BMI paralajmëron për krizë të fortë politike në Shqipëri

397
“BMI Research”, pjesë e grupit të njohur ndërkombëtar të vlerësimit “Fitch”, në raportin e fundit për indeksin e rrezikut në Evropën Juglindore, të sapo publikuar vlerëson se Shqipëria do të ketë një rritje të kënaqshme në 2018-n, ndonëse më të ulët se sa në vitin 2017, ndërsa është më e shqetësuar për situatën politike, që mund të ndikojnë në klimën e investimeve. Në pjesën për Shqipërinë, raporti thekson se i qëndron perspektivës pozitive për ekonominë shqiptare, duke besuar se konsumi i fortë privat dhe investimet do të orientojnë rritjen mbi trendin mesatar, edhe pse pritet një ulje e kërkesës së jashtme në vitet në vijim. Rreziqet politike po rriten mes protestave në shkallë të gjerë kundër qeverisë së partisë Socialiste, të cilat mund të ndikojnë në klimën e investimeve, thotë raporti. Për vitin 2018, BMI i qëndron parashikimit se ekonomia do të rritet me 3.7%. Megjithëse kjo është më e ulët se parashikimi i vitit 2017, kur pritet që ekonomia të jetë rritur me 4%, ajo mbetet shumë mbi mesataren e rritjes prej 2% në periudhën 2011-2016. “Ekonomia e brendshme do të mbetet e mbështetur nga inflacioni i ulët, politika e lehtësuar monetare, rënia e inflacionit dhe një investim i fuqishëm në gazsjellës, i cili do të zbusë ndikimin e një mjedisi të jashtëm disi më të dobët, pasi normat e rritjes së Evropës Perëndimore do të ngadalësohen disi. Kërcënimi më i madh për këtë pikëpamje optimiste rrjedh nga mjedisi politik, veçanërisht nga rreziku që demonstratat kundër qeverisë së Partisë Socialiste (PS) të kryesuar nga kryeministri Edi Rama, të dëmtojnë funksionimin e ekonomisë ose të çojnë në rënien e qeverisë”, thuhet specifikisht në raport. Aty analizohet edhe ndikimi i mjedisit politik në ekonomik. “Në ambientin politik të polarizuar i Shqipërisë ndodhin shpesh protesta pa ndikim në ekonomi. Megjithatë, me këtë rast bashkimi i partive opozitare – të cilët së bashku mbajnë vetëm katër vende më pak se PS – mund të përbëjnë një kërcënim të madh për jetëgjatësinë e qeverisë. Vazhdimi i protestave do t’i bëjë investitorët më të kujdesshëm. Një rënie e qeverisë dhe zgjedhjet që mund të pasojnë vetëm sa do të përkeqësojnë pasigurinë e politikës dhe do të çojnë në një rritje më të ulët sesa që ne aktualisht presim”, thuhet në raport.