BSH: Bankat kreditojnë më lehtë individët se kompanitë

642
Bankat po kreditojnë më lehtë inidvidët sesa biznesin. Banka e Shqipërisë ka konstatuar në vrojtimin për aktivitetin kreditues në tremujorin e tretë të këtij viti, se standardet e kreditimit të individëve janë lehtësuar, ndërsa ato të bizneseve kanë mbetur të pandryshuara.
Qytetarët konsiderohen nga bankat si klientë më të besuar për t’u kredituar krahasuar me bizneset.
Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë për aktivitetin kreditues në tremujorin e tretë të këtij viti tregon se starndardet e dhënies së kredive kanë mbetur të pandryshuara për bzineset, si për kredinë për financim të kapitalit qarkullues, ashtu edhe për financim të investimeve.
Ndërsa për individët ato janë lehtësuar, si për kredinë konsumatore, ashtu edhe për blerje banese.
Për bizneset, në kahun shtrëngues të standardeve ndikuan zgjerimi i marzhit për kreditë me rrezik dhe ulja e maturitetit. Kërkesa e bizneseve për kredi vijoi prirjen rënëse, ndërsa kërkesa e individëve shënoi ritme më të ulëta rritëse në tremujorin e tretë.
Kjo e fundit ka shënuar zhvillime pozitive gjatë dy viteve të fundit. Për tremujorin e katërt, bankat vijojnë të jenë më optimiste për kredinë dhënë individëve. Kështu, ato presin vijim të lehtësimit të standardeve, si për kredinë për blerje banese, ashtu edhe për kredinë konsumatore dhe rritje të kërkesës.
Për bizneset, bankat presin lehtësim të standardeve, por në shkallë më të ulët sesa pritjet për kredinë e individëve. Bankat parashikojnë rritje të kërkesës nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por rënie të saj nga ndërmarrjet e mëdha.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë dëshmojnë se kreditimi i është rikthyer trendit rënës. Në fund të gushtit, totali i kredisë arriti në 550.2 miliardë lekë, me rënie 1.5 miliardë lekë kundrejt korrikut. Ndërsa kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, rënia vlerësohet në 1.2%.
Sigal