Braçe: Guvernatori, vullnet i Nishanit, Kuvendi drejt rrëzimit

701
Sigal

TIRANE  – Dekreti i Presidentit Bujar Nishani që propozon Gent Sejkon guvernator të Bankës së Shqipërisë pritet të kalojë në “filtrin” e Komisionit Parlamentar të Ligjeve për tu parë nëse është në përputhje me ligjin.
 
Ishte kreu i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe, i cili paralajmëroi këtë hap të mazhorancës në momentin që dekreti i Nishanit do të futet në rendin e Kuvendit për diskutim. Deputeti socialist u kujdes të mos ndalet tek emri i propozuar, por specifikisht tek procedura e ndjekur për zgjedhjen e Guvernatorit të ri të Bankës së Shqiëprisë.
 
Braçe tha se precedentët e mëparshëm sqarojnë se Guvernatori i BSH zgjidhet nga radhët e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të institucionit më të lartë financiar në vend. Siç thuhet në Ligjin  për Bankën e Shqipërisë, anëtarët propozohen vetëm nga Kuvendi, qeveria dhe vetë Bordi Mbikëqyrës. Në këto kushte, tha Braçe, Komisioni i Ligjeve duhet të shikojë ligjshmërinë ose jo të propozimit që ka bërë kreu i shtetit Bujar Nishani.

“Unë do të kërkoj investimin e Komisionit të Ligjeve për të parë dekretin nga përputhshmëria me ligjin. Sepse në të gjithë historinë e Bankës së Shqipërisë ka një problem shumë të madh ligjor që ka të bëjë me të drejtën  e propozimit të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ligji është shumë i qartë, 5 anëtarë i propozon Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, 3 anëtarë i propozon qeveria dhe 1 anëtar e propozon Këshilli i Bankës së Shqipërisë. Asnjë institucion tjetër përtej këtyre tre institucioneve nuk angazhohet apo ngarkohet nga ligji për të përzgjedhur anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të BSH. Për fat të keq guvernatori sipas ligjit duhet të jetë edhe anëtarë i Këshillit Mbikëqyrës kështu që mbetemi në këtë moment ligjor që duhet ta zgjidhin institucionet të tjera të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Nga ana tjetër doja t’u thoja qartësisht që ka precedent të zgjedhjes së guvernatorit që nga vitet ‘92 e me radhë dhe precedentët dëshmojnë qartë se si zgjidhet guvernatori, nga radhët e kujt zgjidhet guvernatori dhe çfarë funksioni ka pasur guvernatori
”, deklaroi Braçe.


I pyetur nga mediat nëse mazhoranca do të japë votën kundër apo jo ndaj kësaj kandidature, Braçe tha:
 
“Unë nuk po flas as për kandidat as për dekret. Natyrisht që është çështje shumë e rëndësishme, ashtu siç është e rëndësishme edhe çështja e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që duhet zgjidhur me qetësi. Dhe mbi të gjitha me mirëkuptim mes institucioneve. Vullnetet individuale nuk i shërbejnë askujt”, deklaroi kreu i Komisionit të Ekonomisë në përfundim të mbledhjes së kësaj të marte.