Bllokohet ARMO, mungon furnizimi me naftë

624
Sigal

Bankers: Kompania administruese e ARMO-s, TOSK Energji ka shkelur disa herë kontratën duke vonuar pagesat

Në protestat e tyre gjatë ditëve të fundit, naftëtarët e Ballshit janë ankuar, ndër të tjera, se kanë mbetur pa punuar për shkak të mungesës së lëndës së parë, naftë bruto, dhe si pasojë administratorët aktual të ARMOS, kompania TOSK Energji ka ndërprerë punën. Punonjësit janë të shqetësuar pasi ata mendojnë se po përdoren si mjet presioni për të zgjidhur konfliktet financiare që prej kohësh kanë pllakosur aktivitetin e ARMOS. Kompania TOSK Energji e cila menaxhon aktivitetin e prodhimit nëpërmjet një kontrate qiraje është ankuar se Bankers Petroleum nuk po përmbush sasitë e furnizimit me naftës që rafineria të mund të vazhdojë punën. Nga ana e saj kompania Bankers Petroleum ka reaguar në një deklaratë të saj ditën e djeshme, në lidhje me këtë çështje duke argumentuar se, përgjatë vitit 2018, kompania Tosk Energji ka shkelur shpesh herë kontratën duke vonuar pagesat dhe tërheqjen e naftës nga depot e Bankers. “Në disa raste, Tosk nuk ka paguar për sasitë e naftës së dakordësuara në kontratë ç’ka ka krijuar vështirësi serioze për Bankers në zhvillimin e operacioneve të nxjerrjes së naftës, duke akumuluar stoqe të mëdha nafte dhe duke shkaktuar kosto shtesë”, – thuhet në deklaratë. Bankers shtoi, se edhe pse kompania TOSK Energji është treguar disa herë jo korrekte në respektimin e marrëveshjes së kontratës, sërish është rinovuar marrëveshja midis dy kompanive për sa i përket vitit 2019. “Por me gjithë problematikat përgjatë vitit 2018, Bankers sërish pati vullnetin e mirë për të nënshkruar një kontratë për vitin 2019, duke vlerësuar rëndësinë që kjo rafineri ka për zonën e Ballshit”- thuhet më tej në deklaratën e Bankers.

“Aktualisht, nuk ka asnjë kontratë shit-blerjeje për vitin 2019 ndërmjet TOSK k Energji dhe Bankers, sepse TOSK, gjatë tre muajve të fundit, ka refuzuar në mënyrë të pandershme ofertat e vazhdueshme të Bankers për vitin 2019. Megjithatë, Bankers vijon të mbetet i përkushtuar dhe i hapur për të gjetur një zgjidhje në përputhje me ligjet, konkurrencën e lirë të tregut dhe në dobi të të gjitha palëve.”- përfundon deklarata e Bankers Petroleum.