAJ: Përgatitja e Projekt-Buxhetit të Shtetit për vitin 2014 është një sfidë e madhe

715
Sigal

Raporti i paraqitur nga KLSH nw Komisionin e Ekonomisë dhe Financave nw lidhje me  zbatimin e Buxhetit të Shtetit të vitit 2012 nw respekt me detyrimet kushtetuese

*Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit

Opinioni i përgjithshëm i KLSH, në perputhje të plotë me Standardin ISSAI 1700 të auditimit suprem, për ‘Zbatimin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2012’, para miratimit të tij nga Kuvendi i Shqipërisë, është se përgatitja, shqyrtimi dhe miratimi i buxhetit të vitit 2012, zbatimi, ndjekja dhe rishikimi i tij, të drejtat dhe kufizimet për huamarrjen, garancitë dhe format e tjera të rrjedhura prej tyre si dhe kontrolli, kontabiliteti, raportimi dhe auditimi i këtij buxheti, janë kryer në respektim të kërkesave të ligjit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”; të ligjit “Për Buxhetin e Shtetit të vitit2012”, të ndryshuar, si dhe të ligjit “Për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin”. Duke patur parasysh mjedisin e pafavorshëm në të cilin u realizua Buxheti i vitit 2012, si pasojë e ndikimit në rritje të elementëve të krizës ekonomike dhe financiare botërore dhe sidomos në Eurozonë, vlerësojmë pozitivisht punën e bërë nga Qeveria Berisha në tërësi, nga Ministria e Financave, Ministritë e tjera, institucionet e tjera qendrore dhe vendore, si dhe entet e tjera publike të audituara, për përmbushjen e objektivave të Buxhetit të vitit 2012 dhe për zbatimin e masave të programuara, në kuadër të Planit Kombëtar të Zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE.

-Treguesit Makroekonomikë

KLSH konstaton se treguesit fiskalë të konsoliduar të Buxhetit të Shtetit për vitin 2012, në tërësi janë realizuar. Të ardhurat e përgjithshme të buxhetit të shtetit janë 330,4 miliardë lekë. Shpenzimet e përgjithshme buxhetore janë 376.2 miliardë lekë. Defiçiti i Përgjithshëm i Buxhetit te Shtetit është 45.9 miliardë lekë, duke u mbajtur nen kontroll per vitin 2012. Borxhi publik arriti në 828.3 miliardë(5.9 miliarde euro duke përfaqësuar 61.5 % te Produktit te Brendshem Bruto te vendit(PBB).

-Detyrimet ndaj sipërmarrjes private

Krahas rritjes së borxhit publik, shqetësim për ekonominë tonë përbëjnë dhe detyrimet që Buxheti i Shtetit ka kundrejt sipërmarrësve privatë. Në raportin “Për zbatimin e buxhetit të shtetit të vitit 2011”, kemi rekomanduar: “saktësimin dhe shqyrtimin me realizëm të gjendjes së këtyre borxheve, si dhe përcaktimin e masave për të lehtësuar sa të jetë e mundur sipërmarrjen private nga kosto e kredive që ajo mund të ketë marrë për përmirësimin e situatës së saj financiare, nëpërmjet ndërhyrjes për ristrukturimin e kredive dhe ndërkohë mbledhjen e borxheve të këqija”. Kemi konstatuar mos angazhim për të zbatuar rekomandimin tonë dhe një përkeqësim të situatës, si rrjedhojë e çeljes së fondeve në mënyrë pjesore, apo realizim të investimeve të reja, pa mbuluar me fonde investimet në proces. Kemi rekomanduar që në Ligjin “Për Buxhetin e Shtetit të vitit2014” të parashikohet që të ardhurat nga privatizimet duhet të përdoren së pari dhe kryesisht për të ulur borxhin publik, ku 50% të jetë kufiri i poshtëm, dhe pjesa tjetër të shkojë për uljen e detyrimeve për faturat e papaguara ndaj sipërmarrësve privatë për punët publike të realizuara. Të parashikohet që institucionet buxhetore, gjatë detajimit të fondeve të investimeve publike, të kenë detyrimin e përfshirjes në financimin e vitit “në rradhë të parë” të të gjitha investimeve të kontraktuara, apo punimeve të cilat rezultojnë të realizuara dhe nuk janë financuar për vitin ushtrimor. Këto procedura të përfshihen në udhëzimin specifik për zbatimin e Buxhetit të Shtetit të vitit 2014 dhe të jenë pjesë e Ligjit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor”.

