BSH: Pritet rritje e aktivitetit kreditues

186
Ekspertët e bankave presin rritje të aktivitetit kreditues, si në monedhën vendase dhe në valutë, gjatë tremujorit të ardhshëm. Ndersa normat e interesit pritet të vijojnë të jenë në kahun rënës përgjatë tremujorit të tretë të vitit 2015. Sipas vrojtimit te Bankes Qendrore, kërkesa për kredi e individëve vijoi të vlerësohet në rritje edhe në tremujorin e dytë të vitit 2015. Balanca neto shënoi vlerën 29.9%, nga rreth 2.8% që ishte në tremujorin e mëparshëm dhe kërkesa u vlerësua pozitivisht dhe në përmirësim të ndjeshëm për kreditë më qëllim financimin e konsumit dhe financimin e blerjes së banesës. Ekspertet bankar shprehen se, faktorët kryesorë që kanë ndikuar në ecurinë pozitive të kërkesës gjatë tremujorit të dytë të vitit 2015 vijojnë të jenë: kushtet e kreditimit të aplikuara nga bankat, nevoja për financimin e konsumit dhe blerjes së banesës. Pozitivisht, por në një shkallë më të ulët, ndikuan edhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme, vendimet e Bankës së Shqipërisë dhe përmirësimi i besimit konsumator. Përdorimi i burimeve alternative të financimit ishte faktori i vetëm me ndikim negativ në kërkesën për kredi të individëve.