Bode: Rama mbush buxhetin me taksat e konsumatorëve dhe biznesit të vogël. Hidrokarburet deklarohen me humbje

869
Sigal

 PD, Bode: Buxheti shtesë, mashtrim shtesë i Edi Ramës Tatimet dhe doganat kanë krijuar një deficit prej 2 miliardë e 243 milionë lekësh

 Deputeti i PD-së, Ridvan Bode e quajti dje mashtrim të Edi Ramës rishikimin e buxhetit. Sipas Bodes, të gjitha taksat e rritura janë me mosrealizim. Ai shtoi se tatimet dhe doganat kanë krijuar një deficit prej 2 miliard e 243 milion lekësh, ndërsa kemi thellim të evazionit dhe rënie të performancës fiskale.

“Dje Kryeministri Rama bëri gënjeshtrën e radhës elektorale, një mashtrim shtesë, për një buxhet shtesë që s’qenka parë prej 5 vjetësh. Ky mashtrim propagandistik vjen fill pas largimit pa deklaratë publike të misionit të FMN-së, i cili ndërkaq shprehu hapur pakënaqësinë që ritmika e të ardhurave nuk plotësonte pritshmërinë e tyre. Kryeministri shprehet për rishikim të buxhetit me rritje, por nuk tha se sa dhe si. Të ardhurat e 8 mujorit flasin, jo për tejkalim të të ardhurave të qeverisë qendrore, por për mosrealizim të tyre për 624 milion lekë, edhe pse programimi i të ardhurave ishte me rendimentin me të ulët fiskal në 10 vjetët e fundit dhe u parapri nga një rritje drastike e taksave. Të gjitha taksat e rritura janë me mosrealizim. Tatimet dhe doganat kanë krijuar një deficit prej 2 miliardë e 243 milionë lekësh. Akcizat, barra e të cilave u rrit, kanë një deficit prej 4 miliardë e 350 milionë lekësh dhe për më tepër janë detaksuar më pak se 8 mujori i një viti më parë edhe duhan, edhe kafe, edhe birrë. Tatim fitimi ka deficit mbi 10 milion USD dhe fitimi i 8 mujorit i detaksuar është 100 milion USD më i ulët se 8 mujori i vitit të vështirë 2013. Taksat nacionale, të cilat u shtuan me 12 lekë të reja për çdo litër karburant kanë një deficit prej 22 milion USD si 8 mujor. Të vetmet taksa të tejkaluara si 8 mujor janë tatimi mbi biznesin e vogël, për të cilin Rama u përbetua se me taksën e tij progresive do të paguanin më pak si dhe TVSH për shumën 57 milion USD, që është taksë e paguar nga qytetarët konsumatorë. Nuk po ndalem te hidrokarburet dhe mosrimbursimi i TVSH-së”, tha Bode.

Taksa progresive, pesha te qytetarët konsumatorë

Sipas ish-ministrit të Financave “Mjaftuan vetëm pak muaj që të dilte sheshit gënjeshtra këmbëshkurtër e Ramës se gjoja sistemi i taksave progresive, i vendosur prej tij, do të bënte që 95% e shqiptarëve do të paguanin më pak taksa. Të dhënat e 8 mujorit vërteton se në shtesën e të ardhurave të buxhetit, qytetarët kanë paguar 83% të tyre, ose rreth 190 milion USD më shumë se 8 mujori i vitit të kaluar, kurse biznesi me vetëm 40 milion USD. Kjo konfirmohet edhe nga rritja e peshës së taksave paguar nga qytetarët (indirekte) në vëllimin e taksave gjithsej. Pra të ardhura shtesë në krahasim me atë që është programuar nuk ka. Rishikimi i buxhetit është thjesht një akt pendues i qeverisë, për të zbutur efektet e dështimeve të qeverisë apo programimeve të gabuara me dashje apo mosnjohja e problemeve”, tha ai.