Për shkak të ndjeshmërisë së madhe që ka fenomeni i detyrimeve të Buxhetit të Shtetit ndaj kontraktorëve privatë, fokusuam auditimin edhe në mënyrën e rregjistrimit në sistemin informatik. Nga auditimi i kryer në disa degë thesari, rezultoi se për kontratat shumëvjeçare, regjistrimi në sistem kryhet për vlerën totale dhe për vitin korrent, duke mos marrë në konsideratë afatet e realizimit të këtyre kontratave në vite dhe nevojën për financime sipas këtyre afateve. Kemi rekomanduar që në Udhëzimin standard të zbatimit të Buxhetit te vitit 2014, të shtohet përcaktimi që: “Degët e thesarit në rrethe, në rastin e kontratave shumëvjeçare, të regjistrojnë në sistem kontratat në shtrirje sipas viteve të parashikuara”.

-Korrektimi i buxhetit

Kemi rikonstatuar rishikimin e treguesve buxhetorë gjatë zbatimit të buxhetit, i shkaktuar, në gjykimin tonë, nga parashikimi optimist i performancës së të ardhurave buxhetore në fillim të vitit. Kjo situatë ka sjellë reduktimin e shpenzimeve buxhetore gjatë vitit, gjë që u shoqërua me efekte negative në mbajtjen e një disipline fiskale efektive. Për vitin 2012, vërejtëm se të ardhurat buxhetore u korrektuan me rreth 23 miliardë lekë dhe shpenzimet me rreth 14 miliardë lekë. Defiçiti buxhetor u korrektua me rritje me 8 miliardë lekë.

Duke e konsideruar një situatë të tillë të papranueshme, kemi rekomanduar që Ministria e Financave të marre masa për realizimin e proceseve të planifikimit buxhetor mbi baza realiste, duke forcuar kapacitetet planifikuese, me synim që të ndërpriten praktikat e korrektimit të buxhetit gjatë zbatimit të tij. Praktika e korrektimit është e dëmshme kudo, por veçanërisht rishikimi në ulje për institucionet kushtetuese është i papranueshëm dhe jo-ligjor, kur nuk kalon në komisionet përkatëse të Kuvendit. Tradita negative vazhdoi edhe këtë vit nga qeveria e re.

 -Konsolidimi i pasqyrave financiare

Në vijimësi, në raportet tona kemi evidentuar problematikën e mungesës së pasqyrave financiare të konsoliduara të Shtetit, situatë që është përsëritur edhe për vitin 2012. Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, që në bazë të ligjit është përgjegjëse për raportimin financiar, nuk ka bërë të mundur hartimin e këtyre pasqyrave në përputhje me të gjitha kërkesat ligjore dhe rregullatore që lidhen me raportimin financiar. Informacioni i plote, i pergjegjshem dhe profesional per llogarite e Shtetit kërkon përgatitjen e pasqyrave financiare te konsoliduara.

Hartimi i bilancit pasuror të shtetit, në përputhje me standartet ndërkombëtare të kontabilitetit publik është një objektiv strategjik për të cilin është parashikuar realizim gradual. Duke vlerësuar si të domosdoshme pasqyrat financiare të konsoliduara të Shtetit në marrjen  e një pamje të qartë të situatës financiare të Shtetit, por dhe duke njohur rëndësinë e tyre për të siguruar një qeverisje më të mirë, kemi rekomanduar që Ministria e Financave (Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit) të marrë masa të menjëhershme për përgatjen e pasqyrave financiare të konsoliduara të Shtetit për vitin 2012, dhe në vijim të realizohet rishikimi brenda një kohe të shkurtër i kuadrit të plotë rregullator të raportimit financiar në sektorin publik, duke mbajtur parasysh Standartet Ndërkombëtare të Kontabilitetit të Sektorit Publik, si dhe duke i dhënë rëndësinë e duhur fuqizimit të sektorit të kontabilitetit dhe raportimit financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Thesarit.

