Braçe: Berisha gënjen, çmimi i energjisë nuk do jetë mbi 10 lekë

828
Sigal

TIRANE – Kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë Erion Braçe  deklaroi se qeveria do t’i shkojë deri në fund rishikimit të 5 koncesionëve, të cilët sipas tij kanë rritur barrën fiskale mbi sipërmarrjen dhe qytetarët. Bëhet fjalë për koncesionin e pullave fiskale, koncesionin e ngjyrosjes dhe markimit të karburanteve, atë të kasave fiskale, kontrollit të shërbimit të automjeteve dhe çka është më e rëndësishmja, koncesioni për skanimin e kontenierëve. Braçe tha se i ka kërkuar Ministrisë së Financave çuarjen deri ne fund të punës me to, kur ai thotë se kostoja e barrës fiskale për qeverinë në harkun e 3 viteve është 80 milionë dollarë, arkëtime këto të cilat kanë shkuar në xhepat e klientëve të ish-kryeministrit Berisha.

“Ky njeri (Sali Berisha) e ka vendosur në fund të mandatit të tij me këto 5 koncensione se sa ne duhet të paguajmë për 15 vitet e ardhshme. Janë para që nuk shkojnë në buxhetin e shtetit por në xhepat e koncensionarëve, Sali Berishës dhe ministrave që nënshkruan këto kontrata”, deklaroi ai.

Braçe insiston për të rishikuar këto koncesione, specifikisht kontratën e ish- qeverisë Berisha me kompaninë e kontenierëve Rapiscan. Kjo e fundit kërkon zhdëmtimin në arbitrazhin ndërkombëtar të Vjenës për prishjen e kontratës së koncesionit nga qeveria shqiptare në shumën e 359 milionë dollarëve.

Sa i takon vendimit që Enti Rregullator i Energjisë pritet të japë në Dhjetor për kërkesat për rritje të çmimit të energjisë elektrike që i janë parashtruar nga KESH, ERE, dhe OST, Braçe tha se i mbetet këtij institucioni të vendosë, por theksoi se ndryshe nga akuzat e Berishës, nuk do të ketë çmim mbi 10 lekë.

Braçe: Berisha gënjen, çmimi i energjisë nuk do jetë mbi 10 lekë 
Akuzat e opozitës, e veçanërisht të ish-liderit demokrat Sali Berisha, se çmimi i energjisë elektrike do të rritet në 12.5 lekë për kilovat në orë, janë vlerësuar gënjeshtra nga kreu i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe. Në një konferencë për shtyp ku prezantoi përmirësimet që i janë bërë në komisionet parlamentare projektbuxhetit të vitit 2015, deputeti socialist tha se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë nga qeveria.

Braçe tha se ndryshe nga koha e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili sipas tij vendoste vetë çmimin, ky vendim tashmë do t’i lihet institucionit përgjegjës, ERE-s.
 
Braçe: Berisha gënjen haptazi se çmimi i energjisë do të rritet në 12.5 lekë për kilovat në orë. Nuk do të ketë rritje çmimi për qytetarët as mbi 10 lekë.
Gazetarja: Sa do të jetë?
Braçe: Pyerni ERE-n, unë nuk jam Berisha të vendos çmimin.

Kreu i Komisionit të Ekonomisë tha se vendimet e marra nga qeveria Berisha, si privatizimi i HEC-eve që solli blerjen e energjisë me cmim më të lartë,  sollën kosto të jashtëzakonshme. “KESH sipas një vendimi Berisdhës duhet të shiste energji me 2.2 lekë për kilovat. Janë këto vendime të Berishës që jo vetëm kanë përkeqësuar bilancin financiar të këtij sektori, por kanë sjellë një barrë të madhe për qytetarët. Është e vërtetë se nuk e rriti çmimin e energjisë në 2012-2013, por e ka mbartur si kosto të drejtëpërdrejtë kur e rëndoi mbi KESH, nuk ja mori drejtëpërdrejtë në faturë qytetarëve, ja mori përmes taksimit të përgjthshëm në buxhetin e këtij çmimi”, tha Braçe. 

Braçe: Në dy vite injektojmë në ekonomi 2 miliardë dollar…nga taksat e reja
Braçe tha se në dy vite qeverisje, 2014-2015 vetëm nga taksat e reja i janë injektuar ekonomisë kombëtare 18 %, e përkthyer në 2 miliardë dollar.
 
Me 870 milionë dollarë është planifikuar të rriten të ardhurat, nga të cilat 360 milionë i atribuohen taksave të reja.
 
Janë 510 milionë dollarë të ardura, tha Braçe, që qytetarët shqiptar i kanë paguar si taksa dhe tatime por ose kanë përfunduar në xhepat e evazionit fiskal ose kanë shkuar si rryshfet për organet e administratës fiskale.

 “Të ardhurat totale në buxhetin e 2015-ës rriten me 470 milionë dollarë. Rritje e fortë që pason rritjen po të fortë gjatë vitit 2014. Të ardhurat tatimore 410 milionë dollarë, nga këto 160 mln dollarë vijnë nga taksat e reja dhe 250 milionë nga rritja ekonomike. Në dy vite ne kemi arkëtuar dhe do të arkëtojmë në 2015, 870 milionë dollarë më shumë të ardhura, nga këto 360 i atribuohen taksave të reja. Gjatë 2014-ës, në bazë të cilit është dhe buxheti i 2015 është shtrirë efekti i taksimit progresiv mbi pagën. 20 mln dollar më pak tatim mbi të ardhurat nga paga që i ka shkuar drejtëpërdrejtë të punësuarve. Është shtrirë i plotë efekti në 95 % të pagave në privat dhe shtetëror. Rritja e madhe e të ardhurave nga tatimet kanë ardhur nga TVSH dhe sigurimet shoqërore”, deklaroi Braçe.
 
