Bllokohet Banka e Shqipërisë, vendi në prag të kolapsit financiar

869
Sigal

Përgatiti për botim Ëngjëll MUSAI,

Drejtor i gazetës “Telegraf”

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mbetet me tre anëtare, dështon mbledhja e radhës. Manifesti i Sami Frashërit, më 1899-n dhe ‘Rilindësit’ e 2018-s

Manifesti i Sami Frashërit, “Shqipëria ç’ka qenë, ç;është dhe ç’do të bëhet” është një nga veprat madhore të Rilindjes, ai është manifesti politik, ideologjik, ekonomik, kulturor dhe arsimor i saj. Ajo u botua më 1899, në prag të ngjarjeve të mëdha, të cilat më vonë do të çonin në fitoren e pavarësisë. Për këtë, shqiptarët duhet të ishin të përgatitur, të kishin programin e luftës dhe të ndërtimit të shtetit të ri. Duke përgjithësuar përvojën e deriatëhershme të lëvizjes kombëtare, kjo vepër e plotësonte më së miri këtë mision. Siç tregon titulli, vepra përbëhet nga tri pjesë. Shumë i guximshëm e i përparuar për kohën ishte projekti i Samiut edhe për zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit. Ai kërkonte të ngrihej një industri kombëtare, të kishim financa të qëndrueshme, të mëkëmbej bujqësia, të zhvillohej komunikacioni automobilistik dhe hekurudhor, të forcohej mbrojtja etj. Vëmendje të veçantë Samiu i kushtonte zhvillimit të arsimit e të kulturës shqiptare. Si gjithë rilindësit, ai kishte bindjen se ajo që u duhej më shumë shqiptarëve ishte dituria. Për përhapjen e saj ai kërkonte një sistem arsimi të përgjithshëm e të detyrueshëm për të gjithë, djem e vajza. Arsimin e donte në gjuhën amtare shqipe dhe shkolla të ishte laike, e shkëputur nga kisha e xhamia, një shkollë që të shërbente si vatër diturie dhe atdhetarizmi. Samiu ëndërronte Shqipërinë me shkolla të të gjitha kategorive, me universitet (“gjithëmësime” siç e quante ai), me akademi të shkencave, muze e biblioteka. Si mendimtar demokrat dhe iluminist, Samiu parashtron një projekt të gjerë me ide të përparuara për të ardhmen e Shqipërisë. Ai nuk e pranon idenë e monarkisë. Si formë regjimi sipas tij, Shqipëria duhet të ishte Republikë parlamentare që do të kishte në krye një pleqësi. Kushtetuta e shtetit të ardhshëm shqiptar që propozonte Samiu, përshkohet nga fryma demokratike. Ideali i tij për këtë shtet ishte ideali i një demokracie borgjeze. Si shprehës i pikëpamjeve të klasës së re të borgjezisë, ky ishte një ideal i përparuar për kohën. Siç shihet, në veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, gjeti shprehje mendimi shqiptar më i përparuar politiko-shoqëror i kohës. Me këtë vepër Samiu u bë ideologu më i shquar i lëvizjes kombëtare shqiptare. Vepra e tij është një traktat politiko-shoqëror, megjithatë ajo ka vlera të mëdha stilistike, një gjuhë e gjallë, e shprehëse. Stili i prozës së Samiut është energjik, herë polemist, herë fshikullues e herë me patos thirrës e mobilizues. “O burrani, o shqiptarë! Zihuni me të dy duart në besë, në lidhje e në bashkim, se kjo do t’ju shpëtojë!

-Po ku është Shqipëria sot, pas 118 vitesh të këtij manifesti politik dhe ideologjik? Jemi në kaos të plotë, pa kushtetutë, pa gjykata, jemi shtet por pa ligje, kemi sistem bankar por ky sistem është në agoni, pasi pashallarët e këtij vendi nuk duan të caktojnë ekspertët e fushës përkatëse, jemi me gjithçka provizore, a thua se vijmë nga ndonjë planet tjetër! Ka shumë arsye, rrethana për t’u marrë dhe analizuar ku më e rëndësishmja është drejtësia e shpartalluar dhe sistemi bankar ose buka e përditshme, e cila mund të sjellë katastrofën më të madhe, ku piramidat e 1997-s do të duken lule në “varrezën” ekonomike të PPP-ve dhe Bankës Qendrore që po tentohet të kapitullojë, pikërisht nga këta politikanë të paudhë, që kanë marrë peng Shqipërinë në këto vite tranzicioni. Po si ka mundësi që Gjykata Kushtetuese nga 9 anëtarë ka mbetur me 2 anëtarë, Gjykata e Lartë nga 19 anëtarë ka mbetur me 4 anëtarë, Banka e Shqipërisë nga 9 anëtarë ka mbetur me 3 anëtarë. Kjo situatë ka ardhur nga përgjegjshmëria e politikanëve aktualë, e Kuvendit të mbushur me mediokër dhe kriminelë dhe luftës së pa principë për të marrë “timonin vetëm me tepsinë në prehër”, duke e çuar vendin drejt greminës së sigurt. Mijëra shqiptarë po lënë tokën, vatanin, shtëpitë dhe familjen për mbijetesë në kurbet, dhe sikur të mos mjaftonte kjo që po ndodh me njerëzit, bëhemi edhe me qesharakë në sytë e botës kur edhe kafshët e kafazit (3 luanët ) e kopshtit zoologjik në Fier, i marrin holandezët, se nuk kemi mundësi për t’i ushqyer. Por le t’i kthehemi skandalit të Bankës Qendrore dhe mungesës së 6 anëtarëve të këshillit mbikëqyrës të saj.

Vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë e bllokuar nga vakancat

Gjashtë prej nëntë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë u ka mbaruar mandati së fundmi ndërsa tre anëtarët e mbetur nuk ishin në gjendje të merrnin vendime, duke krijuar një situatë të paprecedentë për bankën qendrore në historinë e re të Shqipërisë. Në një njoftim për shtyp, banka bëri të ditur, se në mbledhjen e fundit të Këshillit të zhvilluar, më 21 nëntor, “nuk u morën vendime”. “Çështjet e planifikuara për vendimmarrje në mbledhjet e muajit nëntor do të trajtohen në mbledhjet e ardhshme, atëherë kur Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë të ketë numrin e nevojshëm të anëtarëve për zhvillimin e mbledhjeve dhe marrjen e vendimeve përkatëse”. Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë sipas parimeve ligjore duhet të zëvendësohen në mënyrë graduale përgjatë shtrirjes së mandatit të tyre shtatëvjeçar, në mënyrë që në institucion të ruhet memoria institucionale dhe të shmanget rreziku i kapjes së Bankës Qendrore nga shumica parlamentare e radhës. Por në vitin 1998, qeveria socialiste e kohës zgjodhi gjashtë nga nëntë anëtarë, të cilët u zëvendësuan në grup në 2004-n dhe 2011-n. Gjithsesi, në të dyja rastet mes partive politike shqiptare, PD dhe PS më 2004-n dhe PD, PS dhe LSI më 2011-n, kishte një mirëkuptim politik për të ndarë mes tyre të drejtën e propozimeve të kandidatëve dhe për rrjedhojë, këshilli mbikëqyrës i BSH pati një lloj balance informale. Në gjendjen aktuale, mirëkuptimi politik për të zëvendësuar gjashtë anëtarët apo për t’i dhënë një mandat të dytë atyre duket se mungon, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë nuk ka kryer në kohë detyrat e veta funksionale në përzgjedhjen e kandidatëve. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka një gamë të gjerë detyrash, përfshirë edhe mbikëqyrjen e veprimtarisë operacionale të bankës, e cila kërkon vendimmarrje të menjëhershme. Aktualisht Këshilli Mbikëqyrës duhet të vendosë, nëse Banka Qendrore do të vijojë apo jo me politikën e vet të ndërhyrjes në tregun e këmbimit valutor, ndërkohë që tre anëtarët e mbetur, Guvernatori Gent Sejko, zëvendësguvernatorja e Dytë, Natasha Ahmetaj dhe anëtari, Tonin Kola nuk janë në gjendje të marrin vendim, sepse u mungon kuorumi, shkruan “Reporter.al” në analizën e vet.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mbetet me tre anëtarë, dështon mbledhja e radhës

Banka e Shqipërisë nuk ka arritur të marrë asnjë vendim në mbledhjen e saj të radhës, të datës 21 nëntor, për shkak 6 prej 9 anëtarëve të saj u ka mbaruar mandati dhe të rinjtë nuk janë zgjedhur ende, thekson ‘monitor.al’ në raportimin e saj. Këtë e ka bërë të ditur vetë banka në një njoftim të shkurtër për shtyp: “Në datë 21 nëntor 2018, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, si dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, Zëvendësguvernatorja e Dytë, zj. Natasha Ahmetaj dhe z. Tonin Kola, zhvilluan një takim informues, ku u njohën me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë. Në këtë takim, u diskutua mbi zhvillimet e fundit ekonomike dhe monetare, si dhe u mor informacion mbi:

  • administrimin dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë;
  • zbatimin e politikës monetare;
  • mbarëvajtjen e sistemit bankar dhe financiar; dhe
  • gjendjen e tregjeve të parasë dhe valutore. Gjatë takimit nuk u morën vendime, dhe çështjet e planifikuara për vendimmarrje në mbledhjet e muajit nëntor do të trajtohen në mbledhjet e ardhshme.

Gjashtë anëtarëve që u mbaroi mandati në nëntor të këtij viti, janë:

-Dhori Kule është zgjedhur anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në nëntor të vitit 2011.

–Ela Golemi është zgjedhur anëtare e K.M.B.SH, në nëntor 2011 dhe nga muaji gusht 2015 është anëtare edhe e Komitetit të Auditimit të Bankës së Shqipërisë.

-Elisabeta Gjoni është Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë që prej muajit janar 2012. Ajo është edhe anëtare e K.M.B.SH, që prej muajit nëntor 2011.

-Petraq Milo është zgjedhur anëtar i K.M.B.SH, në nëntor të vitit 2011.

–Arben Malaj zëvendësoi mandatin e Ermelinda Meksit.

–Denada Prifti ka marrë mandat zëvendësues në nëntor 2014.

Sipas Ligjit të Bankës së Shqipërisë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë përbëhet nga 9 anëtarë. Të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, ku pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi, tre nga Këshilli i Ministrave dhe një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës. Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave kanë nisur ndërkohë procedurat për zgjedhjen e propozimeve të tyre përkatëse. Në Kuvendin e Shqipërisë, që do të bëjë tre propozime janë paraqitur 15 kandidatura: Vjollca Braho; Bardhyl Çeku; Leontijev Çuçi; Sulo Hadëri; Artan Hoxha; Altin Hoti; Oljan Kanushi; Genc Koxhaj; Arben Malaj; Visar Malaj; Luljeta Minxhozi; Ergys Misha; Nikollaq Pano; Drini Salko; Arben Xibri. Ndërsa Këshilli i Ministrave nuk ka publikuar ende propozimet e tij.