-Fondi rezervë i Këshillit të Ministrave dhe ai i kontigjencave

Nga auditimi i përdorimit të Fondit Rezervë të Këshillit të Ministrave për vitin 2012, në shumë nga projektet u  konstatua përdorimi korrekt, ekonomik dhe ligjor i këtij fondi nga Këshilli i Ministrave. Gjatë auditimit të përdorimit të Fondit të Kontigjencës për ruajtjen e defiçitit, konstatuam përdorimin e tij me Vendim te Keshillit te Ministrave, per qellime te tjera. Kemi rekomanduar që në Ligjin per Buxhetin e Shtetit te vitit 2014, Ministria e Financave të kërkojë që përdorimi i Fondit të Kontigjencës për ruajtjen e defiçitit buxhetor, të bëhet me miratim nga Kuvendi i Shqipërisë.

-Garancitë shtetërore në dobi të palëve të treta

Gjatë auditimit të garancive shtetërore në dobi të palëve të treta, rishtas  konstatuam shuma të konsiderueshme të papaguara nga huamarrësit dhe përfituesit e garancive shteterore, kryesisht ndermarrjet e ujesjellesit. Edhe njëherë, kemi rekomanduar kryerjen e inspektimeve financiare për ndërmarrjet e ujësjellësve përfituese të nënhuave dhe garancive, ne lidhje me mënyrën e menaxhimit të fondeve publike dhe dokumentimin, inventarizimin dhe kontabilizimin e drejtë të përfitimeve te tyre nga projektet.

Auditimi i kryer në Bankën e Shqipërisë

Duke vlerësuar maksimalisht rolin e rëndësishëm që ka patur Banka e Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit monetar, si dhe duke patur parasysh gjendjen e ekonomise te prekur ndjeshem nga pasojat e krizës globale, theksojmë se konstatimet e auditimit nuk mund të zhvlerësojnë përpjekjet e mëdha që Banka e Shqipërisë ka bere për të arritur objektivat e saj.

Vërejtëm se sipas ligjit “Për Bankën e Shqipërisë” të vitit 1997, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës ka të drejtën për të përcaktuar nivelin e pagave dhe të shpërblimeve të stafit të Bankës së Shqipërisë. Nga auditimi rezultoi rregullshmëria ligjore e pagesave të mbështetura në vendimet e ketij Keshilli, por konstatuam mosrespektim të ndjeshmerise qytetare në lidhje me nivelet shumë të larta të pagesave për drejtuesit, krahasuar me nivelin e pagës dhe trajtimet e punonjësve të institucioneve të tjera kushtetuese.  Kemi rekomanduar që të fillojë nisma ligjore për rishikimin e Ligjit për Bankën e Shqipërisë, në frymën e minimizimit të riskut potencial të abuzimit me pavarësinë dhe shmangies së konfliktit të interesit, që evidentohet në praktikat e përcaktimit të pagave dhe shpërblimeve për nivelet drejtuese. Kërkuam që të përcaktohet një kornizë e kujdesshme rregullatore në lidhje me nivelin e pagës së Guvernatorit, e cila duhet të ndjekë trendin e pagave të tregut bankar, por gjithmonë duhet të jetë në raporte të pranueshme, krahasuar me pagën e Presidentit të Republikës, bazuar kjo në përvojat dhe praktikat më të mira të vendeve të ngjashme, por pa harruar përshtatshmërinë me realitetin shqiptar. Kerkuam gjithashtu, të vendosen nivele të arsyeshme për shpërblimin e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës, në mënyrë që pagat e tyre së bashku me shpërblimin në BSH, të mos jenë më shumë se sa paga e anëtarëve të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Konstatuam se, sipas ligjit “Për Bankën e Shqipërisë” të vitit 1997, Këshilli Mbikëqyrës i saj (kryetar i të cilit është vetë Guvernatori) ka të drejtën të caktojë audituesin e jashtëm të Bankës nga institucioneve audituese të njohura në arenën ndërkombëtare. Referuar edhe praktikave më të mira botërore, kemi rekomanduar ndryshimin e mënyrës së përzgjedhjes së audituesit të pasqyrave financiare te Bankes, për të shmangur konfliktin e interesit në përzgjedhjen e tij, duke ia kaluar këtë kompetencë Kuvendit të Shqipërisë. Kerkuam që Kuvendi të përzgjedhë vetëm audituesin ndërkombëtar të pavarur, ndersa pagesa e shërbimit të mbulohet nga Banka e Shqipërisë. Ne, si Institucion Suprem Auditimi, mendojmë që Komisioni i Ekonomisë, Komisioni i Ligjeve dhe Kuvendi duhet ta trajtojnë këtë problematikë në thellësi, në mënyrë që, duke mos cënuar pavarësinë e këtij Institucioni të rëndësishëm dhe në kujdes të ruajtjes së qëndrueshmërisë së burimeve njerëzore cilësore të tij, të bëhen ndryshimet e nevojshme ligjore, në bashkëpunim dhe në respekt të Bankës së Shqipërisë dhe drejtuesve të saj, por mbi të gjitha, në respekt të ndjeshmërisë qytetare.

