Borxhet çojnë drejt falimentimit mbi 5100 biznese në 2019-n

683
Sigal

Tatimet: Mbi 5100 subjekte u shtuan si borxhlinj të këqij, gjatë 5 muajve të parë të vitit

Bizneset shqiptare drejt falimentimit, nuk po paguajnë dot taksat

Kriza ekonomike që ka goditur vendin, e ndihmuar dhe nga situata e rënduar politike, duket se i ka pasojat më të rënda tek bizneset, të cilët po rrezikojnë falimentimin për shkak të mos shlyerjes së detyrimeve tatimore. Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve ka publikuar listën e plotë të tatimpaguesve që nuk kanë shlyer detyrimet në afat deri në maj të 2019-s, të cilave iu është vendosur barrë siguruese dhe hipotekore. Vetëm gjatë pesë muajve të 2019-s kësaj liste i janë shtuar edhe 5107 biznese të reja, ose sa 67% e numrit të subjekteve që u shtuan në këtë listë për gjithë vitin 2018, duke treguar për një rritje më të fortë të numrit të sipërmarrjeve që nuk arrijnë të shlyejnë detyrimet ndaj shtetit, shkruan Monitor. Në vitin e kaluar kësaj liste iu shtuan 7588 biznese. Në total stoku i biznese që iu është vendosur një barrë siguruese dhe hipotekore për detyrime të papaguara ka shkuar 26 mijë e 400. Drejtoria Rajonale Durrës ka regjistruar numrin më të madh të borxhlinjve me rreth 1546 biznese në 2019-n me detyrime të papaguara. Ato përbëjnë 30% të totalit të bizneseve që janë bërë pjesë e listës në 2019-n. Subjekte debitorë të regjistruara në Drejtorinë Rajonale Vlorë për 2019-n ishin 751, apo sa rreth 14% e totalit dhe në DRT Tiranë numëroheshin 737 të tillë. Më pas renditen bizneset e Drejtorisë Rajonale Fier me 529 biznese të cilët I janë shtuar listës së debitorëve me barrë siguruese dhe hipotekore. Ndërsa listës iu shtuan edhe 7 tatimpagues pjesë e Drejtorisë së tatimpaguesve të Mëdhenj, nga 87 që është numri i tyre në total. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka sqaruar se njoftimi bëhet që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet të cilët kanë bëre regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet. Me pagimin e plotë të detyrimit, të dhënat e subjektit fshihen nga kjo faqe.

Borxhlinjtë më të mëdhenj në 2019

  • Durrësi 1546 biznese
  • Vlora 751 biznese
  • Tirana 737 biznese