Bllokohet furnizimi i tregut me produkte bulmeti – Fermerët protestojnë me derdhjen e qumështit në rrugë

549
Sigal

Kompanitë agropërpunuese kanë pezulluar grumbullimin e qumështit, duke ndalur në këtë mënyrë edhe furnizimin e tregut me produkte bulmetore. Agropërpunuesit kanë njoftuar nisjen e një bojkoti ditën e djeshme që do të vazhdojë dhe sot, për shkak të moszgjidhjes nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të çështjes lidhur me TVSH-në e rimbursueshme që u ulu nga 20 në 6%.

Sipas një deklarate zyrtare të Albanian Food Industry, kjo masë u kundërshtua fort nga agroindustria dhe në dy ditët e fundit grumbulluesit dhe agropërpunuesit e Lushnjes, Beratit, Divjakës, Kuçovës, Gjirokastrës, Shkodrës e rretheve të tjera të vendit kanë ndërprerë grumbullimin e qumështit.Gjithashtu, ditën e djeshme, fermerë, grumbullues dhe përpunues u mblodhën së bashku në një manifestim paqësor në Lushnjë. “Këto akte demonstruese vijnë si mbështetje e prodhuesve bujqësorë, kundër uljes së kompensimit të TVSH-së për fermerin, nga 20 – 6 përqind, pasi këto ndryshime ligjore do të shkaktojnë dëmtim të prodhimit vendas duke favorizuar importet, rritur informalitetin, si dhe cenuar sigurinë ushqimore”, deklaroi AFI.

Fermerët derdhin qumështin në rrugë në formë proteste

Me mijëra fermerë, grumbullues dhe agropërpunes kanë dalë dje në rrugë për të protestuar ndaj uljes së TVSH-së së rimbursueshme për fermerin. Në fund të protestës, fermerët kanë flakur në rrugë qumështin në formë demonstrative ndaj uljes së TVSH-së në 6% nga 20%.Kjo ulje detyron fermerët që të ulin çmimet e produkteve të tyre, në një kohë kur konkurrenca nga importet është e lartë. Fermerët, ndër të tjera, kanë protestuar edhe për kushtet e vështira dhe kostot e larta të operimit. Shumë prej tyre janë shprehur të pakënaqur edhe për çmimin e naftës, subvencionet e ulëta që merr sektori i bujqësisë në raport me rajonin, etj.