Të ardhurat buxhetore nga tatimet

Për vitin 2012, strukturat e Tatimeve mblodhën 3.2% të ardhura më pak nga viti 2011. Në kushtet kur ekonomia rritet, edhe pse në mënyrë modeste, kjo dëshmon punë të pamjaftueshme dhe jo efiçiente të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe njësive të saj vartëse. Konstatuam se Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj, që krijon rreth 46% të të ardhurave tatimore, ka një strukturë me 140 punonjës, ndërkohë që 1,279 punonjës të tjerë realizojnë 54% të të të ardhurave tatimore, pa përmendur strukturën e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me 187 punonjës. Këto shbalancime kërkojnë një ristrukturim të kujdesshëm të tatimeve, për t’i bërë ato efiçiente.

Për vitin 2012, borxhi tatimor rezultoi në një nivel shumë të lartë, me rreth 70 miliardë lekë, ose 500 milionë euro, me një rritje 8% nga viti 2011. Rritja e borxhit tatimor, megjithë pakësimin e debitorëve, si pasojë e zbatimit të ligjit “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të Borxhit Tatimor dhe Doganor”, thekson paaftësinë e administratës tatimore në mbledhjen e borxhit tatimor.

-Të ardhurat buxhetore nga organet doganore

Nga auditimi konstatuam një punë te vlerësueshme nga Drejtoria e Pergjithshme e Doganave(DPD) në realizimin e të ardhurave nga sistemi doganor. Keto të ardhura jane ne rritje në krahasim me një vit më parë. Gjatë vitit 2012, borxhi doganor rezulton me rritje, i shtuar ne subjekte dhe në vlerë. Konstatuam përpjekje të pafinalizuara të autoriteteve doganore kompetente dhe strukturave të specializuara të Administratës Doganore, për rikuperimin e borxhit doganor, qoftë dhe me forcë, ndërkohë që gjatë auditimeve në gjashtë degë doganore, kemi konstatuar dëm ekonomik.

Buxheti i pushtetit vendor

Për të mundësuar dhënien e një opinioni të bazuar për zbatimin e ligjishmërisë nga njësitë e pushtetit vendor, kemi audituar 40 subjekte, nga të cilat 22 bashki, 11 komuna, 2 këshilla qarqesh, 2 prefektura dhe 3 ndërmarrje në varësi të Bashkisë Tiranë. Nga auditimi ka rezultuar se, të ardhurat në total në pushtetin vendor janë realizuar me ulje 9.2 përqind nga viti 2011. Shpenzimet rezultuan në masën 101.1% kundrejt planit, dhe ne ulje me 2.8% kundrejt nje viti me pare. Kemi rekomanduar marrjen e masave urgjente nga organet e pushtetit vendor, per permiresimin e gjendjes dhe shpërblimin e demit ekonomik të konstatuar.

Investimet dhe projektet me financim të huaj dhe shoqëritë tregtare

Kemi audituar 7 projekte me financime të huaja, të cilat kanë pasur disbursime gjatë vitit 2012, ku kemi evidentuar mangësi dhe probleme të shoqëruara dhe me dëm ekonomik, kryesisht evazion fiskal si pasojë e mosderdhjes së detyrimeve të tatimit mbi të ardhurat. Auditimi i kryer në 9 shoqëri tregtare ka identifikuar mjaft të meta dhe parregullsi në menaxhimin e tyre, madje dhe shkelje të ligjshmërisë në fushën e shpenzimeve. Kemi rekomanduar që për shoqëritë aksionere të audituara, Ministria e Ekonomise dhe ministritë e tjera respektive të marrin masa të menjëhershme për mënjanimin e shkeljeve të disiplinës financiare.  Problem mjaft serioz vazhdon të mbetet gjendja e shoqërisë “Albpetrol” sh.a. Fier. Edhe në auditimin e përfunduar në ditët e para të muajit shtator 2013, përsëri evidentuam mjaft parregullsi dhe shkelje të legjislacionit, me pasojë dëm ekonomik. Kemi kerkuar arkëtimin në rrugë ligjore të vlerës prej rreth 5,4 miliardë lekë që Shoqëria “Armo” sh.a. Fier, i detyrohet shoqërisë “Albpetrol” sh.a. Fier, detyrim ky që i përket vitit 2011. Për këtë detyrim, është bërë kërkesë padi në gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë në qershor të këtij viti, me paditës shoqëria “Albpetrol” sh.a. Fier dhe i paditur Shoqëria “Armo” sh.a. Fier. Kërkuam gjithashtu arkëtimin e vlerës prej rreth 2,2 miliardë lekë për shlyerjen e detyrimit të furnizimit me naftë dhe gaz që tre kompani private që operojnë në fushën e naftës dhe të gazit i kanë Albpetrol.