Ulja e investimeve publike dhe rritja e borxhit

Sipas tij, “Kryeministri, pa iu dridhur zëri mashtroi me zë të lartë në ditën me diell se do rrisë me 152 milion USD investimet publike. Zanati i tij i vjetër i sharjes dhe përbaltjes së ish mazhorancës, i sheqerosur me histori borxhesh, nuk i vjen më dot në ndihmë. Të dhënat e 8 mujorit flasin për rreth 220 milion USD investime publike më pak, edhe pse borxhin e rritën në mënyrë galopante. Edhe nëse thërret në ndihmë alibinë e tij të preferuar, tashmë bajate, atë të të borxheve të qeverisë së mëparshme, të cilat deklaron se i ka likuiduar tërësisht, përsëri i duhen rreth 150 milion USD për të hedhur lumin. Janë 170 milionë USD më pak investimet me financim të brendshëm edhe pse ka marrë rreth 100 milion USD hua më shumë nga bankat, janë 50 milion USD më pak financimet e huaja nga kreditë e zhvillimit, edhe pse ka marrë 300 milion USD mbështetje buxhetore nga FMN dhe BB. Në fakt, ajo që po përgatitet në buxhetin e ndryshuar nga qeveria, është thjesht zëvendësimi i financimit me kredi të huaja afatgjata që i japin borxhit publik siguri në kohë dhe shtojnë valutë likuide në ekonomi, me zgjatjen duart në sistemin tonë bankar, ku paratë merren më kollaj, por që kushtojnë më shumë, shpenzohen më keq dhe shterojnë burimet e financimit për biznesin privat”. Bode shtoi se “Të dhënat e 8 mujorit qeveria ka marrë një hua të re që kap shumën e 725 milionë USD ose 305 milionë USD më shumë nga një vit më parë. Dhe kjo ka ndodhur, kur investimet publike janë 220 milion USD më pak, kur rrogat nuk u rritën, kur pensionet u ritën me 1/3 e rritjes së mëparshme, kur për shpenzimet sociale është paguar më pak etj”.

Ulja e fondeve për shtresat në nevojë dhe të përndjekurit

Të dhënat e 8 mujorit, sipas Bodes, tregojnë se shpenzimet për shtresat në nevojë ekstreme janë 18 milion USD më pak nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar. “Në momentin e hartimit të buxhetit, opozita njoftoi për pamjaftueshmërinë e fondeve të programuara si shpenzime sociale, pasi ishin më të ulëta se një vit më parë. Qeveria këmbënguli se ishin të mjaftueshme, madje edhe për të bërë pagesat e prapambetura, pasi sipas saj do të luftonte informalitetin që ekzistonte në skemë. Sot pas një viti, edhe pse hoqi masivisht mijëra njerëz fatkeqë nga skema e pagesës së invaliditetit apo ndihmës ekonomike, përdorimi politik i këtyre programeve ia kërkon që të bëjë një shtesë të re” tha ish ministri i Financave. Bode akuzon qeverinë për demagogji ndaj shtresës së ish të përndjekurve politikë, “të cilët në 8 muaj kanë përfituar vetëm 8 përqind të shumës që kishin përfituar një vit më parë” tha ai.

Trajtimi armiqësor i buxheteve lokale

Sipas Bodes “Rama u tall dje me qeverisjen vendore kur tha se po mendonte dhe për ta, se do t’u hiqte qafe tatimorët lokalë. Në të vërtetë shifrat e 8 mujorit flasin për një trajim armiqësor të qeverisë Rama ndaj buxheteve lokale. Të ardhurat e pushtetit lokal janë rreth 16 milion USD më të larta nga një vit më parë, apo 20 milion më shumë se sa i ka programuar qeveria. Por shpenzimet e tyre janë 22 milion USD më pak nga një vit më parë ose 41 milion USD më pak nga programi. Janë mbi 55 milion USD shpenzime të ligjshme të pushtetit vendor që mbahen të bllokuara nga qeveria, që nuk autorizohen apo nuk transferohen fondet e grandeve (janë rreth 40 milion USD grante më pak të qeverisë qendrore) apo të ardhurave në njësitë e qeverisjes vendore. Dhe këtu nuk llogaritet bllokimi i projekteve me kredi të miratuara ligjërisht apo financimet për grantet konkuruese të infrastrukturës rajonale, të cilat po përdoren nga qeveria qendrore për infrastrukturën nacionale”.