Rritja e të ardhurave nga TVSH-ja, theksoi Braçe tregon se është rritur konsumi dhe formalizimi i të gjitha transaksioneve dhe nga ana tjetër rritja e sigurimeve shoqërore bëhet dëshmi për rritjen e punësimit dhe formalizimit të tregut të punës.


Braçe: Në 2015 shpenzimet rriten vetëm me 180 milionë dollarë

Në vitin 2015, shpenzimet do të rriten vetëm me 180 milionë dollarë më shumë, duke ulur trendin e shpenzimeve të ndjekur nga qeveria e shkuar e shoqëruar kjo me defiçit të mëdh fiskale dhe rritje të borxhit publik.

“Investimet publike shkojnë në 800 milion dollarë drejtpërdrejt në sektorë jetikë të ekonomisë shqiptare, ndërsa edhe 200 milionë dollarë do të shkojnë tek sipërmarrja si detyrime të prapambetura”, tha kreu i Komisionit të Ekonomisë.

Braçe: Në dhjetor shlyejmë edhe 350 milionë dollarë nga borxhi, nëfund të 2015 e shlyejmë të gjithin
Deputeti socialist tha se deri në fund të vitit 2015 qeveria do të ketë shlyer borxhin që qeveria e shkuar kishte ndaj sipërmarrjeve, ndërsa tha se në dhjetor do të shlyhet edhe 350 milionë dollarë nga ky borxh.

“Deri në fund të vitit 2015, borxhi i shlyer do të arrijë 630 milionë dollarë. Kemi shlyer 250 milionë dollarë deri tani (90 milionë i shlyem vetëm në 3 muajt e parë) dhe deri në fund të këtij viti kjo shifër shkon në 350 milionë dollarë”, tha kreu i komisionit të Ekonomisë.

Braçe tha se në vijim qeveria do të shlyejë 204 miliardë lekë interesa të borxheve që kemi trashëguar nga qeverisja e Berishës. 

Sipas Braçes, defiçiti buxhetor ulet me 2 pikë përqindje ose 280 milionë dollarë në krahasim me vitin që po lëmë pas. “Defiçiti ngushtohet dhe në këtë shifër ndikojnë edhe borxhet e prapambetura që ne kemi marrë përsipër të shlyejmë. Ndërkohë dediçit primar ulet në mënyrë të ndjeshme. Do të jetë vetëm 90 milionë dollar nga 460 milion dollarë në vitin korent. Ulet nga 3 % e GDP në 0.6 % të GDP që demonstron qartë përgjegjshmërinë fiskale në administrimin e të ardhurave dhe shpenzimeve të buxhetit të shtetit”, deklaroi Braçe.

Braçe: Vitin e ardhshëm rritja ekonomike, 3 %. Huatë i përkthejmë në investime

Kreu i Komisionit të Ekonomisë theksoi se vitin e ardhshëm pritet që rritja ekonomike të jetë në 3 për qind. Ai shtoi se qeveria nuk ka abuzuar me tatimet apo me huamarrjet, por se huatë janë marrë për të investuar. “Po marrim tatime e taksa për të investuar dhe për t’ia kthyer qytetarëve”, tha Braçe.


Braçe: Ulim tarifën për importin e shpendëve dhe ushqimit, ulet çmimi i vezës
Braçe tha se duke ulur tarifën e importit të shpendëve dhe të ushqimit, do të ndikojë në uljen e çmimit të vezës për të cilin së fundi është folur se abuzohet.
 
Legalizimi i të gjithë fermerëve: Të falim kamat vonesat për të gjithë të vetëpunësuarit në bujqësi.
 
Peshkimi: Hoqëm taksën e qarkullimit, të karbonit. Duke ulur cmimin e karburantit për peshkimin.

Braçe: Berisha e Basha të tregojnë faturat e tyre të energjisë elektrike
Kreu i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë i bëri edhe njëherë thirrje ish-kryeministrit Berisha dhe liderit të opozitës Lulzim Basha që të tregojnë kontratat dhe faturat e tyre të energjisë elektrike. Ai theksoi edhe njëherë qëndrimin në mbështetje të aksionit të OSHEE dhe Policisë së Shtetit kundër lidhjeve të paligjshme të energjisë, duke shprehur keqardhje për nxitjen që opozita i bën shkeljes së ligjit.
 
“Nuk ka si mos të shprehim pakënaqësinë ndaj opozitës që nxit kulturën e mospagesës. Po e ftoj edhe një herë luftëtarin më të madh të energjisë elektrike Sali Berishën tu tregojë qytetarëve kontratën e energjisë, me cilin emër dhe me ca fature. Kush ja paguan energjinë. Ashtu siç atij që po bërtet për ristrukturimin e energjisë elektrike. Të tregojë sa konsumon, po se bënë këta do ta bëj unë”, deklaroi Braçe.