-Koncensionet në fushën e bakrit, kromit dhe energjetikës   

Auditimi i koncesioneve në fushën e bakrit, kromit dhe energjitikes nga ne ka filluar nga muaji qershor 2013. Ky auditim nuk është përfunduar, pasi per një periudhë prej një muaj e gjysem grupi i auditimit u pengua të realizojë misionin e tij nga ish Sekretari i Përgjithshëm Dardan Domi. Falë ndërhyrjes së ish ministrit, aktualisht Deputet i Kuvendit z. Florjon Mima, kjo situatë jo normale u kalua dhe puna audituese eshte ne proces.

-Përgatitja e projekt-buxhetit të vitit 2014

Me synim miradministrimin e fondeve publike gjatë vitit të ardhshëm buxhetor 2014, duke patur parasysh porosinë e përmbajtur në Deklaratën e Pekinit të Kongresit të XXI-të të INTOSAI, dhe nën këndvështrimin e rekomandimeve të Kongresit të V-të të EUROSAI-t për rritjen e rolit të Parlamentit në përgatitjen e Buxhetit të Shtetit, duke përdorur me efektivitet SAI-n, sygjerojmë:

  • Përgatitjen e një Buxheti realist, duke shmangur praktikën e vërejtur vitet e fundit të korrigjimit të Buxhetit në gjysmën e vitit financiar;
  • Vendosjen e një tavani kushtetues për borxhin publik në përqindje të PBB-së, me kusht që ai të tejkalohet vetëm në rastet e emergjencave, katastrofave natyrore, dhe krizave ekonomike. Në rastet e tejkalimit të kufirit, Qeveria të marrë masa për balancimin e Buxhetit. Të vendoset në ligjin “Për Menaxhimin e Buxhetit një nen që të ardhurat nga privatizimi të përdoren në rradhë të parë dhe jo më pak se 50 përqind, për uljen e Borxhit;
  • Për borxhin e Qeverisë ndaj kontraktorëve privatë, vendosjen në Ligjin “Për Buxhetin e Shtetit të vitit2014”të një neni që në të ardhurat nga privatizimet, pjesa e mbetur pas përdorimit të 50 përqind e lartë të fondeve për të ulur borxhin publik, të shkojë për uljen e detyrimeve për faturat e papaguara ndaj sipërmarrësve privatë për punët publike të realizuara. Kërkesën ndaj sistemit bankar që të mos bllokojë dhënien e kredive për kompanitë, të cilave Shteti u ka borxh;
  • Vendosjen në Ligjin “Për Buxhetin e Shtetit të vitit2014”të një neni që përdorimi i Fondit të Kontigjencës për ruajtjen e defiçitit buxhetor, të bëhet me miratim nga Kuvendi i Shqipërisë;
  • Zvogëlimin deri në arkëtimin e plotë të vlerës së borxhit tatimor dhe doganor;
  • Konsolidimin dhe mirëfunksionimin e strukturave të menaxhimit financiar, kontrollit dhe auditimit të brendshëm, në përputhje me kërkesat e legjislacionit të miratuar dhe me kërkesat e parashtruara nga BE për vendin tonë, në kuadër të Kontrollit të Brendshëm Financiar të Sektorit Publik.

Borxhi publik

Në bazë të standardit ISSAI 5440 për Auditimin e Borxhit Publik “Udhezim per planifikimin dhe kryerjen e nje auditimi mbi Borxhin Publik”, u përqëndruam në auditimin e ligjshmërisë së menaxhimit te borxhit publik për vitin 2012. Theksojmë se me ligjin nr. 114 datë 07/12/2012, te hyrë në fuqi me 3 Janar të vitit 2013, është hequr kufiri ligjor i borxhit prej 60% të PBB-së. Borxhi publik ka ngelur pa një tavan të përcaktuar dhe kjo ka krijuar premisa për rritje të vazhdueshme të tij në periudhat në vijim.

Në vijim dhe të rekomandimit të lënë prej nesh në vitin 2012, i kemi rekomanduar Ministrise se Financave të ngrejë një grup pune me ekspertët më të mirë të fushës, për përgatitjen dhe paraqitjen e një nisme ligjore për vendosjen në Kushtetutë dhe në Ligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor” të pragut të treguesit të borxhit publik ndaj PBB-së. Ne të, të parashikohet që: “Përjashtim nga ky rregull të bëjnë rastet e emergjencave, katastrofave natyrore dhe krizave ekonomike”. Ne momentin e kalimit të pragut të borxhit publik kundrejt PBB-së, nga situatat e parashikuara, Qeveria duhet të marre masa për balancimin e Buxhetit.

Nga auditimi, konstatuam se ligji “Për menaxhimin e sistemit buxhetor” është i ndryshueshëm me vendimmarrjen e thjeshte në Kuvend. Me synim zvogëlimin e risqeve potenciale ndaj këtij ligji themeltar për menaxhimin e financave publike, kemi rekomanduar që ligji te ndryshohet vetem me shumicë të cilësuar parlamentare.

-Financimi me përparësi për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë 

Me ndjeshmërinë e të gjithë shoqërisë për perparesine që duhet të ketë trajtimi financiar i shtresës së ish-të përndjekurve politikë, si dhe nga situata aktuale jo në përmirësim, kemi rekomanduar që të shqyrtohet mundësia që në Ligjin “Për buxhetin e shtetit të vitit2014”të parashikohet financimi me perparesi nga të ardhurat e privatizimit të dëmshpërblimit ligjor të ish të përndjekurve politikë. Ndoshta 20 përqind e këtyre të ardhurave duhet të përdoret për këtë dëmshpërblim.

Konflikti i kompetencave me DPT

Një problem tepër shqetësues dhe tejet pengues për KLSH-në në ushtrimin e detyrave të tij kushtetuese dhe ligjore, i cili vazhdon prej vitesh dhe kërkon zgjidhje të menjëhershme, është konflikti i kompetencave, i krijuar artificialisht, ndërmjet KLSH dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. DPT, aktualisht është i vetmi institucion shtetëror që nuk i nënshtrohet procesit të auditimit të mbledhjes së të ardhurave, siç përcaktohet në Deklaratën e Limës ose ndryshe Kushtetuta e Institucioneve Supreme të Auditimit, në Kushtetutën e Shqipërisë, në Ligjin Organik të KLSH dhe në standardet ndërkombëtare të auditimit. Kjo çështje po shkon drejt zgjidhjes, me vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit, që i ka dhënë të drejtë KLSH.

Buxheti i Sigurimeve Shoqërore

Sigurimet shoqërore sigurojnë 15% të të ardhurave të Buxhetit të Shtetit. Per vitin 2012, ato grumbulluan 49,3 miliardë lekë, ose 2.8 % me pak se plani vjetor. Konstatuam mosrealizim të të ardhurave të programuara. Kemi rekomanduar marrjen e masave të menjëhershme nga ISSH, Ministria e Financave dhe DPT dhe hartimin e një udhëzimi të Ministrit të Financave, ku të përcaktohet mënyra e raportimit dhe evidentimit të kontributeve, mënyra e raportimit të të dhënave mujore dhe  progresive për detyrimet e kontributeve të  papaguara në afat dhe për kamatvonesat e tyre, si dhe sanksione më të ashpra për mosdorëzim të listepagesave brenda afateve. Konstatuam se defiçiti i pensioneve eshte rritur ndjeshem dhe vetëm për vitin 2012, zë rreth 1,5% te PBB-se. Me qellim uljen e deficitit, i kemi rekomanduar ISSH, që në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe DPT, të studjojë dhe propozojë një reformë të plotë për të gjithë sistemin e sigurimeve shoqërore per nivelin e personave të siguruar; sistemin e pensioneve; formulën aktuale të pensionit; evazionin fiskal; mënyrën dhe rregullat e indeksimit të pensioneve, si dhe skemat shtetërore të veçanta dhe suplementare të pensioneve, etj.